Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi se marrëveshja e nënshkruar sot me Bankën Europiane të Investimeve për financimin e projektit të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë vendos një tjetër gur kilometrik në zhvillimin e transportit hekurudhor.
Në një deklaratë për mediet, pas nënshkrimit në Tiranë të marrëveshjes me drejtorin e Bankës Europiane për Investime, Lionel Rapaille, Balluku vlerësoi se ndërtimi i hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, nis një rrugëtim që do të bashkohet e ndërlidhet edhe me autostradat apo autostradën energjetike që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut.
“Të gjithë këta komponentë po plotësojnë një pazëll të transportit hekurudhor, një nga transportet më të rëndësishme për BE-në, duke qenë se ai ofron eficiencë financiare për çdo qytetar dhe nga ana tjetër është miqësor me mjedisin”, deklaroi Balluku.
Zv.kryeministrja informoi se edhe segmenti hekurudhor Tiranë – Durrës është në hapat e fundit të ndërtimit dhe do të dorëzohet brenda këtij viti, duke i lënë vitit 2026 plotësimin e komponentëve të tjerë, atë të elektrifikimit të saj dhe krijimin e stokut të vagonëve dhe lokomotivave që do të operojnë.
Njëkohësisht informoi se gjatë vitit 2025 nis ndërtimi i hekurudhës Vorë – Hani i Hotit, një nga segmentet më të rëndësishme ndërlidhëse të rajonit.
Ky segment sipas saj, përfundon në 2029-ën.
Balluku tha se shumë shpejt do të prezantohet edhe projekti i Hekurudhës së Kombit.
“Në ditët në vijim do të kemi edhe një prezantim të projektit kombëtar, me interes shumë të madh për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë e Kosovës. Bëhet fjalë për Hekurudhën e Kombit që do të prezantohet në Shkodër, ku do të jetë dhe stacioni nga Shkodra për në Gjakovë”, deklaroi Balluku.
Brenda vitit, shtoi ajo, do të kemi një projekt të plotë të segmentit hekurudhor Durrës – Rrogozhinë, që parashikohet të dorëzohet si vepër në 2028.
Ky segment, vuri në dukje Balluku, do të pasohet edhe nga segmenti Rrogozhinë – Pogradec që do të dorëzohet në 2029-ën.
“Këto projekte strategjike kombëtare dhe rajonale e përafrojnë Shqipërinë akoma më shumë drejt ëndrrës së saj të Bashkimit Europian”, deklaroi zv.kryeministrja.
Gjatë vizitës zyrtare të përfaqësueses së lartë për Punët e Jashtme dhe të Sigurisë dhe zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Kaja Kallas, në Shqipëri, u nënshkrua një paketë financiare e BE-së me vlerë 90,5 euro për rindërtimin e seksionit hekurudhor Durrës – Rrogozhinë, ndërmjet Bankës Evropiane të Investimeve (BEI Globale) dhe qeverisë së Shqipërisë. Fondet përbëhen nga një grant i BE-së me vlerë 60,5 milionë euro, i kanalizuar në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP) dhe një hua prej 30 milionë eurosh nga BEI Globale.
Fondet do të mundësojnë modernizimin e një linje hekurudhore me gjatësi 34 km midis portit të Durrësit dhe Rrogozhinës në Shqipërinë qendrore, e cila shtrihet në Korridorin VIII multimodal që lidh portet e Italisë jugore, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
Projekti është i një rëndësie strategjike, si zgjerim tregues i rrjetit TEN-T dhe është pjesë e planit ekonomik dhe të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Kostoja totale e projektit është vlerësuar në 121 milionë euro, e bashkëfinancuar me një hua prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Korridori VIII, 172 km i gjatë, është një korridor që nuk i shërben vetëm Shqipërisë. Ai është një korridor energjetik dhe infrastrukturor, që lidh Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe përfundon në Bullgari.