Anisa Ibraj, anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit, ka denoncuar publikisht shpenzimet milionëshe që bashkia paguan çdo vit për transportin e mbetjeve drejt “inceneratorit inekzistent” të Tiranës, duke e cilësuar këtë një mashtrim financiar dhe mjedisor.
Sipas saj, kostoja pritet të arrijë deri në 10 milionë euro në vitin 2025, ndërsa qyteti mbetet i mbuluar nga mbeturinat. Ibraj u shpreh për kryeministrin Rama se ai është përfituesi kryesor i skemës së inceneratorëve dhe i bëri thirrje drejtësisë dhe qytetarëve të ngrihen për t’i dhënë fund kësaj afere.
Deklarata e Anëtares së Këshillit Bashkiak në bashkinë e Durrësit, Znj. Anisa Ibraj:
Si anëtare e Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Durrësit, denoncoj me forcë mashtrimin më të madh financiar e mjedisor që po i bëhet qytetit tonë, inceneratorin inekzistent të
Tiranës.
Vetëm për depozitimin dhe transportin e mbetjeve drejt këtij inceneratori fantazme, Bashkia e Durrësit shpenzon rreth 2
milion euro në vit.
Për vitin 2025, kjo shumë parashikohet të
arrije deri në 10 milion euro, duke rënduar financat e bashkisë dhe xhepat e qytetarëve.
Ne paguajmë miliona euro cdo vit për një mjedis të paster, ndërkohë që mbetjet mbytin Durrësin, plazhet, lagjet dhe mjedisin tonë. Kjo gjendje është një kërcënim për shëndetin tonë dhe një turp kombëtar përpara syve të turistëve që vizitojnë qytetin.
Mega-afera e inceneratorëve që nuk ekzistojnë, simboli më i pastër i zhvatjes mafioze dhe në dritë të diellit të taksave të shqiptarëve, vijon dhe do vijojë të zhvasë taksat e qytetarëve.
Kjo ndodh sa kohë Altin Dumani e konsideron “krim
intelektual të vështirë për t’u hetuar” dhe nuk guxon të
prekë njeriun që e ideoi, e zbatoi dhe përfitoi nga kjo
skemë kriminale, atë i cili i dha bonusin 8% me firmën e tij kompanisë së inceneratorëve kur ajo nuk ekzistonte as në
letër, pronarin faktik të tyre Edi Ramën.
Pa marrë të pandehur Edi Ramën, kurrë nuk mund të flitet për hetim dhe dhënie fund të aferës së inceneratorëve.
Prandaj:
U bëj thirrje organeve të drejtësisë, të hetojnë pa vonesë dhe
të mos mbyllin sytë për këtë aferë të zezë që po shkatërron financat e bashkive dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
U bëj thirrje qytetarëve të Durrësit të ngrihen dhe të mos pranojnë më të paguajnë për një shërbim që nuk ekziston.
Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e
Durrësit do të jenë zëri i qytetarëve dhe nuk do të ndalen deri
sa kjo aferë të marrë fund dhe përgjegjësit të shkojnë para drejtësisë.
Faleminderit!



















