Basha: Rama bllokon bashkinë e Tiranës, do marrë përgjigjen e duhur

465
3.5 milionë euro nga fondet e BE akorduar ne 2012 nga qeveria shqiptare për Bashkinë e Tiranës do të ndryshojnë tërësisht infrastrukturën në një zonë të re të Tiranës e cila shtrihet përgjatë njësive 4 dhe 8 dhe në të cilën nuk është investuar prej 20 vitesh. 
Ky investim konsiston në ndërtimin e një shkolle të integruar, qendre sociale si dhe në ndërhyrje infrastrukture për përmirësimin e blloqeve urbane. Kryebashkiaku Basha dhe përfaqësues të delegacionit të BE kanë qenë të pranishëm në nisjen e punimeve për të kthyer në realitet këtë projekt që do të përmirësojë rrënjësisht cilësinë e jetës së qytetarëve. 
“Në vitin 2012, qeveria shqiptare i akordoi Bashkisë së Tiranës një shumë prej afro 3 milionë eurosh nga fondi i BE për vendet në proces anëtarësimi për të përmirësuar infrastrukturën në zonat më të paprivilegjuara, më të diskriminuara të qytetit të Tiranës për një dekadë e gjysmë, në njësitë 4 dhe 8. Sipas kërkesës së Bashkisë së Tiranës dhe me konsultimet e banorëve të kësaj zone, këto fonde po destinohen për të urbanizuar tërësisht këtë zonë e cila është një zonë e re në qytet, një zonë informale por me nevoja të mëdha dhe ku po rritet tashmë gjenerata e dytë e qytetarëve të Tiranës që kanë nevojë për shërbime, shkolla, çerdhe, kopshte, sikundër familjarët kanë nevojë duke jetuar në Tiranë, jo më shumë se 1000 metra nga sheshi “Skënderbej” për kanalizime, ujësjellës, rrugë të shtruara, ndriçim, gjelbërim, trotuarë. Ky është edhe synimi i projektit. Afro 41 mijë metra katrorë, pra një herë e gjysmë sa parku Rinia, në formatin e rrugëve dhe trotuareve do të shtrohen pasi të jetë punuar nëntoka, pasi të jenë shtruar kanalizimet e ujërave të zeza, të ujërave të bardha dhe ujësjellësit. Do të ndërtohet një shkollë e re, me kapacitete të plota për t’u shërbyer të gjithë fëmijëve të njësisë 8 dhe 4 në këtë zonë, sikundër kopsht e çerdhe dhe një qendër sociale.
Unë dua të falënderoj taksapaguesit europianë por dua gjithashtu të falënderoj ata që në vitin 2012 në vend që t’i fusnin shkopinj ndër rrota qytetarëve të Tiranës ndanë nga fondet e BE, për të ndihmuar zhvillimin urban të kësaj zone” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës. 
Projekti për ndërtimin e shkollës dhe qendrës sociale është konceptuar me tre godina. Godina e shkollës është projektuar për një kapacitet prej 600 nxënësish, ku përfshihen klasa, laboratorë dhe 3 fusha sportive të jashtme, një palestër, ambiente për administratën dhe për shërbime të ndryshme. Godina e “kopësht – çerdhe” është projektuar për një total prej 140 fëmijësh, ku janë 7 klasa me nga 20 nxënës. Godina e qendrës sociale është me 2 kate dhe është projektuar për t’iu përgjigjur nevojave të gjithë komunitetit. Të gjitha ndërtesat do të jenë të pajisura me sistem ngrohje/ftohje dhe me të gjitha rrjetet e nevojshme për një funksionim sa më të mirë.
Projekti për rikualifikimin urban parashikon ndërtimin e 18 rrugëve dytësore. Muret rrethuese të shtëpive do të jenë me kangjella, një standard i ri i vendosur këto 3 vite nga Bashkia e Tiranës. Gjithashtu do të ndërtohet rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza, duke bërë të mundur lidhjen e të gjitha ndërtesave përreth si dhe spostimin e linjave të energjisë elektrike. 
“Ky investim është në përputhje me angazhimin tim si kryetar i Bashkisë për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës kudo ku jetojnë, jo vetëm në qendër. Ky është një mësim i mirë dhe i madh se si paratë e taksapaguesve të Tiranës, taksapaguesve shqiptarë dhe taksapaguesve europianë nuk duhet të shpërdorohen por duhet të shkojnë drejtpërdrejt aty ku ka më shumë nevojë. Këtu ka më shumë nevojë, ka nevojë për infrastrukturë primare, kopësht, shkollë, çerdhe dhe ne po i ndërtojmë këto.
