Basha: Qeveria bashkëpunon me kriminelët. Vasili: Kryeministri frikacak, fshihet në Tiranë. Reagon Rama

548
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Opozita e bashkuar do të përshkallëzojnë luftën politike edhe në parlament

Akuza e Bashës nga Shkodra: Rama bashkëpunoi haptazi me kriminelë, për të mbledhur votat. Nuk përmenden protestat

Dje opozita bojkotoi seancën e parë të Kuvendit, në shenjë proteste ndaj të gjitha akuzave dhe denoncimeve që ka bërë ndaj kryeministrit Rama e qeverisë për korrupsion, bashkëpunim me krimin.

Basha zbulon strategjinë e opozitës: Prioritetet lufta kundër krimit në qeveri!

Kreu i PD-së Lulzim Basha fillimisht ka mbledhur grupin parlamentar në kuadër të nisjes së sesionit të ri në Kuvend. Sipas Bashës prioriteti i opozitës do të jetë çlirimi i qeverisjes nga krimi, ndërsa ka shtuar se Reforma në Drejtësi do të jetë një tjetër çështje me të cilën do të merret opozita. Sipas numrit 1 të demokratëve Rama ka shpëtuar nga Vetingu 11 gjyqtarë që janë të preferuarit e tij. Reforma në Drejtësi, e diskredituar. 11 gjyqtarë të paktën janë mbajtur jashtë rregullave. Të mbrojtur dhe lojtarë të Edi Ramës. Procesi i Vettingut është i korruptuar prej fillit. Filli i sesionit do të jetë nisje e transparencës për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që rrjeta e Vettingut nuk i kap, por i mban në drejtësi, ç’ka hedh në erë parimet kryesore të reformës. Synohet kapja e KLGJ dhe KLP dhe është fare e thjesht. Gjithçka po shkon më keq për shkak të korrupsionit galopant. Evidentimi i koncesioneve korruptive, marrja e masave.

Nuk zihen në gojë protestat e premtuara

Pas protestës së fundit të opozitës përpara 28 qershorit, kryetari Basha u zotua përpara elektoratit të opozitës se në shtator do të fillonin në gjithë Shqipërinë protestat për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Rama/ Mirëpo, dje, ndryshe nga ç’pritej, kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe opozita nuk kanë dhënë asnjë datë për mbajtjen e protestave. Reagimi i Bashës para deputetëve demokratë: Çlirimi i qeverisjes nga krimi është prioritet mbi gjithçka. Bashkëqeverisja e Ramës me krimin po shkatërron gjithçka.

Ja propozimet e Opozitës për kolapsin e drejtësisë

Në 13 shtator është planifikuar të diskutohet në seancën plenare edhe projektligji “Për Magjistraturën”, të cilin nuk e dekretoi Presidenti Meta. Opozita nuk e pranoi propozimin e Taulant Ballës, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, që të përgatiste amendamentin dhe ta votonin bashkërisht, meqë ky projektligj kërkon 84 vota. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, deputeti Edmond Spaho deklaroi, pas mbledhjes së Konferencës së kryetarëve të komisioneve parlamentare: Ngrita çështjen e reformës në drejtësi që ka dështuar. Jemi pa gjykatë kushtetuese, pa gjykatë të lartë, pa gjykatë të apelit, pa KLGJ, pa KLP, pa KED. Për 11 gjyqtarë dhe prokurorë për të cilët ONM kanë ngritur pretendime serioze për mosplotësimin e kritereve të vettingut. Sa i takon zgjidhjes, PD që në 2016 ka paraqitur propozimin që sikurse u miratua Kushtetuta me konsensus edhe 7 ligjet e reformës në drejtësi të miratohen me konsensus. Vetëm një u miratua me konsensus. Së fundi kemi propozuar rishikimin e paketës së 6 ligjeve, nuk mund të zgjidhen vetëm me shkollën e Magjistraturës. Kandidatët duan 2 vite të mbarojnë shkollën dhe niveli i njohurive të tyre dhe eksperienca e punës nuk është e atillë sa të punojnë në organe kaq të rëndësishme.

Opozita shkon në Shkodër pranë qytetarëve të terrorizuar

Gjatë muajve të fundit Shkodra jeton nën terrorin e krimit, ku kanë ndodhur vrasje të shumta, rrëmbime dhe ende Policia e Shtetit nuk i ka gjetur autorët e krimit dhe porositësit. Qarku i Shkodrës është kthyer gjatë muajve të fundit në një prej më problematikëve sa u takon krimeve kundër njerëzve duke shënuar viktima të shumta. Seria e vrasjeve u çel me ekzekutimin misterioz të Mehdi Kavaja u qëllua me plumb në kokë, ndërsa autori ende nuk është zbuluar. Më pas erdhi ekzekutimi mafioz i ish-policit Boran Bërçanës dhe bashkëshortes së tij, Silvana Ndoci, më 15 korrik. Më vonë erdhi vrasja e Fatbardh Licit në 10 gusht. Gëzim Hysaj, banues në Postribë të Shkodrës dhe Agron Mollaj, banues në fshatin Dobraç kanë 10 ditë që janë të zhdukur dhe policia nuk ka asnjë pistë apo të dyshuar. Biznesmeni Arjan Ferracaku do të qëllohej dhe do të vritej nga një breshëri kallashnikovi.

Opozita shpall platformën për 10 ditë. S’ka pjesëmarrje normale në Kuvend

Opozita e bashkuar ka bojkotuar seancën plenare në nisje të sesionit të ri. Kryetari i PD, Lulzim Basha së bashku me aleatët janë mbledhur në atë që e konsideruar si seancë të jashtëzakonshme në Shkodër, si mesazh ndaj qëndrese së krimit me mbështetje të politikës. Kreu i PD-së tha se sot kufiri midis krimit dhe qeverisë është shuar duke e akuzuar kryeministrin për bashkëpunim me bandën e Bajrave. “Rama bashkëpunoi haptazi me kriminelët në Shkodër në zgjedhjet bashkëpunoi haptazi me familjen Bajraj dhe tani ka humbur çdo fuqi për të imponuar ligjin. Rama është kryeministër në letër, kontrollin në Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier e Shijak nuk e ka policia, por bandat.

Strategjia e PD-së për të luftuar krimin

Basha foli për një platformë për t’iu përgjigjur situatës me krimin në vend. “Në këtë përpjekje, PD nuk ka e s’mund të ketë agjendë përveç shtypjes e çmontimit të krimit. Detyra jonë t’i bëjmë ata të tundin pizhamet me vija prapa hekurave dhe para drejtësisë. Detyra jonë është të gjejmë rrugët, aksionin dhe platformën politike për t’i dhënë fund kësaj gjendje dhe për t’i dhënë vendin siguri rend dhe demokraci”, – tha Basha.

Apel drejtorit të Policisë Shkodër: Jep dorëheqjen, largohu menjëherë!

Kreu i PD Lulzim Basha i ka bërë thirrje drejtorit të Policisë së Qarkut të japë dorëheqjen pas ngjarjeve të fundit në këtë rreth. Basha tha se në lagjet e Shkodrës, nuk lëvizet dot lirisht si të jemi në gjendje lufte. “Kontrollin e kanë bandat kriminelët dhe jo shteti. Dhe sot kam një thirrje, për drejtorin e policisë së qarkut: Jep dorëheqjen dhe largohu menjëherë ose do jesh fajtor si Rama. E vetmja që të shpëton nga përgjegjësia morale!”.