Astrit Çerma/ A mund të bëjnë reformën në drejtësi edhe ajka edhe …hirra?

474
Sigal

Astrit Çerma, Artisti i Merituar, në intervistën për gazetën “Telegraf”, me satirën e tij të njohur, fishhkullon mëndjemadhësinë e kryeministrit tonë, për mungesën e analizave dhe nxjerres së mësimeve politike të votës në 21 Qershor, por edhe të hedhjes në kosh të premtimeve elektorale. Të tilla politike të kryetarëve të partive, thotë zoti Çerma, bëjnë që minorancat, sa marrin pushtetin nga vota e popullit, çojnë në minorancë popullin, duke injoruar zgjidhjen e problemeve. Ndërsa për ligjbërësit që do të bëjnë reformën në drejtsi Artisti i Merituar Astrit Çerma, jo vetëm është pesimist, por thotë se” Ka zëra sa andej e kendej, se këta s’janë vetëm ajkë, po janë edhe hirrë. Sa midis tyre ka edhe qylaxhinj, burgaxhinj, dallaverexhinj, qelepirxhinj, fajdexhinj, delenxhinj. Eh. Aq më mirë akoma.”Pyka nxirret me pykë”.- na thotë historia”.

-Zoti Çerma, kryeministri Rama rezultatin e 21 qershorit e cilësoi fitore spektakulare, kur faktikisht PS humbi 311.321 vota në krahasim me 2013. Edhe pse fitoi bashkite, a mund të vlerësohet kështu fitorja?

– Zakonisht, fitoret tona të gjitha historikisht janë quajtur “Historike”, kështu që, për të mos përsëritur historin e “historiçkave”, kryeministri ynë që, do s’do nuk shkëputet dot nga bojrat, (si dikur kryebashkiak) i quajti “spektakulare”. Kjo është një risi…Pastaj…Ç’është kjo fjalë…humbje?!. Ku humbet partia ndonjëherë tek ne? Ç’është ky turp që kërkoni t’i vini si njollë, edhe vendit edhe popullit?! Ke degjuar zotrote, të humbasë ndonjë Parti për këtë çerek shekulli? Bahhh. Zotërinj, vëreni vath në vesh: “Nuk ka humbur partia 311.321…votues. Jooo. Kanë humbur 311321 votuesit… partinë”… Në qafë paçin veten, se partitë kanë rrojtur e do të rrojnë…Gjallë është partia e Gjinushit, gjallë e Mehdiut, gjallë e Milos…47 parti, shumica me anëtarë të humbur morrën pjesë në zgjedhje dhe të gjitha fituan…Shihini këshillat bashkiake sa anëtar kanë e sa parti përfaqësojnë…Bile, një parti në bashkinë e kryeqytetit vërtet i ka humbur të gjithë anëtarët, ama fitoi një ndër pesë nënkretarët e bashkisë. Përqindia e partive tek keshillat e të gjithe niveleve rezulton mbi 100 e ca përqind. Ka anëtar që përfaqësojnë edhe dy edhe tre parti, varet nga kualicioni para e mbas zgjedhjeve. Sa për fitoren, vërtetë humbi PS, po ka fituar LSI. “Suksesi” brenda qeverisë mbeti. Fitore dhe fitore madhështore bile, simbas hesapeve të fallxhive brenda partive, fituan edhe ata që humbën. Sa për atë “humbjen” e 311.321. Ehhh. Është vetëm “gabim numëror”, që besoj në zgjedhjet e ardhëshme, ato të “mëdhat” për “krerët” e vendit, me vullnetin e qeverisë, me përkushtimin e militanteve, po edhe me vetmohimin e vetë 311 321 votuesëve, që do të harrojne për kë kanë votuar, gabimi do të ndreqet..
.
– A mendoni se populli derisa i dha maxhorances votat me shume e beri kete ngaqe eshte shume i kenaqur nga qeverisja e deritanishme?

– Pa tjetër. Është i kënaqur. Bile, bile, tepër i kënaqur. Sepse, në fund të fundit, populli ishte i detyruar të ishte i kënaqur. Sepse, po të mos ishte “shumë i kënaqur” populli kujt do t’ia jipte?! Ëëëë?! Kujt?! E ka ngrënë gjithmonë, i shkreti popull; “Kur votat ia ka dhënë “minorancës”, minoranca, sapo është bërë “maxhorancë”, popullin e ka kaluar në “minorancë”. Kështu, që kësaj here bëri një eksperiment: Ja dha (ato…votat) maxhorancës. Ishalla nuk kthehet në minorancë. Po bëri vaki kjo, “o-po-zi-ta” duhet të bëhet që para zgjedhjeve maxhorancë ndryshe, e hëngri prapë…

– Shqiptarët ikin me shumicë azilantë në Europë, kur ndërkohë qeveria lavdërohet për rritje të punesimit e të zhvillimit ekonomik. Atëhere, përse azilojnë shqiptarët sot?

