Arben Çuko: Ja përse kryeministri nuk shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e përmbytura

476
Sigal

Deputeti  i Qarkut të Fierit, Arben Çuko, në intervistën për “Telegraf”, sqaron se përmbytjet në Fier dhe Vlorë janë pasojë e egërsimit të motit, ndërsa pushteti qendror dhe vendor e përballuan fatkeqësinë natyrore. Sipas zotit Çuko, kryeministri Rama nuk shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, pasi situata jo vetëm u përballua, rezervat e shtetit u dhanë të gjitha në ndihmë të banorëve, por qeveria deklaroi që do të dëmshpërblejë 100 % dëmet materiale, ndërkohë që presidenti Nishani, sipas zotit Çuko, ose është keqinformuar, ose është keqshtyrë, që të kërkojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

-Zoti Çuko, çfarë masash nuk ishin marrë paraprakisht, mungesa e të cilave përkeqësoi situatën e përmbytjeve në Fier dhe Vlorë?

– Paraprakisht, dy ditë para se të binin reshjet e mëdha, u paralajmëruan se mund të ndodhin përmbytje, në zonat e mundshme. Kjo është hera e parë që jepet një paralajmërim i një mundësie katastrofe dhe u thanë që të merrnin masat e një evakuimi të mundshëm, nëse do të përkeqësohej situata nga shirat që priteshin. Nga ana tjetër, masat paraprake nënkuptojnë praninë e strukturave të shtetit, emergjencave civile, të policisë në terren, gjë e cila ka ndodhur në masën, në kohën e mënyrën e duhur. Përkeqësimi i situatës është fryrë shumë edhe nga disa media të caktuara. Që të dalë nga shtrati një lumë, sikurse Vjosa dhe të mos ketë asnjë viktimë, kjo është rezultat i paralajmërimit dhe i masave që u morën nga shteti. Unë vetë kam qenë disa ditë në terren aty.

– Kur themi masa paraprake, p.sh, a ishin pastruar kolektorët dhe daljet e rrjedhjeve?

– Kjo ka lidhje kur përmbyten tokat e Myzeqesë nga mospastrimi i kolektorëve. Në përmbytjet e tanishme, nuk kemi të bëjmë me këtë formë përmbytjeje. Kemi të bëjmë me “tërbimin” e një lumi të rrëmbyeshëm, i cili doli nga shtrati dhe kaloi edhe argjinaturën.

– Sipas jush, në çfarë shkalle ishte reagimi i strukturave shtetërore dhe të vendorëve për të përballuar fatkeqësinë natyrore?

– Reagimi i strukturave qendrore dhe vendore për të përballuar përmbytjet ishte sipas standardeve që bëhen në botë. Për herë të parë Emergjenca Civile paralajmëroi 2 ditë përpara popullsinë, për ngjarjet që parashikoheshin të ndodhnin. U çuan efektiva shtesë të policisë, zjarrfikësit, etj., që kur të ndodhte kjo lloj përmbytjeje, ata të ndihmonin. Reagimin e qeverisë, pas përmbytjeve, ju e keni vënë re. Kryeministri është përditë në zonën e përmbytur dhe personalisht ndjek nga afër punën e të të gjithë strukturave qendrore dhe lokale për të minimizuar sado pak dëmet. Të gjithë deputetët jemi aty dhe ndihmojmë. Ndihmat që kanë çuar donatorët, nuk janë kryesore. Kryesorja është ndihma e drejtpërdrejtë e shtetit.

– Cilat janë masat e qeverisë?

– Rezervat e shtetit sot janë dhënë dhe shpërndarë të gjitha banorëve në nevojë dhe vazhdon procedura e shpërndarjes së ndihmave.

– Opozita ka kritikuar kryeministrin që nuk ka dhënë ndihma, por është mbështetur vetëm në solidaritetin e qytetarëve, organizatave dhe biznesit.

– Opozita mirë bën që kritikon, por nuk duhet të bëjë politikë mbi fatkeqësitë e njerëzve, sepse përmbytja nuk është keqmenaxhimi dhe fajet e qeverisë. Është përmbytur për shkak të egërsisë të natyrës. Vështirësia e ditëve të para ka qenë dërgimi i ushqimeve për bagëtinë, sepse nuk ishin në depot e rezervës, ndërkohë që është siguruar ushqimi, ndihma mjekësore, batanije, veshmbathje për popullsinë. Nuk ka munguar ushqimi për popullsinë.

– Presidenti Nishani kritikoi qeverinë përse nuk shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. A duhet të shpallej gjendja e jashtëzakonshme?

– Ka një ngatërrim të madh të termave ligjore. Gjendja e jashtëzakonshme është tjetër gjë, nga gjendja e emergjencës. Në rastin e përmbytjeve, duheshin masat, organizime e emergjence. Masat emergjence janë shpëtimi i popullsisë, i pasurisë dhe mbështetja në ushqime dhe veshmbathje. Të tria këto u arritën, ndaj nuk ishte e nevojshme të shpallej gjendja e jashtëzakonshme. Presidentin, kam frikë se e kanë keqinformuar, ose e kanë keqshtyrë që të kërkojë gjendjen e jashtëzakonshme. Arsyeja që nxori opozita, që kërkoi gjendjen e jashtëzakonshme, është që qeveria duhet të shpërblejë të pësuarit me 100 për qind  të dëmit. Kjo është non sens, derisa kryeministri Rama deklaroi që do të kompensohen 100% të gjithë të dëmtuarit.

– Një nga zotimet më të mëdha të opozitës socialiste, ishte se do të luftonte korrupsionin, kudo. Por deri tani, nuk kemi asnjë zyrtar të lartë të korruptuar që të jetë ballafaquar me drejtësinë. Kjo a nuk e lëkund besimin e popullit, që të gjithë njësoj janë?

– Qeveria “Rama”, e ka shumë të qartë programin kundër korrupsionit. Por pushteti ekzekutiv është vetëm një pjesë i atij mekanizmi të integruar të një shteti demokratik, për të bërë luftë efektive kundër korrupsionit. Nuk fut qeveria në burg, por sistemi i drejtësisë. Nëse mekanizmat e tjerë nuk janë në një front të përbashkët për të luftuar realisht korrupsionin, qeveria nuk ka çfarë të bëjë. Ministria e Mbrojtjes ka dërguar shumë dosje në prokurori, të cilat deri tani flenë. Po kështu edhe ministritë e tjera, si ajo e Financave, ka çuar 69 dosje në prokurori për korrupsion në tatime, në dogana, dhe të gjitha flenë në prokurori. Ndaj, edhe lufta kundër korrupsionit, mbetet në formën deklarative. Prandaj është shumë e domosdoshme reforma tashmë e nisur nga qeveria, në sistemin e drejtësisë. Pa këtë reformë, ne nuk mund të kemi rezultate kundër korrupsionit. Është rihapur dosja e 21 janarit, skandali i rrugës së Kombit. Pengesa kundër korrupsionit, sot është sistemi i drejtësisë, etj.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA