Alfred MOISIU/ Forcat politike mos ta lënë pezull amendimin e Kodit Zgjedhor

400
Sigal

President i Republikës së Shqipërisë (2002-2007)

 Është e ditur që në vitin 2015, në Republikën e Shqipërisë do të zhvillohen zgjedhjet vendore të radhës. Të gjithë dëshirojmë që këto zgjedhje të jenë akoma më të mira se ato të 23 qershorit të vitit 2013. Pra, ato jo vetëm të mos kenë mangësitë që shoqëruan zgjedhjet e vjetshme, por të jenë të ati niveli që i takon një vendi, jo vetëm anëtar i NATO-s, por edhe kandidat për anëtar në BE.

Në këto vite të demokracisë, tek ne është krijuar një traditë jo e mirë. E them këtë sepse, partitë tona politike kujtohen për të reflektuar mbi vërejtjet dhe rekomandimet e ODIHR/OSBE-së për Kodin Zgjedhor, gjithmonë me vonesë. Për rrjedhojë, shtrëngesa e kohës i detyron forcat politike që të bëjnë në ligj ndërhyrje jo përherë të studiuara, të cilat lënë shtigje që në të pastajmen krijojnë probleme.

Dihet se pas zgjedhjeve të qershorit 2013, OSBE dhe ODIHR kanë lënë 29 rekomandime, zbatimi i të cilave synon përmirësimin e nivelit të zgjedhjeve në vendin tonë. Sigurisht, realizimi i tyre dhe për pasojë zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve europiane, do të jetë një shtysë në përshpejtimin e pranimit të Shqipërisë në BE. Natyrshëm që edhe qytetarët shqiptarë presin me kënaqësi që vendi ynë të radhitet krahas vendeve të demokracive europiane. Por për arritjen e qëllimeve të dëshiruara të popullit tonë, patjetër është e domosdoshme që politikanët tanë të ndërgjegjësohen më shumë në politikbërjen e tyre për të mirën e këtij vendi. Është për të ardhur keq, që edhe pse kanë kaluar mbi dy dekada demokraci, prapëseprapë po vuajmë nga mungesa e stabilitetit politik në vend, për shkak të ‘gërrmërreve’ politike pa bereqet.

Nisur dhe nga kjo situatë aktuale problematike, e cila mund të ketë pasoja për të ardhmen e integrimit të vendit tonë në BE, Forumi Civil 2010 ndërmori iniciativën e mbledhjes së kësaj tryeze, dedikuar çështjes së amendimit të Kodit Zgjedhor. Ne u bëjmë thirrje forcave politike parlamentare, medias, opinionit vendas dhe atij ndërkombëtar, që ta shikojnë me kujdes dhe në kohë, mundësinë e rrugëzgjidhjes së problemeve të mbetura deri tani pezull.

Çështjet që duhen rishikuare dhe amenduar për përmirësimin e mëtejshëm të kodit zgjedhor, janë vënë në dukje si nga vlerësimet e vëzhguesve vendorë ashtu edhe nga ata të OSBE/ODIHR. Prandaj është koha që të punohet sa më parë për materializimin e këtyre rekomandimeve, në mënyrë që mungesa e kohës të mos jetë faktor negativ për përmbushjen e tyre. Shpresojmë dhe presim, që të paktën këtë herë, të mos akuzohemi se ne shqiptarët gjërat i lëmë për minutën e fundit. Kjo është një fizionomi e krijuar në 24 vite nga të dy kahet e politikës. Politikanët aktualë, në se me të vërtetë duan të krijojnë një imazh pozitiv për veten e tyre dhe vendin, duhet të largohen nga kjo praktikë.

Pra, nisur nga këto arsyetime, Forumi Civil i paraqet kësaj tryeze për diskutim dhe miratim një Projekt-Deklaratë, për të cilën shpresojmë dhe presim, që politikanët tanë t’i kushtojnë vëmendje. Duhet rritur respekti dhe dëgjueshmëria ndaj shoqërisë civile, duke vlerësuar rolin tonë ndihmues, sikurse ndodh në të gjitha vendet demokratike europiane.

Forumi Civil 2010/ Reforma Administrativo-Territoriale tw zhvillohet nw krah me Kodin Zgjedhor

Forumi Civil 2010 ka përshëndetur dy muaj më parë nismën për reformën administrative-territoriale, si edhe ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe konsensus midis dy krahëve të politikës shqiptare në realizimin me sukses të kësaj reforme të rëndësishme. Por me keqardhje është vënë re që opozita ende nuk i është bashkëngjitur një nisme të tillë, duke rënduar në përgjithësi klimën politike dhe veçanërisht marrëdhëniet brenda Kuvendit të Shqipërisë. Atmosfera e acaruar në komunikimet ndërpartiake nuk mund të justifikojë shpërfilljen e treguar për të mos hedhur deri tani asnjë hap rreth shqyrtimit të Raportit të OSBE-ODIHR mbi procesin elektoral të fundit. Ky Raport i publikuar mbi gjashtë muaj më parë vlerëson me tone pozitive zhvillimin e votimit më 23 Qershor 2013, por gjithashtu përmban edhe 29 rekomandime të vlefshme, nga materializimi i të cilave synohet përmirësimi i mëtejshëm i zgjedhjeve në Shqipëri, përshtatja e tyre me angazhimet e OSBE dhe me standardet e tjera ndërkombëtare. Krahas kësaj, vëmendja tërhiqet edhe për rekomandime të tjera të raporteve të mëparshme të aktorëve vendas dhe të atyre ndërkombëtarë, por që nuk janë shoqëruar me aplikime nga pala shqiptare përgjegjëse. Forumi Civil 2010 shpreh shqetësimin e vet për zvarritjen në këtë drejtim dhe për mungesën e transparencës nga ana e Qeverisë dhe e Kuvendit mbi shkaqet e kësaj vonese. Dihet që vitin e ardhshëm do të bëhen zgjedhjet e reja për organet e qeverisjes vendore. Puna për realizimin e amendamenteve në Kodin Zgjedhor nuk mund të lihet për muajt e fundit, gjë që praktikat e mëparshme kanë treguar se për shtrëngesë kohe disa gjëra nuk mendohen si duhet. Në këto kushte i bëjmë thirrje edhe Qeverisë, edhe partive të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë që, krahas përgatitjes dhe zhvillimit të reformës administrative-territoriale, të tregojnë pa humbur kohë interesin e duhur për amendimin e Kodit Zgjedhor, një proces ky që është e domosdoshëm të kalojë edhe nëpërmjet diskutimeve të hapura me shoqërinë civile. Kështu do të përgatitemi për zgjedhjet e vitit 2015, çka do t’i shërbente më shpejt, dhe më mirë, proceseve demokratike të vendit, integrimit evropian të shtetit dhe aspiratave të shtetasve tanë. Por këto aspirata mund të realizohen plotësisht kur interesave me karakter kombëtar t’u jepet në çdo rast përparësi mbi interesat e ngushta partiake. Këtë kërkojnë qytetarët shqiptarë, këtë këshillojnë edhe miqtë ndërkombëtarë.