Analiza e Prof. Dr. Lush Susaj: Stop dhunës mbi administratën publike dhe procesin zgjedhor

68
Sigal

Është koha që të demaskohet dhe të ndëshkohet sjellja dhe veprimtaria antiligjore e antishtetërore e makinerisë së frikshme të patronazhistëve, e cila na kujton kohën e errët të Sigurimit të Shtetit dhe të partisë shtet

 

Patronazhimi është dhuna dhe poshtërsia e kopjuar nga komunizmi

Para pak ditësh, nga të gjitha mediat e shkruara dhe vizive, shqiptarët, e në mënyrë të veçantë rinia shkollore dhe universitare, e panë dhe e mësuan mënyrën se si janë përgjuar, abuzuar e mbikqyrur nga segmentët e administratës militanteske të rilindjes. Them të administratës militanteske për shkak se të gjithë patronazhistët, nuk janë thjesht antarë të grupit “Rilindja”, por janë drejtues dhe zyrtarë me influencë të lartë të administratës publike ose edhe drejtues dhe abuzues të majmur të financimeve dhe të projekteve publike, nga ku nuk ka mbetur asgjë. Kjo praktikë abuziviste e që nuk ka kursyer as të dhënat tona të hollësishme që mbrohen me ligj, është kopjuar në mënyrë identike nga sigurimi famëkeq i shtetit komunist.

“Shumë më keq se në komunizëm, është familja e patronazhistit me 4 anëtarë e që të katër të punësuar në administratë, vjen dhe shantazhon familjen e varfër me 13 anëtarë e pa asnjë të punësuar në administrate”

“Është koha që të demaskohet, të ndëshkohet dhe të stopohet në mënyrë ligjore e gjithë sjellja dhe veprimtaria antiligjore e antishtetërore e makinerisë së frikshme të patronazhistëve, e cila na kujton sjelljen dhe kohën e errët të Sigurimit të Shtetit komunist dhe të partisë shtet”

Këtë mënyrë të ligë e antishqiptare e kam provuar edhe mbi lëkurën time përgjatë viteve 1987-1988, kohë kur Sigurimi famëkeq i Shtetit, kishte rekrutuar kolegun dhe shokun tim më të afërt për të fabrikuar dosjen me shprehje e ngjarje të pavërteta, të cilën e kaluan për gjykim në gjyqin special të datës 5 Shkurt 1988, proces i mbajtur në gjykatën e Tropojës. Për ta kuptuar më mirë se si dhe çfarë është kopjuar nga komunizmi, po ju sjell në vëmendje faktin se si gjatë viteve 1987-1988, unë kam bërë 8 muaj hetuesi dhe 5 orë gjyq, ndërsa vetëm para 3 vitesh, kohë kur unë kam fotokopjuar dosjen time të hetuesisë dhe të gjyqit, kam mësuar emrin e kolegut dhe të shokut tim të ngushtë që më ka survejuar e që kishte bërë tre deklarata me shkrim në hetuesi për fakte e ngjarje të paqëna. Në këtë mënyrë, njëlloj sikur në komunizëm, asnjëri nga shokët dhe nga bashkëqytetarët tanë, nuk e ka njohur e as nuk e ka ditur emrin e survejuesit, spiunit apo patronazhistit, që ka depërtuar deri tek numri personal i identifikimit, apo tek numri i telefonit dhe tek vlerësimi i pikëpamjeve politike dhe bisedave të përditshme të secilit prej nesh. Po mos të ishte media, këta survejues, dhunues e parazitë, mbase nuk do të zbuloheshin kurrë. Kjo kategori e verbër militanteske janë ushtria e padukshme e diktaturës që përgjon dhe dhunon çdo gjë, pa kursyer as më të rëndësishmin, zgjedhjet dhe të gjitha hallkat e procesit zgjedhor. Kjo ushtri militantësh e parazitësh janë autorët dhe përgjegjësit kryesorë të manipulimit dhe të sabotimit edhe të protestës studentore të vitit 2018, dhe të gjitha kundërshtive dhe vullneteve të mira politike në Shqipëri. Nëse emrat e spihunëve të dosjeve të fabrikuara të komunizmit, unë e të tjerë si unë i mësuam pas 30 vitesh, falë publikimit të listave të këtyre ditëve, qytetarët e Shqipërisë kanë rastin që të lexojnë e të mësojnë menjëherë emrin e survejuesit dhe të spiunit të familjes dhe të njerëzve të tyre. Të gjithë ata që e kanë urdhëruar dhe kryer këtë poshtërsi komuniste, nuk janë dhe nuk mund të quhen kurrë patronazhista e as socialista, republikanë e as demokratë. Tjetër është patronazhi e tjetër gjë është spihunllëku e presioni me punën, me karrierën, me hipotekën, me legalizimin, me rindërtimin, me vaksinimin e deri edhe me bukën e gojës. Të ashtuquajturit patronazhista janë dhe duhen trajtuar e përbuzur gjithë jetën si manipuluesit dhe si dhunuesit më të neveritshëm të procesit zgjedhor më të rëndësishëm të këtyre 30 viteve.