– Unë nuk e kuptoj përse akuzohet qeveria shqiptare dhe kryeminstri i saj shqiptar për “ikjen” e shqiptarëve?! Më falni po…Ku venë shqiptarët? Ku? Ëëëë?. Në Gjermani po venë, askund tjetër. Në atë Gjermani ku, para pak vitesh, nën udheheqjen e ish qeverisë së Saliut, në drejtim të punësimit e të zhvillimit ekonomik e arritëm dhe tej kaluam. A po, jo?.U mësua populli i varfër me atë nivel dhe sapo ai niveli lëvizi pak për tëposht, populli mori për përpjetë. Po, pse ra niveli?! Eh…Po fukarenjë janë edhe këta që morrën pushtetin. Edhe këta kanë halle. Në atë kohën tonë rrefehej si punë barcolete pushimi nga puna i fatorinos që vidhte parat e pasagjerve. Kur ja komunikuan vendimin, tha;- Si ore do më pushoni?! Jeni në vete, apo jo? Unë televizorin, frigoriferin, lavatriçen, dhomën e gjumit e parat e thata më një anë i kam siguruar. Tani vjedh vetëm për “qef”. Ai i riu që do të më zëvendësojë, do të filloj si unë dikur nga fillimi. Do t’i rrjepi pasagjerët”. Kështu edhe këta “të rinjtë’ qeveritarë. Sa për atë “lavdërimin e punësimit dhe të zhvillimit ekonomik”, këtë “formulë” çdo qeveri që ikën ja lë trashëgim qeverisë që vjen. Është si punë stafete.

– Kemi arsye që duhet të besojmë se me votimin e kësaj reforme në drejtësi, do të kryehet edhe lufta kunder kriminalizimit e korrupsionit?

– As nuk e diskutoj fare. Për këtë problem madhor Kryministri e ka kapur demin e tërbuar të korrupsionit dhe krimit, jo vetëm prej brirësh, por edhe prej t…sh. Ja Kuvendi urgjentisht i hapi dritën jeshile nisjes së punës për “REFORMËN në SISTEMIN e DREJTESISË….Parlamentarët tanë njëzëri zgjodhën ajkën e tyre, Fatin e të Majtës, Likën, Pandin, Ulin, Edin, Erdin, Benin, Gentin,e dhe së fundi Fatin e së Djathtës. Ka zëra sa andej e kendej, se këta s’janë vetëm ajkë, po janë edhe hirrë. Sa midis tyre ka edhe qylaxhinj, burgaxhinj, dallaverexhinj, qelepirxhinj, fajdexhinj, delenxhinj. Eh. Aq më mirë akoma. “Pyka nxirret me pykë”.- na thotë historia. Ja, gjithë gushtin, ajka bashkë me hirrën do shëllehen në plazhe, në shtator do t’i vëne pikat mbi “I”, qoftë ajkës e qoftë hirrës, në tetor Kuvendi do të votojë platformën e ajkës e të hirrës, në nëntor Presidenti, do, s’do, do ta dekretojë vendimet e ajkës e të hirrës, se ndryshe, qoftë majtas e qoftë djadhtas, do ta kritikojnë, siç kritikojnë atë që prishi dikur bashkëpunimin e Mukjen, mes ajkës e hirrës dhe në dhjetor Kryeministri do t’i hyj vënçe korrupsionit dhe krimit tek ajka dhe tek hirra…

– Kryetari aktual i PS, Rama tha në Asamblenë Kombëtare, që kur fitohen zgjedhjet kombëtare parlamentare, nuk ka më nevojë të bëhen zgjedhje në PS për kryetarin. Kjo a nuk është shkelje e demokracisë së brendshme të partisë?

– Drejtë e ka. Ç’është kjo? Jemi në demokraci. Demokracinë e kërkuam dhe e arritëm, duke e shkatërruar me themel diktaturën, pikërisht të “Sekretarit të parë të partisë” dhe jo të “Kryetarit të parë të partisë”. Ju lutem. Mos i cimbisni “krye-tarët” se cimbisni direkt demokracinë. Pluhuralizmin. Jo më kot rapsodi i Partisë ka kënduar e këndon këndon: “Lartë e më lartë ushton jehona: Rrnofsh o “Krye” sa malet tona! Edhe Krye- ministër, edhe Krye-antar. Shqipja jonë me dy krena në flamurin kombëtar”. Ziliqarët flasin për shkelje!! Çfarë shkelje?! Ore zotëri! Atje ku ka shkelje, ka dhimbje dhe rrjedhimisht ka edhe britma. Unë s’kam degjuar ndonjë britëm. Thërret e gërthet ndonjëherë Blushi, por, sipas estetëve, brenda e jashtë partisë, ai dhimbjet më shumë i ka “figura letrare”. Pastaj, dale një herë. Ç’janë këto “harxhime” të kota per zgjedhjen a rizgjedhjen e kryetarit? Thomëni:- Deri më sot, edhe në humbje, edhe në fitore, kur dhe ku ka dalë burrë nëne, njerkë a dashnore brenda partisë që të rrëzojë një kryetar? E të gjithë në këmbë, përjashto ata që kanë tallur bythën e kanë bërë sikur janë rrëzuar.

– Kur kryetari i PS shkel demokracinë e brendshme të PS, a mund të respektojë e zbatojë demokracinë në qeverisje si kryeminstër?

– Më falni, po ju kërkoni nga kryeministri të mbaj si brenda partisë, ashtu edhe jashtë saj “dy kunguj në një sqetull”. Edhe “të respektoj”, edhe “të zbatoj”!! Më falni po…Kjo është e pa mundur. Ndaj, kryeministri, me të drejtë, ka ndërthurur…alternimin. Herë brenda partisë zbaton demokracinë, ndërsa jashtë saj vetëm e respekton dhe herë bën të kundërtën. Brenda e respekton – jashtë e zbaton.