Avokatura e Shtetit me heshtje mafioze. Refuzon ti japë informacion Presidentit të Republikës

279
Sigal

Ndërsa kryeministri Edi Rama vijonte mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës, presidenti Ilir Meta në komunikimin përjavshëm me mediat në Presidencë dha alarmin për rrënimin e financave të vendit nga detyrimet e shkaktura nga humbja e çështjeve në Arbitrazh.

Ai ju referua kompanisë Kurum, e cila ka paditur Shqipërinë në arbitrazh ndërkombëtar, duke kërkuar një dëmshpërblim me vlerë të raportuar prej 100 milionë euro për prishjen e kontratës së terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit.
“Padia kundër shtetit shqiptar nga një ivestitor i huaj në vendin tonë që sipas mediave kërkon 100 mln euro dëmshpërblim. Përfaqësimi dhe mbrojtja e Shqipërisë në gjykatat e arbitrazhit ndërkomvbtar është kthyer në rrezik të madh shtetëror dhe ekonomik”.

Meta tha se ka kërkuar informacion nga Avokatura e Shtetit që me 13 korrik të këtij viti kur çështja u publikua në media por nuk ka asnjë përgjigje edhe pse kanë kaluar dy muaj e gjysmë.

“I kam kërkuar Avokaturës së Shtetit të dhëna për numrin e çështjeve dhe strukturën që ndjek, numrin e çështjeve të fituara dhe të humbura, të dhëna mbi efektin financiar, shpenzimet administrative. Nuk ka infirmacion prej dy muaj e gjysmë” tha ai.

Kreu i shtetit tha se pas heshtjes fshihen qëllime të errëta ndaj dhe apeli ishte i qartë.

“Heshtje e plotë. Kjo nuk tregon paaftësi dhe papërgjegjshmëri por përpjekje e hapur për të fshehur informacionin për detyrimet e shtetit ndaj çështjeve të humbura në Arbitrazh.Kur Avokatura guxon të mos i kthejë përgjigje presidentit tregon se brenda saj përfshiohet një qëllim kriminal dhe do të japë përgjegjësi”.

Ai ngriti edhe shqetësimin për marrjen e borxheve dhe theksoi se është koha për të parandaluar rënien në humnerë të vendit.

“Nuk duhet të vihemi para skenarëve të errët që rëndojnë më shumë financat publike.Koha për parandalimin e rënies në humnerë të vendit është tani. I bëj thirrje kryeministrit, Avokaturës së Shtetit dhe ministres së Financave të bëjnë transparencë dhe të mbajnë në konsideratë që po shoh çdo kërkesë për të marrë borxhe.Shteti shqiptar nuk mund të marrë borxhe pa fund dhe të rrëzohet prej tyre”