Basha me skenar të njëjtë në Kuvend: Rama po fsheh lajmin e keq për negociatat. Ruçi i ndërpret fjalën

435
Sigal

Ndërprerja e fjalës nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe mos lënia e foltores nga ana e liderit demokrat Lulzim Basha, është skenari që po përsëritet javë pas jave në seancat parlamentare të së enjteve.

Pas fjalës së Bashës, Ruçi i ka ndërprerë fjalën duke i thënë se koha mbaroi e megjithatë kreu opozitës nuk ka dashur të lirojë foltoren.

“Shqiptarët populli më pro-europian mbahet peng nga një kryeministër. Ai kërkon të fshehë të vërtetën për negociatat. Ai është informuar ashtu si edhe unë për një ngjarje me pasoja të tmerrshme për fatin e negociatave dhe integrimin e vendit. Por ka ardhur të fshehë të vërtetën, mbrëmë 24 orë pas samitit dhe takimit Merkel- Makron, kristian demokratët dhe kristiansocialët gjermane dhe partia simotër e PS kanë rakorduar qëndrimin e tyre për negociatat me vendin. Ashtu si Rama e di fare mirë,  lajmi nga ky rakordim është më i keqi që shqiptarët” tha Basha.

Pasi iu ndërpre fjala, kreu i PD e vijoi për disa sekonda në një lidhje LIVE në Facebook pasi Ruçi kërkoi 10 minuta pushim.

“Kjo që shikoni sot është falimenti moral i një mazhorance që erdhi me votat e drogës e krimit dhe jo me dëshirën e shqiptarëve. Shikoni si bojkotojnë Kuvendin. Rama asnjë ditë nuk ka qeverisur për shqiptarët,” tha Basha e më pas u ndërpre dhe lidhja në Facebook