Bankat penalizojnë Greqinë, krimi gjunjëzon Shqipërinë

505
Dje populli grek votoi në referendumin që u organizua në Greqi, dy pyetjeve, në se duan apo jo që qeveria të pranojë kushtet e TROJKA, domethënë të FMN, BE, BQE, për borxhin e saj. Përgjigja, jo ose po, u përcaktua, si qëndrim ose jo e Greqisë në EUROZONË. Populli grek iu përgjigj “Jo”, në masën mbi 66 %.
Bankat në Greqi janë të mbyllura, mbarojnë edhe eurotë
Që nga e hëna javës së shkuar, të gjitha bankat e nivelit të dytë në Greqi janë të mbyllura. Vetëm nëpërmjet ATM qytetarët mund të tërheqin një shumë të caktuar prej 60 euro në ditë, dhe 120 euro bizneset. Më 30 qershor mbaroi edhe afati i shlyerjes së këstit që Greqia i detyrohen FMN. Kjo pamundësi e Greqisë për të shlyer këstin ndaj FMN mund të shkaktohet edhe falimentimin teknikisht të Greqisë, megjithatë, FMN nuk e ndërmori këtë hap, duke pritur rezultatin e referendumit të djeshëm. Por, që nga data 30 qershor Banka Qëndrore Europiane, e ka ndërprerë ndihmesën e saj ndaj Bankës së Greqisë, çka do të thotë, që praktikisht edhe bankat e nivelit të dytë të Greqisë nuk kanë shumë rezerva të eurove në kartmonedhë, ndaj ka shumë të ngjarë, që këto rezerva monetare të mbarojnë shumë shpejt, madje, siç thonë shumë zëra në Greqi, ka shumë të ngjarë, që qysh nesër, bankat greke të mos kenë më asnjë kartmonedhë euro për të dhënë. 
Bankat penalizojnë turistët në Greqi
Meqë tashmë jemi në muajin e korrikut dhë në valën e turizmit, pasojat e mbylljes së bankave të nivelit të dytë në Greqi, veç të shumtave, janë më të dukshme edhe në turizëm, pasi për Greqinë, turizmi është shtylla kryesore e ekonomisë kombëtare, prioriteti parësor dhe burimi më i madh i të ardhurave të buxhetit të shtetit. Meqë javën që shkoi bankat e nivelit të dytë në Greqi u mbyllën dhe nëpërmjet ATM kryheshin veprime të kufizuara të tërheqjes së depozitave ( kontroll i kapitalit), shumë agjensi turistike të Europës dhe më gjerë, anulluan në panic të gjitha rezervimet e mëparshme që kishin bërë në hotelet turistike të Greqisë. Madje, edhe shumë turistë, të trembur nga mbyllja e bankave, ndërprenë para afatit pushimet e tyre në vendet turistike të Greqisë, duke ikur në panik. Kjo sepse turistët nuk mund të kryejnë më asnjë veprim me karvizat e tyre në bankat e nivelit të dytë të Greqisë. Ende nuk dihet sekur do të hapen bankat në Greqi, por përgjigja “JO” e referendumit të djeshëm grek, më shumë anon që Greqia të dalë edhe nga EUROZONA. Kjo do të kishte pasoja fatale ekonomike, sepse praktikisht është falimentimi i Greqisë dhe në qarkullim duhet të dalë një monedhë tjetër, gjë që do të vështirësojë shumë perspektivën e ardhjes së turistëve të huaj në Greqi, të paktën për këtë sezon turistik. Askush në Greqi nuk është më i sigurtë të thotë se kur mund të rihapen bankat, dhe a do të kenë më rezerva në euro që të bëjnë veprimet. Çdo gjë, tani e tutje mund të ndodhë, pa përjashtuar asnjë nga skenarët e tmerrit dhe të frikës, që mund të sjellë falimentimi i Greqisë dhe dalja e saj jashtë EUROZONA dhe ndërprerja e ndihmesave financiare të FMN dhe të BQE. 
Mungesa e infrastrukturës dhe krimi kanë vrarë turizmin në Shqipëri
Turistët e huaj (por edhe vendas) në panik po largohen nga Greqia, anullojnë rezervimet e tyre në destinacionet e Greqisë, mirëpo asnjë prej tyre nuk vjen në Shqipëri, edhe pse ne kemi të njëjtin det e klimë mesdhetare me Greqinë, edhe pse jemi kaq afër me Greqinë. Kjo ka disa shkaqe. Së pari, ende në Shqipëri mungon infrastruktura që mund të lehtësojë dhe ndihmojë turistët që të vijnë e të ndihen lirshëm në Shqipëri. Së dyti, edhe tani, në korrik, në zonat turistike mungon uji dhe drita elektrike, thua se jemi ende në 1990. Pardje zona turistike e Borshit nuk kishte ujin e pishëm, edhe pse dhjetëra metra më larg, një lumë i tërë i ujit të pishëm derdhet në det. Kështu ndodh edhe në Vlorë dhe në rrethinat turistike të Vlorës, ku mungon uji i pishëm, dhe të shpejta janë edhe ndërprerjet e energjisë elektrike edhe në ditët e korrikut, pavarësisht se nuk kemi stuhitë e dimrit që të justifikohet përgjegjësit. Kur këto mungesa të ujit të pishëm e energjisë elektrike mungojnë në qytetin kryesor të turizmit, imagjino sa janë këto mungesa në zonat e tjera bregdetare. Një tjetër shkak që turistët të mos preferojnë bregdetin tonë është edhe ndotja e madhe. Kështu në Dhërmi edhe uji deti është i ndotur, por edhe sheshet e plazhit
Së dyti, krimi po gjunjëzon Shqipërinë në sytë e europianëve, të turistëve, që duan të vijnë në Shqipëri. Vrasja makabre e 2 turistëve çekë në afërsi të Shkodrës, dëshmoi që rendi e siguria publike në Shqipëri është e kërcënuar për këdo. Sepse, krimi ka gjunjëzuar shtetin, derisa cilido mund të kryejë krimin, kudo, ndaj gjithkund, pa patur asnjë garanci e siguri nga policia e Shtetit që të parandalojë kriminelët. Si ka mundësi që edhe pse dihet që zona ku u krye krimi makabër ndaj turistëve çekë, është zonë turistike dhe policia nuk mundet që të garantojë sigurinë e turistëve? Nëse atje do të kishte prani fizike të policisë së Shtetit, edhe kriminelët nuk do të guxojnë të kryejnë krimet në mes të rrugës, e ca më tepër ndaj turistëve. Vërtet që krimi mund të ndodhë kudo, por jo ashtu siç u vranë turistët çekë në afërsi të Shkodrës, në një zonë turistike, ku mungon plotësisht prania e policisë së Shtetit. Prandaj, turistët, edhe pse braktisën Greqinë, nuk preferojnë që të vijnë në Shqipëri, sepse shikojnë, dëgjojnë e binden që krimi ka gjunjëzuar shtetin shqiptar. 
Sigal