“Një nga studentët e mi, ditën e premte me datën 9 prill 2021, më tregoi sesi nënën e tij edukatore kopshti, e kanë larguar nga puna dhe rimarrë përsëri në punë dy herë. Këtë herë, e kanë paralajmëruar se, nëse nuk voton për rilindjen, do ta humbasë vendin e punës

Ironia më e madhe është për faktin se votoj apo nuk votoj partinë, e për pasojë edhe për vendin dhe karrierën e punës, realisht e ka në dorë patronazhisti e jo meritokracia, nevojat dhe as strukturat ligjore të shtetit”

Procesin po e shkatërron patronazhi mbi administratën dhe familjet e varfëra

Në mënyrë identike, sikurse dikur në komunizëm, asnjëri nga ne nuk e njeh patronazhistin, informatorin dhe as spihunin e tij e të familjes. Për më keq, për asnjërin nuk vlen më as vota, as angazhimi dhe as kontributi i mirëfilltë shoqëror e politik.  Që do të thotë se kudo e për çdo gjë merret për bazë “karakteristika” apo letra e nxirë e patronazhistit të partisë shtet. Në këtë mënyrë, shoku dhe kolegu im nuk e dinë fare se kush e ka spiunuar dhe raportuar atë, që jashtë orarit zyrtar të punës, ka marrë pjesë në një takim me kandidatin për deputet të PD. Ndërsa nuk do ta harrojë kurrë faktin që ditën e hënë me 12 prill 2021, është thirrur nga eprori dhe është paralajmëruar për vendin e punës. Kërkesa për të mësuar më shumë mbi informacionin, fotografitë e takimit dhe informatorin, që i ka dërguar, bie në vesh të shurdhët, çdo gjë mbetet sekret. E njëjta situatë ka ndodhur edhe me një tjetër koleg, i cili është telefonuar mbi 5 herë nga të panjohurit e patronazhit që si për çudinë e tij, e dinin edhe për fëmijët që kishte në Londër, e që vazhdimisht e pyesin nëse do vijnë ato 4 votat për PS apo jo! Ndërsa një nga studentët e mi, ditën e premte me datën 9 prill 2021, më tregoi për mënyrën se si nënën e tij edukatore kopshti, e kanw larguar nga puna dhe rimarrë përsëri në punë dy herë. Ndërsa këtë herë, e kanë paralajmëruar se, nëse nuk voton për rilindjen, do ta humbasë vendin e punës. Dhe ironia më e madhe është për faktin se votoj apo nuk votoj partinë, e për pasojë edhe për vendin dhe karrierën e punës, realisht e ka në dorë patronazhisti e jo meritokracia, nevojat dhe as strukturat ligjore të shtetit. Akoma më keq është vepruar me një tjetër kryefamiljarë, që jeton në Bathore e që ka një familje prej 13 antarësh me 7 vota. Pavarësisht nga nevojat dhe niveli i arsimimit, di që asnjëri prej tyre nuk punon në administratën shtetërore. Ndërsa për të grabitur 7 votat e kësaj familje të harruar e të përsekutuar nga qeverisja e këtyre 8 viteve të rilindjes, është gjendur një patronazhist pa shpirt e pa pikë turpi, i cili ka shkuar disa herë duke i thënë fjalë për fjalë: “Më jep kartën e identetit dhe 7 votat, sepse kam dy fëmijët e mi dhe veten në administratë, e na heqin nga puna po nuk siguruam 30 vota”. Në këtë mënyrë, shumë më keq se në komunizëm, është familja e patronazhistit me 4 anëtarë e që të katër të punësuar në administratë, vjen dhe shantazhon familjen e varfër me 13 anëtarë e pa asnjë të punësuar në administratë.

“Kjo praktikë abuziviste e patronazhizmit,  që nuk ka kursyer as të dhënat tona të hollësishme që mbrohen me ligj, është kopjuar në mënyrë identike nga sigurimi famëkeq i shtetit komunist”

“Kjo kategori e verbër militanteske janë ushtria e padukshme e diktaturës që përgjon dhe dhunon çdo gjë, pa kursyer as më të rëndësishmin, zgjedhjet dhe të gjitha hallkat e procesit zgjedhor”

Kjo më kujton fiks komunizmin, që e kishte përçarë e masakruar Shqipërinë në familje, që nuk mund të punonin në administratë dhe në ato familjet e partisë që duhet të ishin të gjithë të punësuar e të financuar mirë nga financat publike. Këtë kanë bërë dhe po bëjnë edhe patronazhistët tanë të mallkuar, që përveçse po rrezikojnë seriozisht besueshmërinë dhe rezultatin e pranueshëm të procesit zgjedhor, po e përçajnë shoqërinë dhe administratën si kurrë më parë në të partisë dhe në ata që janë kundër partisë shtet. Akoma më keq qëndron puna e shtimit të administratës në mënyrë fiktive. Madje ka ndodhur ajo që nuk është parë kurrë më parë. Është shtuar me dy apo tre herë numri i rojeve të bashkisë tek parkingjet nëntokësore dhe tek shërbimet e tjera. Kjo nuk është sjellja e duhur e politikës dhe administratës shtetërore. Kjo lloj sjellje po e shkatërron procesin zgjedhor që është jetik për të ardhmen e Shqipërisë dhe të fateve të faktorit shqiptar në rajon. Nuk është koha për të heshtur e as për të bërë sehir e për të biseduar me zë të ulët nëpër kafene. Është koha që të flasim e të mbrojmë me ligj e me çdo mjet tjetër integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të 25 Prillit 2021. Është koha që të demaskohet, të ndëshkohet dhe të stopohet në mënyrë ligjore e gjithë sjellja dhe veprimtaria antiligjore e antishtetërore e makinerisë së frikshme të patronazhistëve, e cila na kujton sjelljen dhe kohën e errët të Sigurimit të Shtetit komunist dhe të partisë shtet. Shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur me të tilla mjete e metoda dhune e survejimi që shkatërrojnë zgjedhjet dhe gjithë jetën demokratike. Shqiptarët duhet të votojnë të lirë e të qetë, përndryshe cenohet rëndë besueshmëria, integriteti dhe produkti i këtyre zgjedhjeve nga të cilat pritet shpresa e ndryshimit.