Analiza brenda PD për 25 prillin, vetëm 4 drejtues politikë tejkaluan objektivin

204
Sigal

Vetëm katër drejtues politikë të Partisë Demokratike e tejkaluan objektivin e vendosur në zgjedhjet e 25 prillit.

Euronews Albania thotë se nga analiza e shifrave Belind Këlliçi, Agron Shehaj, Albana Vokshi dhe Aldo Bumçi janë të vetmit drejtues në të gjithë vendin

Në pjesën më të madhe të qarqeve, edhe në ato me dy, apo më shumë drejtues politik, rezultati i arritur në zgjedhje, është shumë më i ulët se targeti i vendosur nga Partia Demokratike para datës së zgjedhjeve.

Partia Demokratike në mbledhjen e saj të fundit të Kryesisë, ka vendosur nisjen e procesit të analizës. Paralelisht me pretendimet për masakër elektorale, PD pritet të analizojë dhe punën e strukturave nga çdo grup seksioni deri në nivel qarku, ku çdo drejtues do të përballet me rezultatin që ka marrë, përkrah objektivave të vendosura.

Sa i takon metodologjisë, pretendimet për vjedhje, manipulim votash, apo çdo parregullsi tjetër strukturat do t`i pasqyrojnë të faktuara, në një formular të miratuar nga Kryesia.

Brenda datës 1 korrik degët e partisë duhet t’i paraqesin drejtuesit politik të qarkut, analizën e rezultatit të zgjedhjeve, duke përfshirë parametrat e performancës në raport me objektivat e synuara. Përpara kryesisë, Basha deklaroi se demokratët duhet të përgatiten për vazhdimin e betejës.

“Detyra jonë është të përgatitemi me të gjitha format dhe mjetet për këtë përballje. Një përballje që kërkon që Partia Demokratike të jetë e gatshme për ta kryer detyrën e saj ndaj regjimit një orë e më parë, sepse Shqipëria, shqiptarët dhe demokratët nuk mund të presin deri në 2025”, tha z. Basha.

Analiza pritet të zgjasë deri në 30 shtator. Gjithashtu PD ka miratuar edhe thirrjen e Kuvendit Kombëtar në 17 korrik, i cili do të vlerësojë mundësinë për ndryshime në statut.