Basha: Rritja e taksave ka nxitur informalitetin

502
TIRANË – Pas takimit të kryeministrit Edi Rama me punjonjës të tatimeve dhe doganave, ku apelet që ai bëri për biznesin ishin të forta, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kreut të opozitës, Lulzim Basha.
“Edi Ramës nuk ja ndjen, nuk ka zgjidhje, nuk ka vullnet”, – tha Basha duke theksuar se me reformën e tij, Rama nuk do të godasë biznesin e madh, por në shënjestër të tij është biznesi i mesëm dhe ai i vogël. Arsyeja se përse Rama po ndërmer këto reforma sipas kreut të opozitës për të mbuluar 160 milion dollarët e vjedhura në tatime dhe dogana. 
“Nuk gjeti asnjë fjalë për të kërkuar ndjesë, nuk gjeti asnjë mundësi për të shpalosur para shqiptarëve përgjegjësinë për 160 milion dollarë të vjedhur. Kjo është gropa më e madhe financiare e shkaktuar kryesisht nga kontrabanda e alkoolit dhe cigares. Zgjidhja e Edi Ramës është të mbushë gropën e madhe duke goditur biznesin e vogël, biznesmenët e ndershëm. Barra e rëndë që Edi Rama vendosi mbi bizneset ka sjellë falimentimin e tyre. Ne e paralajmëruam, nuk u mjaftuam me denoncimin e përkeqësimit të situatës, por çuam edhe amendamente në parlament. Biznesi i vogël dhe i mesëm është para dy alternativave ose të mbushë xhepat e zyrtarëve me ryshfet ose ti vendosë drynin biznesit. Kjo dramë që po shkatërron ekonominë shqiptare nuk gjen vend në monologët e kryeministrit. Po tkurret biznesi i madh, papunësia po rritet. Asnjë reflektim i kryeministrit për ekonominë që bie nga dita në ditë. Atij i mungon vullneti për të goditur korrupsionin. Sepse malavita është pjesë e grupimit të tij politik. Atij nuk ia ndjen që taksat e rritura kanë rrënuar mijëra biznese familjare. Edi Ramës nuk ia ndjen për shqiptarët që zhyten në borxhe për bukën e gojës, për faturat e energjisë dhe pasaportat e kurbetit. Eksodi rritet nga muaji në muaj. Edi Rama bën sikur nuk e kupton. Refuzon ta pranojë këtë realitet”, – tha më tej kreu i PD­-së.
Basha tha se Rama është peng i klaneve kriminale me të cilat qeveris duke shtuar se Partia Demokratike e ka një zgjidhje për këtë situatë. Sipas Bashës PD është e vendosur në planin që sjell vendosjen e taksës së sheshtë më të ulët në Ballkan.
“Edi Ramës nuk ja ndjen, ndaj Edi Rama nuk ka zgjidhje. Ai është peng i klaneve kriminale me të cilat qeveris. Çdo masë në këto kushte në kurriz të masës së shqiptarëve të pamundur. Edi Rama nuk ka zgjidhje, nuk ka vullnet dhe nuk di. Por PD dhe unë jemi pranë çdo shqiptari në çdo cep të shqipërisë. Ne e kuptojmë situatën, gjendjen e biznesit të vogël. Ne kemi një plan, kemi vendosmërinë që këtë plan ta kthejmë në zgjidhje për qytetarët shqiptarë. Pastrimin e menjëhershëm të qeverisë nga krimi, vendosjen e taksës së sheshtë më të ulët në Ballkan”, – tha Basha.
Sigal