Në fundjavë zëvendëskryeministrja Belinda Balluku njëherësh edhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë vizitoi së bashku me drejtuese të tjerë një grup fermerësh në fshatin Suç të bashkisë Klos. Gjatë vizitës ata panë nga afër nismën e konkretizuar të tyre atë të krijimit të një sipërfaqeje me vreshtari të cilën e kanë ngritur së bashku. Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit vizituan investimin e realizuar ku biseduan edhe me fermerët të cilët kanë marrë këtë iniciativë. Sipas tyre ky bashkim fermerësh është një shembull i mirë pasi krijon mundësi që jo vetëm të zgjerojnë sipërfaqet e mbjella, por të ulin edhe kostot, si dhe krijon akses për të tërhequr më tepër paketa mbështetëse. “Këtu kemi një Shoqëri të Bashkuar Bujqësore, ajo që ne mundohemi ta promovojmë dhe mundohemi të themi që nëse ju krijoni këtë Shoqëri të Bashkuar Bujqësore do jetë shumë më lehtë që të keni akses në paketat e subvencioneve”, tha Belinda Balluku. Duke shprehur mbështetjen për të gjitha këto iniciativa, zëvendëskryeministrja bëri të ditur se “Qeveria shqiptare është duke punuar për të zgjidhur një herë e mirë problematikën e pronësisë së tokës bujqësore që ju bënë pastaj të mundshme edhe të gjitha subvencionet dhe mbështetjet financiare”. Bashkimi i fermerëve krijon mundësi edhe për automatizimin e proceseve dhe kështu në skemën e subvencioneve Shoqërive të Bashkuar Bujqësore kanë mundësi të përfitojnë mbështetje të plotë financiare. Kjo nismë u mundësua me mbështetjen edhe të Dioqezës Rrëshen. Në këtë hapësirë fermëret e fshatit Suç kanë kultivuar një sipërfaqe prej afro 4 hektarësh me vreshtari duke përzgjedhur për të kultivuar një varietet, i cili i përshtatet terrenit të zonës, ndërsa synohet që të zgjerohet sipërfaqja e mbjellë, ku përfshihet edhe ndërtimi i një kantine vere.
Nxitje për talentët e rinj të Fierit, Balla: Konkursi synon mbështetje për të rinjtë
Nën moton “Shqipëria e ardhmja jonë”, të dielën drejtuesi politik i qarkut të Fierit për Partinë Socialiste njëherësh edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla ndau momente nga ajo që është duke u zhvilluar në qytetin e Fierit; një ekspozitë që lidhet me zhvillimin për herë të parë të një konkursi për të rinjtë dhe talentet e reja të Fierit që do të quhet STEAM+. Ky konkurs synon mbështetjen e të rinjve të talentuar të të gjithë qarkut Fier dhe në vetvete konkursi është i përceptuar në formën e një ekspozite ku prezantohen punimet e nxënësve të gjimnazeve të qarkut. Në përfundim të konkursit do të përzgjidhen 6 projekte. Për këtë Ministri Balla tha në një reagim: “Në Fier zhvillohet “Konkursi i parë STEAM+ për talentet e reja” i cili synon mbështetjen e të rinjve talente të gjithë qarkut. Në këtë konkurs marrin pjesë nxënësit e dalluar në Shkenca Natyre (Biologji, Kimi, Matematikë, Fizikë), Inxhinieri (Robotikë, Elektronikë, Mekatronikë, Elektrikë, Ndërtim) TIK (IT, Programim, Databazë), Arkitekturë-Design, Arte dhe Krijimtari, nga të gjitha shkollat e mesme të Qarkut të Fierit. Në përfundim do të përzgjidhen 6 projekte finaliste, të cilët do të marrin pjesë tek konkursi final “National Steam Competition 2024”, tha drejtuesi politik i qarkut Taulant Balla.






















