Aleatët, gati emrat e zëvendësministrave dhe drejtorëve

526
Sigal

Petro Koçi  dhe Idajet Beqiri zbardhin skemën e posteve që do kenë aleatët në qeverisjen “Rama1”

Deri në 8 shtator, Edi Rama duhet të ketë plotësuar gjithë strukturën qeveritare, domethënë, Rama duhet të emërojë edhe zëvendësministrat, si edhe drejtorët e drejtorive më të rëndësishme, të cilat janë poste politike. Kryetari i PSV ‘91 Petro Koçi dhe Kryetari i PUK-ut, Idajet Beqiri, në intervistat për “Telegraf” pohojnë se, aleatët do të kenë në qeverinë e Ramës poste të rangut të dytë e të tretë në qeverisjen qendrore. Por, ndarja e këtyre posteve aleatëve, do të bëhet sipas marrëveshjes dypalëshe që kanë secili aleat me Ramën dhe sikurse thotë dhe zoti Beqiri. “Do shihet roli opozitar që ka luajtur dhe kontributet konkrete që ka dhënë gjithsecila parti politike në luftën kundër pushtetit despotik të Berishës dhe në ardhjen në pushtet të pozitës së sotme”.

 

Petro Koçi: “Brenda javës do të bëhet takimi me Ramën, për postet e aleatëve”

 – Zoti Koçi, cila do të jetë skema e bashkëpunimit të PS-së me aleatët në qeverisje?

– Skema e bashkëpunimit PS- aleatë është e thjeshtë: Ato do të angazhohen në detyra plotësuese qeverisëse në poste që me ligj konsiderohen politike, pra nga zëvendësministër e poshtë. Roli i aleatëve në këtë proces do të jetë modest. Megjithatë nuk duhet harruar se ato kanë marrë së bashku rreth 100 000 vota. Duke qenë se ishin shumë në numër, rezultoi që secila  nuk mori numrin e pritshëm të votave. Pra ato dashur pa dashur i morën votat njëra-tjetrës. Sidoqoftë, totali i peshës së tyre elektorale është në vëmendjen politike të Kryeministrit të ri. Shpresohet që brenda javës në fillim të kryhet një takim që do fokusohet te përcaktimi i skemës së bashkëpunimit.

 – Për postet e zv/ministrave dhe të drejtorëve të drejtorive, a ka marrëveshje të Edi Ramës me aleatët? Si do të bëhet kjo shpërndarje?

– Nuk ka marrëveshje për poste politike të paracaktuara. Marrëveshja saktëson vetëm detyrimin politik për përfshirje në nivele të qeverisjes qendrore të partive që në rang kombëtar kanë marrë 5 000 deri ne 10 000 vota. Pra do varet nga konsiderata konkrete e Kryeministrit të ri përcaktimi i detyrave politike që do marrin përfaqësuesit e aleatëve në bashkëqeverisje. Mendoj se, publiku tashmë e ka kuptuar që në bashkëqeverisje nuk hyjnë pozicionet e administratës shtetërore që kërkojnë status të shërbimit civil. Për atë pjesë shanset vijnë vetëm nëpërmjet konkurrimit.

– Po në qeverisjen vendore, cili do të jetë konceptimi i bashkëpunimit të PS-së me aleatët? Çfarë roli dhe postesh do t’ju japë Rama aleatëve në pushtetin vendor?

– Marrëveshja përcakton se nivelet e qeverisjes vendore që përfshihen në postet politike do angazhojnë aleatët në përputhje me rezultatin zgjedhor në qarkun përkatës. E rëndësishme është që e gjithë skema e bashkëpunimit të mos konceptohet më si pazar berishian për të ndarë shtetin në copa e çifligje. Ajo që ndodhi me koalicionin Berisha ka qenë një fenomen i turpshëm antishtet. Larg qofshin modele të tilla në historinë e ardhshme politike të Shqipërisë!

 

Idajet Beqiri: “Rama duhet të vlerësojë me poste qeveritare, kontributin opozitar të secilit aleat”

– Zoti Beqiri, në situatën konkrete, kur është publikuar edhe kabineti qeveritar, cila do të jetë skema e bashkëpunimit të PS-së me aleatët në qeverisje?
–  Skemën e bashkëpunimit e ka të përcaktuar qartë Marrëveshja Politike, që 36 partitë politike bënë me PS-në para zgjedhjeve të 23 Qershorit. Kjo skemë u rikonfirmua prej Edi Ramës, kreut të Qeverisë së re, në takimin që zhvilloi në muajin korrik me të gjithë aleatët. Kabineti qeverisës u shpall. Por duhet ende kohë që ai të vihet në krye të punëve. Më 9 shtator mblidhet Kuvendi në sesionin e tij të ri. Fillimisht do konceptohen dhe do të paraqiten për miratim në Kuvend ndryshimet strukturore të qeverisë. Pastaj, do miratohet qeveria dhe programi i saj. Kjo do të thotë që realizimi i këtyre punëve duan kohën e vet. Së paku, nga fundi i muajit shtator 2013, do e kemi në punë qeverinë e re të Ramës. Deri në këtë kohë, të gjitha partitë e koalicionit janë të angazhuara në ndihmesën pa kufi që duhet t’i japin qeverisë në krijim, me qëllim që pas formimit, ajo t’i ketë edhe më të qarta, por edhe më të konkretizuara të gjitha hapat që do të hedhë, për të realizuar të gjitha objektivat që i ka vënë vetes për Rilindjen e Shqipërisë Europiane. Gjatë këtyre ditëve e deri në betimin e qeverisë së re, partitë tona pjesë të koalicionit, por që nuk u përfaqësuan me ministra, po përzgjedhin me kujdes të posaçëm,  nën moton “t’i gjejmë punës njeriun më të përshtatshëm”, kandidatët e mundshëm për detyrat e nivelit të dytë e të tretë politik, apo për detyrat në rang qarku.