Shpërdorimi i fondeve të shqiptarëve për palma të shtrenjta, për të vënë e hequr shtylla elektrike është një krim i rëndë në çdo kohë e në veçanti në këtë kohë krize, të shkaktuar nga rritja e taksave, rritja e çmimit të energjisë, rritja e çmimit të karburantit nga qeveria Rama. Është një krim i rëndë dhe korrupsion i përmasave të papara në çdo rast por është dyfish më i rëndë kur qytetarët vuajnë për bukën e gojës, kur qytetarët kërkojnë e nuk gjejnë punë, kur dhjetëra, qindra prej tyre largohen nga puna sepse kompanitë, punëdhënësit, bizneset e vogla, të mëdha, të mesme e kanë të pamundur t’i mbajnë në bordero në kushtet e një krize ekonomike që po kaplon vendin. 
Ky projekt do të punësojë gjatë zbatimit të tij dhjetëra qytetarë të Tiranës dhe në përfundim të tij do t’u ofrojë një cilësi të re jetese këtyre banorëve të Tiranës që siç e thashë po rrisin gjeneratën e dytë të qytetarëve të Tiranës. Ata do të ecin në rrugë po aq të mira, në disa raste edhe më të mira se sa në pjesë të tjera të qytetit, do të shkojnë në një shkollë moderne të standardit europian, do të shkojnë në kopshte e çerdhe të standardeve europiane. 
Ky është premtimi im, puna flet vetë dhe në përfundim të kësaj pune ky premtim do të jetë bërë realitet për banorët e këtyre lagjeve të njësive bashkiake nr 4 dhe 8” – theksoi kryebashkiaku Basha. 
Bashkia e Tiranës po përballet prej një viti e gjysmë me bllokimin e pashembullt me të gjitha mjetet që ka në dorë kryeministri Edi Rama, që nga buxheti, Ministria e Financave e deri tek policia e cila shoqëron nëpër komisariate të gjithë punonjësit e Bashkisë që kryejnë punë nga krasitja e pemëve tek punimet në trotuare e rrugë. 
Z. Basha ka theksuar Bashkia e Tiranës ia ka dalë në më shumë se dy vjet të përfundojë afro 200 objekte, të realizojë më shumë investime dhe gjelbërime se sa ne 8 vitet e shkuara kur Bashkia drejtohej nga Edi Rama. Aktualisht janë rreth 86 projekte të bllokuara të cilat ndikojnë direkt në përmirësimin e jetës së qytetarëve. 
“Ne kemi realizuar deri më sot përkundër bllokimeve, përkundër policisë që përdoret si huligane për të ndaluar investimet tona të ligjshme kemi përfunduar afro 200 objekte të ndryshme, rrugë, trotuare, sheshe, shkolla, kopshte dhe shumë të tjera i kemi në proces por ndërkohë prej qershorit të vitit të kaluar, qeveria në mënyrë të paligjshme bllokon investimet e reja të qytetit të Tiranës. 
Mbi 86 projekte që janë gati për të nisur, sot mbahen peng nga Edi Rama, nga ish-kryetari i Bashkisë i cili për 11 vite nuk i shtroi këto rrugë ose i shtroi për mysybet si ajo pedonalja te Parlamenti (e keni parë që i dalin gurët sa herë që bie shi), të mos flasim për bulevardin por tani që ka shansin të mos pengojë një bashki që punon me ritme dy, trefish më të larta se sa kur ishte ai kryebashkiak bën të kundërtën. Siç pengon bulevardin, siç pengon terminalin, parkimet, ashtu pengon edhe investimet për qytetarët e Tiranës. Ndëshkon me dritëshkurtësinë e tij cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës, ndëshkon me mllefin e tij politik investime që hapin vende pune, rregullojnë rrugët e Tiranës, përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve. 
Kam bindjen e plotë se qytetarët e Tiranës do të dinë t’i përgjigjen këtij bllokimi politik, do të dinë t’i përgjigjen në aktivitetin e tyre të përditshëm, të përjavshëm, do të dinë t’i përgjigjen në ditën e llogaridhënies që është 21 qershori, me votën, gjykimin e tyre” – deklaroi z. Basha.
Sigal