Basha: Me Edi Ramën nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie, nuk ka drejtësi, nuk ka punësim, nuk ka integrim. Rama nuk ka asnjë zgjidhje për hallet dhe problemet tuaja. Ai është shkaku i tyre

927
Sigal

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA NË LAÇ

Mirëse ju gjej zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja!

Sot kisha programuar të kisha në qytetin e Laçit një ecje dhe bashkëbisedim me qytetarë, me sipërmarrës, me biznese, me të rinj, oor e shoh që, ajo që do të ishte një ecje, një bashkëbisedim është kthyer në një miting spontan, ku jemi bashkuar të gjithë me një zë dhe me një qëllim.

Nuk ka si të jetë ndryshe. Asgjë s’mund t’ju përçajë ju kurbinasit trima, njerëz të besës, të Zotit dhe të vlerave, asgjë s’mund t’ju hutojë ju, asgjë s’mund t’ju mposhtë ju.

Unë e di, kam ardhur këtu në mesin tuaj në mënyrë të vazhdueshme dhe i njoh problemet tuaja shumë mirë. E di se kjo zonë njerëzish trima dhe punëtorë, ka qenë shënjestër të oligarkisë dhe të bandave të Edi Ramës për t’ju lodhur, për t’iu varfëruar, për t’ju shtypur, për t’ju detyruar të largoheni nga shtëpitë tuaja.

 

E di që prej një viti nga 3500 familje në ndihmë ekonomike, gjysma prej tyre janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike, sepse Edi Ramës dhe kukullave të tij nuk u bëhet vonë për familjet e varfra të Kurbinit dhe të Shqipërisë. E di se ka dhjetëra fshatra që janë pa elektricitet, pa rrymë prej muajsh, sepse Edi Rama u ka prerë dritat. në vend që t’ju subvencionojë dhe t’ju japë para për të paguar faturën që e ka dyfishuar. Sepse ato para i do për veten e tij, banditët dhe oligarkët me të cilët hanë dhe pinë nga mëngjesi deri në darkë.

E di se spitali i qytetit tuaj është në gjendjen më të keqe sesa spitalet fushore të Luftës së Parë Botërore;  se lekët që duhet të shkojnë për ilaçe dhe për mjekë vilen nga oligarkët dhe Edi Rama dhe përfundojnë në xhepat e tij dhe në kontot e tij bankare. E di që buxheti i shtetit dhe taksat tuaja janë kthyer në burim pasurie për again e Surrelit dhe për miqtë e tij hajdutë me të cilët ka ardhur në pushtet dhe me të cilët mban pushtetin.

E di, të rinj dhe të reja të Kurbinit, që tani na kanë çelur sytë sot dhe jeni bashkë me baballarët dhe motrat tuaja. E di se 90% e maturantëve të Kurbinit nuk kanë mundësi të ndjekin studimet e larta, sepse familjet e tyre janë të papuna, sepse tarifat e studimeve universitare janë më të lartat në Europë. Jam këtu për t’ju thënë ju, rini e Kurbinit, se Partia Demokratike do t’i dalë zot fateve tuaja. Dhe ne do të hapim rrugën që çdo bijë dhe bir kurbinasi, që dëshiron ta ndjekë universitetin, të ketë mundësi që të ndjekë universitetin, pavarësisht prej të ardhurave të familjes së vet.

Shteti shqiptar mund dhe do të paguajë për arsimin tuaj. Mund dhe do të paguajë që ju të përgatiteni, që ju të futeni në jetë. Mund dhe do të paguajë që ju të mos mbeteni rrugëve, por të përfundoni studimet e larta, të gjeni punë dhe të jetoni me dinjitet në Kurbin, në Shqipëri në vendin tuaj.

Por zonja dhe zotërinj, këto probleme, sikundër problemet e mëdha të atyre që jetojnë në zona rurale dhe janë totalisht të braktisur nga kjo qeveri do të gjejnë zgjidhje vetëm kur të kemi një qeveri dhe një kryeministër që e ka lidhur fatin me ju, që ka ardhur në pushtet me votën tuaj dhe që kujdeset për fatet tuaja.