– Për postet e zv/ministrave dhe të drejtorëve të drejtorive, a ka marrëveshje të Edi Ramës me aleatët? Si do të bëhet kjo shpërndarje?
– Marrëveshja politike e PS-së  dhe LSI-së me aleatët e tjerë është gjithëpërfshirëse. Pasi të miratohet qeveria, radhën e kanë emërimet e tjera politike të të gjitha rangjeve. Partitë e vogla do përfaqësohen në këto rangje me njerëzit e tyre më kualitativ. Ne kemi bindjen se në këtë pikë marrëveshja nuk do të jetë thjesht një fiksion strikt i shifrave të votave që duhet të merrnin partitë në 23 Qershor për t’u përfaqësuar në nivelet e ndryshme të pushteteve. Numri i votave që ka marrë çdo subjekt në zgjedhje është një orientim. Por nuk do të jetë vetëm ajo  përcaktuese. Në radhë të parë e mbi të gjitha do shihen burimet njerëzore, profesionale e intelektuale që ka dhe afron çdo parti e vogël, në përshtatje me funksionin që do kryhet. Do shihet roli opozitar që ka luajtur dhe kontributet konkrete që ka dhënë gjithsecila parti politike në luftën kundër pushtetit despotik të Berishës dhe në ardhjen në pushtet të pozitës së sotme. Shifrat e votave në shumë aspekte janë të diskutueshme, për të mos thënë që, duke u qëndruar strikt atyre, do të ndëshkoheshin padrejtësisht kontributorët real dhe do shpërbleheshin pa meritë disa parti që me të vërtetë që kanë marrë vota më shumë, por kanë kontribuar shumë herë më pak në fitoren e bujshme të koalicionit, se sa ato parti që kanë disa herë më pak vota se këto të parat. Një numri të konsiderueshëm partish të koalicionit, kandidatët për deputet ua plotësoi PS-ja me njerëzit e vet. Këta kandidatë të PS-së, që kandiduan për parti të tjera morën votat e vetvetes, domethënë votat e PS i morën nga një xhep dhe i çuan te xhepi tjetër. Kurse parti të tjera luftuan vet dhe i çuan koalicionit vota nga ato që PS-ja nuk i kishte marrë dhe nuk i merrte dot  vet. Pa folur pastaj  kandidatët e mundshëm për detyrat e nivelit të dytë e të tretë politik, apo ato në rang qarku. Ndaj theksoj se, Rama-Meta do t’i kenë në konsideratë të gjitha llojet e kontributeve, duke i dhënë mbi të gjitha përparësi kualitetit të njeriut që i bënë nder detyrës, ku do emërohet.

– Po në qeverisjen vendore, cili do të jetë konceptimi i bashkëpunimit të PS-së me aleatët? Çfarë roli dhe postesh do t’ju japë Rama aleatëve në pushtetin vendor?

– Do zbatohet e njëjta filozofi, besoj, si ajo që përshkrova më lartë. Veç ky do të jetë një proces disi i gjatë, pasi mund të shkojë deri nga fundi i dhjetorit, e ndoshta më shumë. Gjithsesi, kërkohet mirëkuptim, transparencë, ndershmëri, debate dhe ballafaqime konstruktive.

 Gjergj Koja: “Do të ishim të kënaqur me postin e zvministrit të Shëndetësisë”

Kryetari i PSM-së, Gjergj Koja, i pyetur nga “Telegraf”, për çfarë postesh qeveritare duhet të marrin partitë aleate të Aleancës për Shqipërinë Europiane, u përgjigj: “Kryeministri i zgjedhur Edi Rama do të vlerësojë kontributin e aleatëve të vet në fitoren e 23 Qershorit, duke u dhënë ato poste qeveritare, që u takojnë në bazë të kontributit që kanë dhënë. Ne si PSM, do të ishim të vlerësuar edhe me postin e zëvëndësministrit të Shëndetësisë, meqë kemi një përvojë të gjatë në këtë fushë dhe nuk do të kemi nevojë për një kohëpërshtatje dhe kohënjohje me problemet akute që shtrohen përpara shëndetësisë publike”.