Avokatët e Ahmetajt mesazh deputetëve

 Dy zgjedhje ka mbi tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e Revolucionit. Opozita: Arratisja e Ahmetaj me bekimin e krerëve të rilindjes, mes tyre po zhvillohen negociata. Zbardhen debatet brenda pozitës, lidhjet e ministrave me Zoton e Gugallen dhe prishja e provave

Zbardhet mbrojtja e avokatëve të Arben Ahmetajt, në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e këtij të fundit. Ndër të tjera në argumentet e avokatëve të Ahmetajt, thuhet se për tre akuzat, që ndaj deputetit, “prokurorët i lidhin faktet me hetimin e procedurave për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, por nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të na i parashtrojnë’. “E di shumë mirë që krahasimet çalojnë, por teksa po shkruanim këtë parashtrim mbrojtës, më erdhi në mendje një ndodhi në Francën e fundshekullit XVIII, kur në Konventë po vendosej fati i Luigjit 16-të. Natyrisht deputeti Ahmetaj nuk është mbreti i Francës, mbrojtjes së të cilit iu dha katër ditë kohë. Mua dhe kolegut Visha na u dhanë vetëm disa orë. Në fund, avokati De Sèze tha: “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë: ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e Revolucionit”, thuhet në mbrojtjen e avokatëve në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Mbrojtja konteston faktet penale të korrupsionit, që i atribuohen deputetit dhe kërkon sqarime konkrete rreth veprave kriminale dhe lidhjeve të tij me procedurat për inceneratorët. Ata theksojnë se hetuesit kanë kaluar në sferën e jetës private dhe financiare të ish-ministrit, duke filluar hetimin e personit në vend të faktit penal. Po ashtu avokatët kundërshtojnë qëndrimin e prokurorisë për procedurën e negociimit dhe moskonsiderimin e çështjeve teknike në propozimet e shoqërive.

NOA

Mashtroi në Parlament, zbulohet lidhja e Stela Gugalles me Elisa Spiropalin

Në seancën parlamentare të së enjtes, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi se Klodian Zoto, njëri nga njerëzit kryesorë të aferës së inceneratorëve, ka qenë këshilltar i bashkëshortit të ministres Elisa Spiropali, Salarjon Totaj, gjatë kohës kur ky i fundit ka qenë drejtor i Ujësjellësit në Fier. “Zoto paska qenë këshilltar i Salarjanit, bashkëshortit të Elisës. Në çdo sirtar që hapni ju del Zoto dhe Mërtiri”, theksoi Berisha. Vetë Spiropali i mohoi këto akuza, duke thënë se as bashkëshorti i saj dhe as vetë ajo nuk kanë lidhje me inceneratorët dhe njerëzit e tyre. “Bashkëshorti im ka qenë drejtor Ujësjellësi nuk ka lidhje as në këtë botë e as në atë botë, në qiell apo tokë, me inceneratorët”, u shpreh ministrja. Prokuroria e Posaçme ka konstatuar se biznesmeni në kërkim, Klodian Zoto, i konsideruar si një prej personave kyç të aferës së inceneratorëve, ka shërbyer si këshilltar i drejtorit të Ujësjellësit të Fierit në periudhën nga janari 2013 deri në gusht 2014.  SPAK-u ka evidentuar se emërimi i Zotos në Ujësjellësin e Fierit është nënshkruar nga drejtori i asaj kohe, Salarjon Totaj. Salarjoni është bashkëshorti i Ministres së Shtetit, Elisa Spiropali. Emërimi si këshilltar i një individi është në tagrin e titullarit të institucionit dhe nuk do të kishte asnjë lloj problemi, nëse nuk do të zbulohej se ortakët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, kanë pasur interesa të rëndësishme financiare tek Ujësjellësi i Fierit. Prokuroria e Posaçme ka identifikuar se shoqëria “Teo Alb” ka fituar kontratën për vendosjen e matësve të ujit me sistem elektronik kanë shkuar në Fier. Sipas të dhënave të siguruara nga SPAK, shoqëria “Teo Alb” i ka shitur Ujësjellësit të Fierit shërbime në vlerë 391.228.156 lekë të rinj ose mbi 3.5 milionë euro. Kompania “Teo Alb” ka lidhje të ngushta ortakërie me shoqërinë “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos, që në atë kohë ishte këshilltar i burrit të Elisa Spiropalit. Po ashtu, “Teo Alb” ka lidhje edhe me miqtë e ngushtë dhe bashkëpunëtorët e Zotos, konkretisht Mirel Mërtirin dhe bashkëjetuesen e këtij të fundit, Stela Gugallja. SPAK ka zbuluar se Mirel Mërtiri ka qenë i punësuar në kompaninë “Teo Alb”. Po ashtu, edhe Stela Gugallja ka rezultuar si e punësuar pranë shoqërinë “Teo Alb” që ka marrë 3.5 mln euro nga Ujësjellësi i Fierit.