Sot gjithë bota e di që Edi Rama nuk është kryeministri i shqiptarëve, ai është kryeministër i krimit. Ai është kryeministri i Gjushit. Ai është kryeministri i bandave. Ai është kryeministër i oligarkëve. Ndaj nga mëngjesi deri në darkë ai kujdeset vetëm për aferat e tij, vetëm për punët e tij personale, për pasurimin e tij personal dhe si e si të mbrojë ata që e sollën në pushtet dhe ata nuk janë qytetarët shqiptarë, ata nuk janë as socialistët shqiptarë, ata janë kriminelët dhe oligarkët, një grusht njerëzish që kanë marrë peng qeverisjen e vendit.

Kjo është arsyeja që sa herë që ne çonim amendamente në Parlament për të rritur pensionet, për të ulur çmimin e energjisë, për të ulur çmimin e naftës, këta i rrëzonin. Sepse këta nuk kanë interesin tuaj në mendje dhe në zemër. Këta janë ulur në ato karrige, që nuk i meritojnë, vetëm për të grabitur, vetëm për të grabitur pasuritë tuaja dhe e shqiptarëve, për t’u pasuruar vetë dhe për të  ndarë pushtetin me ata që i kanë sjellë në pushtet.

Kjo nuk mund të vazhdojë më. Këtë e thoni ju, këtë e dëgjoj kudo që shkoj. Në Kavajë, në Shkodër, në Mallakastër, në Fier, në Lezhë, në Kurbin, në Tiranë ka një dhe vetëm një thirrje, koha e fjalëve ka mbaruar.

Ka ardhur koha që populli të marrë fatin e tij në dorë. Kanë kaluar 6 vite dhe e keqja vetëm sa është zhytur thellë dhe më thellë. Skandal pas skandali, aferë pas aferë, çdo ditë zbulohet se sa i lidhur është Edi Rama me krimin. Çdo ditë zbulohet se si qeveria e tij ligjet dhe rregullat i ka vetëm për të grabitur qytetarët dhe për të pasuruar kriminelët. Kjo qeverisje ka edhe një sllogan: grabit shumicën, pasuro pakicën.

Nuk ka zhvillim me Edi Ramën, nuk ka mirëqenie me Edi Ramën, nuk ka punësim me Edi Ramën, nuk ka Europë me Edi Ramën.

Sa kohë që të kemi një njeri si ai në krye të vendit, sa kohë që qeverisja të jetë e uzurpuar nga ai negociatat prapë nuk do të hapen për herë të tretë dhe vendi do të vazhdojë të braktiset e shpresa të vritet.

Unë nuk mund ta pranoj këtë. Partia Demokratike nuk mund ta pranojë këtë.  Unë dhe Partia Demokratike jemi të vendosur t’u dalim zot fateve të vendit, fateve të Kurbinit, fateve të rinisë shqiptare.

Ne i kemi planet dhe zgjidhjet për ju. Ne do t’ua marrim pasuritë deri në qindarkën e fundit oligarkëve dhe do t’ua kthejmë ju. Çdo kush që ka shkelur ligjin do të shkojë atje para drejtësisë dhe përpara hekurave duke filluar me të parin e qeverisë.

Por që të ndodhë kjo duhet të rikthejmë institucionet, duhet të rikthejmë ligjin dhe mbi të gjitha duhet të rikthejmë demokracinë. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes një qeverisje tranzitore,  një qeverie kalimtare dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në të cilat populli të shprehet lirisht për programin dhe planin që dëshiron të votojë.

Pra zonja dhe zotërinj, ju e dini se për çfarë qëndrojmë ne. Ne qëndrojmë për problemet e lirisë, demokracisë, punësimit dhe mirëqenies për qytetarët shqiptarë. Prej ditës së parë, plani ynë ekonomik, i cili është hartuar dhe ka mbështetjen e ekspertëve më të mirë të Europës, siç e patë ditën e premte me kryekëshilltarin ekonomik të partisë së Kancelares Merkel, që na qëndroi në krah dhe na ndihmoi ta zbatojmë këtë program prej ditës së parë, ditën e parë do të ulim me 300 lekë çmimin e naftës, do të heqim taksën Rama për naftën, do të rikthejmë fashën mbrojtëse të energjisë për popullsinë, do të kemi një çmim 30 deri ne 40 % më të ulët për energjinë për biznesin dhe prodhon dhe hap vende pune. Përsa i përket ndihmës ekonomike, Shqipëria, me qeverinë tone, do të ketë mundësinë, që asnjë familje të mos mbetet pa bukë, pa ujë dhe pa drita.

