BE dhe NATO, kryqëzojnë Vuçiç/ Kërkojmë stabilitet rajonal dhe bashkpunim. Jemi gati të ndëshkojë cilindo që kërkon të ndez konflikte

364
Sigal

Bashkimi Europian dhe Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut reagojnë ndaj sulmeve të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për ndezjen e një konflikti

BE: Kërkojmë stabilitet rajonal dhe bashkëpunim

Bashkimi Europian nuk ka pranuar të komentojë deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili të enjten tha se në Kosovë mund të ndodhë një konflikt i llojit të Nagorno Karabakut, nëse përpjekjet për kompromis dështojnë.

“Si parim i përgjithshëm, ne gjithmonë i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi, dhe pjesën tjetër të rajonit, që të promovojnë atmosferë, e cila do të ndihmonte stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin”, tha për Radion Europa e Lirë, zëdhënësi për Çështje të Jashtme i BE-së, Peter Stano.

Komentet e Vuçiçit, që i bëri pas një takimi në Beograd me ambasadorët e vendeve të Kuintit, nxitën reagime në Kosovë. Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kanë kërkuar reagimin e BE-së dhe NATO-s, pas deklaratave të Vuçiçit.

“Unë pres që Bashkimi Europian dhe NATO-ja t’i përgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiç”, shkroi Osmani në Twitter.

Ndërkaq, Hoti tha se deklarimi i Vuçiçit është në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, “nën garancitë e faktorit ndërkombëtar, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit”.

Në një përgjigje dërguar Radios Europa e Lirë, as NATO nuk pranoi të komentojë deklaratat e presidentit serb, Vuçiç, por nga kjo aleancë thanë se vazhdojnë ta mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndihmën e BE-së, si zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha një zyrtar i NATO-s në një përgjigje me shkrim për Radion Europa e Lirë.

Vuçiç, të enjten mori si shembull konfliktin ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, kur foli për dialogun me Kosovën, duke thënë se “konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë në një katastrofë të vërtetë”.

“Porosia më e rëndësishme është porosia e paqes, dialogut dhe dëshirës që të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe ta kuptojmë që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut. Është më mirë që ta arrijmë më herët, sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”, shtoi Vuçiç.

 

NATO: Mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës

Zyrtarë të NATO-s nuk pranuan të komentojnë deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt si në Nagorno Karabak, nëse përpjekjet për paqe dështojnë.
Në pyetjen e Radios Europa e Lirë, se si e sheh NATO paralelen që ka tërhequr Vuçiç midis Kosovës dhe Nagorno Karabakut, nga selia e aleancës ushtarake thanë se “misioni i KFOR-it [në Kosovë], i udhëhequr nga NATO-ja, mbetet plotësisht i përqendruar në zbatimin e mandatit nga Kombet e Bashkuara, për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndihmën e BE-së, si zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha një zyrtar i NATO-s në një përgjigje me shkrim për Radion Europa e Lirë.