4 pikat e raportit përfundimtar të Komisionit të Venecias i japin të drejtë Presidentit
Presidenti Meta: Anëtarët e kushtetueses nuk fillojnë punë, pa u betuar tek presidenti
Presidenti Ilir Meta, ka dalë në një konferencë për mediat ditën e djeshsme, ku ka shpjeguar opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, në lidhje me Këshillin e Emërimeve të Drejtësisë dhe të veprimeve të parlamentit. Sipas presidentit, Komisioni i Venecias në opinionin e tij, i ka dhënë të drejtë presidentit. “Duke qenë se fundjava që lamë pas, kishte disa zhvillime të rëndësishme, lidhur me perspektivën e çeljes së negociatave për vendin tonë. Pata kënaqësinë ta nisja javën me zotin Zefin Mazi, emëruar nga qeveria shqiptare si kryenegociator”, -tha Meta në nisje të konferencës për mediet. Më pas presidenti sqaroi pjesë nga opinioni i Komisionit të Venecias:
KED-ja shkaktoi një incident të rëndë procedurial në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese
Komisioni i Venecias konfirmoi qartë se shkaku i përplasjes institucionale midis Kuvendit dhe Presidentit të Republikës ishin veprimet antiligjore të ish-Kryetarit të KED-së, Dvorani dhe veçanërisht të mënyrës së dërgimit të listave prej tij.
Opinioni qartëson pa asnjë ekuivok se përgjegjësia individuale e ish-Kryetarit të KED-së, Dvorani, për kohën dhe mënyrën e dërgimit të listave, është tërësisht e provuar, sepse ai nuk e diskutoi në mbledhje plenare me të gjithë anëtarët e KED-së siç e kërkon ligji.
Ja çfarë thuhet në pikën 92 të Opinionit të Komisionit të Venecias:
- “Çështja më problematike e shkaktuar nga vendimet e KED-së në vitin 2019, në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ka të bëjë me kohën e përcjelljes së listave të renditjes së kandidatëve tek Presidenti dhe Kuvendi…”
“…Kjo shkaktoi një incident të rëndë procedurial…”
“…Kjo mënyrë veprimi nuk u diskutua në KED-ë…”
KED-ja nuk funksionoi në mënyrë transparente
Komisioni i Venecias konfirmoi se KED-ja ka funksionuar në mënyrë jo transparente dhe përjashtimi i Avokatit të Popullit nga mbledhjet e KED-së, është veprim antikushtetues.
Ja çfarë thotë Komisioni i Venecias në pikën 90 të Opinionit:
- “Për më tepër, KED-ja nuk funksionoi në mënyrë transparente.
Transparenca është thelbësore për të fituar besimin e publikut në procedurën e emërimit, pra të vetë Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, KED-ja shpërfilli praninë e detyrueshme kushtetuese të Avokatit të Popullit si vëzhgues, qoftë në përzgjedhjen përmes shortit, qoftë edhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e KED-së (nenet 149/d (3) dhe 179 (11) të Kushtetutës)…”
Pika 96/98 e Komisonit të Venecias, konfirmoi përfundimisht se veprimet e Presidentit ishin në përputhje me Kushtetutën
Komisioni i Venecias në pikat 96 dhe 98 të Opinionit Final, konfirmoi përfundimisht se veprimet e Presidentit, jo vetëm që ishin tërësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin, por ato kanë ruajtur kushtetushmërinë e gjithë procesit të emërimit.
Në këta paragrafë, Komisioni i Venecias, konfirmoi të drejtë emërimin nga Presidenti të gjyqtares së dytë dhe refuzimin e pranimit të betimit të një kandidate të vetë-zgjedhur pas deklarimit përpara një noteri.
Ja çfarë thotë Komisioni i Venecias në pikat, 96- 98 të Raportit:
- “…Për më tepër, nëse Presidenti do kishte zgjedhur dy kandidatë, Kuvendi do të dispononte një listë me më pak se tre kandidatët, që është dhe numri minimal që parashikon Kushtetuta…”
“…Përfundimisht, kandidati i zgjedhur nga Presidenti ishte renditur ndër tre të parët nga lista e KED-së, pas zgjedhjes së Kuvendit të kandidatit të tretë të listës…”
- “…Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht…”
Presidenti Meta: Paketa Antishpifje ka rënë
Presidenti Ilir Meta, deklaroi sot, se e Paketa Antishpifje, paketa ligjore kundër medieve, e përpunuar nga Kryeministri Edi Rama, është një akt i paprecedentë që tashmë është rrëzuar, pasi vetë Këshilli i Europës e ka çuar atë çështje në Komisionin e Venecias. “Kini parasysh se me Antishpifjen ka ndodhur në akt i paprecedentë”, – tha Meta në një konferencë shtypi sot. –“Ajo është rrëzuar tani. Ka ndodhur akt i paprecedentë. Sepse vetë Këshilli i Europës e ka çuar në “Venecia”. As nuk duhet të ishte vënë në diskutim kjo çështje. Ju gazetarët keni pasur dhe keni gjithmonë të drejtë”, -nënvizoi Presidenti Ilir Meta, në reagimin e tij.






