Punësim dhe mirëqenie. Punësim dhe mirëqenie për çdo shqiptar është prioriteti ynë kryesor. Për këtë ne kemi një alternativë dhe një program europian me mbështetjen europiane.

Por që të arrijmë tek ajo ditë, ne, Shqipëria dhe Europa ka nevojë për ndihmën tuaj. Ka nevojë për ndihmën e çdo qytetari që është i tejngopur me mashtrimet, premtimet dhe dështimet e kësaj qeverisje. Ka nevojë për revoltën e çdo qytetari që i thotë jo krimit dhe korrupsionit në pushtet. Ka nevojë për bashkimin e sovranit me 16 shkurt për t’i dhënë fund qeverisjes së bandave, për t’i dhënë fund qeverisjes së Edi Ramës.

Ndaj, me këtë ftesë dua t’i drejtohem të gjithë atyre që duan zgjidhje për problemet e përditshme. Me këtë ftesë dua t’ju shoh në sy dhe dua t’ju them të kini besim tek njëri-tjetri, kini besim tek Shqipëria, jepini dorën njëri tjetrit dhe ejani të gjithë në Tiranë me 16 shkurt!

Ndaj dita e ndryshimit po afron. E keqja është në fundin e ciklit të saj. Ndryshimi është në dorën tuaj. Drejtësia e vërtetë është në dorën tuaj. T’i japim fund kësaj bande. Të çlirojmë djemtë dhe vajzat tona nga padrejtësitë, nga makutët, nga hajdutët, nga ata që kanë ndërtuar mirëqenie mbi gjakun dhe djersën e shqiptarëve të pafajshëm. Të bashkohemi të gjithë dhe ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo bandë uzurpatore, të këpusim zinxhirët e varfërisë. Me 16 shkurt të gjithë në Tiranë.

Kështu do të bëjmë të mundur që t’u japim fund padrejtësive, t’i japim fund varfërisë, t’i japim fund pamundësisë.

Rrugët politike që kemi ndjekur deri më sot janë shteruar, por një gjë nuk shterohet kurrë. Parlamenti, qeveria, institucionet, nuk janë pronë e Edi Ramës, ato janë prona juaj, janë prona e sovranit dhe kur sovrani vendos t’i çliroje nga pengmarrësit, ka dhe do të ketë vetëm një përfundim, triumfi i vullnetit të përgjithshëm qytetar, të bashkuar, shqiptar.

Një thirrje të veçantë kam për dhjetëra, qindra socialistë që janë po kaq të dëshpëruar, të tradhtuar dhe të braktisur, nga ky kryeministër dhe nga kjo qeveri, të cilët i shërbejnë vetëm vetes së tyre dhe një grushti njerëzish.

16 shkurti është një ditë bashkimi kombëtar. 16 shkurti nuk është dita kur Partia Demokratike merr pushtetin, por është dita kur ne rrezojmë një pushtet i cili nuk është i popullit dhe nuk punon për popullin. Dhe pas kësaj, përmes një qeverie kalimtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme t’ju ftoj të gjithë të votoni programin tonë në mënyrë që qeveria e PD të nisë prej ditës së parë tu shërbejë ju, interesave tuaja, punësimit tuaj, dhe mirëqenies tuaj.

E di dhe kam dëgjuar gjatë këtyre ditëve zemërimin e shqiptarëve të ndershëm. Kam parë po kështu se si dëshpërimi dhe mungesa e shpresës i ka lënë vendin një shprese të re që po zgjohet. Po zgjohet kjo shpresë në veçanti kur jemi bashkë e kur shohim tek njëri tjetri se ndani të njëjtat halle dhe kërkoni të njëjtat zgjidhje. Nëse, kështu bashkë, vazhdojmë të qëndrojmë, e keqja i ka ditët e numëruara.

Është në dorën tuaj.

Zoti e bekoftë Kurbinin dhe Laçin.

Të gjithë bashkë me 16 shkurt. Zoti na ndihmoftë. Kisha e Laçit, Shna Ndout na ndihmoftë. Ti japim Shqipërisë alternativën europiane, të marrim fatin tonë në duart tona. Faleminderit dhe të gjithë në Tiranë me 16 shkurt.