Av.Kujtim Cakrani: Drejtësia e re me ish persekutorë  të drejtësisë komuniste dhe ish informatorë të sigurimit të shtetit

129
Sigal

Dy ditë më parë ishte përvjetori i rënies së murit të Berlinit, i cili për afro 45 vjet mbajti të ndarë Europën. Natyrisht muri ra, por në disa vende të ish lindjes komuniste akoma nuk ka rënë mentaliteti dhe nuk janë ndëshkuar as penalisht as moralisht ideatorët dhe autorët e kësaj ndarje. Në Shqipëri regjimi ishte shumë më barbar se në çdo vend tjetër të Evropës lindore, por fatkeqësisht asnjë nga ish nomenklatura e lartë nuk mbajti përgjegjësi dhe nuk doli para drejtësisë. Në fakt krejt e kundërta ndodhi. Ish prokurorët dhe gjyqtarët, që i shërbyen atij regjimi sot po promovohen duke kapur majat e sistemit të ri të drejtësisë. Kjo sjellje tregon cinizëm ndaj viktimave, sepse atyre po ju bëhet karshillëk me promovimin e persekutorëve në majat e sistemit të drejtësisë. Kjo vërteton faktin se vërtet muri i ndarjes së dy botëve ra, por nuk u arrit dot drejtësia dhe paqja sociale. Viktimat sot presin drejtësi nga persekutorët e djeshëm. Kjo është e papranueshme dhe e paprecedentë në botën e qytetëruar. Prandaj shqiptarët e kanë humbur besimin tek drejtësia pasi sot në kupolën e saj janë ata që mbajtën në këmbë murin e Berlinit. Para disa ditësh në Kuvendin e Shqipërisë kaluan ndryshimet në ligjin për hapjen e Dosjeve, dhe ku maxhoranca me disa deputetë të shitur e quajtën këtë një fitore të madhe për të vënë në vend drejtësinë e munguar, propagandë boshe. Kjo e vërtetuar, pasi nga zhvillimet e fundit kanë dalë në dritë shumë fakte nga ku personazhe të institucioneve të drejtësisë kanë dalë se janë ish informatorë apo spiunë të sigurimit të shtetit. E turpshme, e patolerueshme që në postet drejtuese të drejtësisë së gjoja të re të ketë ish spiunë apo informatorë të regjimit komunist.