Arben Ristani emërohet zëvendësministër i Brendshëm

439
Sigal

Qeveria/ Ish-Kryetari të KQZ-së, vetëm një javë pasi la detyrën, i është besuar një post më i rëndësishëm

Qeveria në mbledhjen e saj të radhës ka marrë dje një sërë vendimesh, ndër të cilët bie në sy emërimi i ish-kryetarit të KQZ-së, Arben Ristanit, në postin e zëvendësministrit të Brendshëm. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendos: Z. Arben Ristani emërohet zëvendësministër i Brendshëm”, thuhet në vendimin e qeverisë, i cili hyn në fuqi menjëherë. Ristani është kritikuar si asnjë paraardhës i tij në krye të KQZ-së, sidomos me masakrën elektorale që u bë me dy palë zgjedhjet e fundit. Opozita e ka drejtuar gjithnjë gishtin nga Ristani për manipulim të rezultateve në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s dhe në zgjedhjet vendore të 2011-ës. Pak a shumë këtë opinion kanë ndarë edhe ndërkombëtarët, vëzhguesit e OSBE-së dhe ODIHR-it, por edhe ekspertët amerikanë, në raportet që kanë dhënë për këto zgjedhje. Zëvendësimi i Ristanit nga një zonjë, u shoqërua me një fjalim patetik i Kryeministrit Berisha, i cili, përkundër opinionit të përgjithshëm dhe raporteve ndërkombëtarëve, e ka vlerësoi lart ish- kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, për punën e bërë. Berisha la të nënkuptohet se Ristani do jetë pranë tij. Ai shtoi se Ristanin do e ketë pranë në betejat kundër PS-së. Dhe nuk vonoi as një javë dhe Ristanit iu gjet vendi: Zëvendësministër i dikasterit që pretendohet se do të kontrollojë dhe garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme në vitin e ardhshëm. Ministria e Brendshme blindohet në këtë mënyrë, duke mbajtur rekordin me 4 zëvendësministra, në krahasim me dikasteret e tjera. Padyshim që emërimi i tij në kupolën e Ministrisë së Brendshme do të shtojë pikëpyetjet për fatin e zgjedhjeve të ardhshme.

Qeveria vendos kthimin në atdhe të eshtrave të Ahmet Zogut

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e djeshme, vendosi kthimin në atdhe të eshtrave të ish Mbretit Ahmet Zogu. Për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e Mbretit Zog I, ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Republikën Franceze. Qeveria vendosi që ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave të Ahmet Zogut të organizohet më 17 Nëntor 2012. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme.