Aksioni i opozitës nuk ndalet me lënien e mandateve; çfarë do të ndodhë në ditët në vijim

508
Sigal

Aksioni i opozitës nuk do të ndalet edhe pas djegies së mandateve. Këshu është shprehur ish-deputeja Jorida Tabaku, që ka sqaruar se Partia Demokratike do të nisë një tur takimesh në të gjithë vendin.

Në një intervistë ne edicionin e lajmeve të Ora News, Tabaku shtoi se opozita e bashkuar nuk kërkon ndarje pushteti, por krijimin e një qeverie tranzitore për të çuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Ne do të jemi me qytetarët. Do të nisë një tur në të gjitha qytetet. Do të ketë një plan pune. Do të jetë i ngjashëm me turin e para protestave që e ngriti fort frymë. Pamë qytete të tëra që kishin nevojë për vëmendje dhe që janë shënuar me zero nga qeveria. Rezultatin kryesor ne e presim me heqjen dorë të mandateve me të cilën PD ka treguar se Parlamenti nuk ekziston më dhe demokracia ka rënë. Pa gjysmën, Parlamenti duhet të ishte shpërndarë.

Ky akt që ne kemi ndërmarrë nuk është një thirrje për t’u ulur në tavolinë me Edi Ramën. Nuk ka këtu marrëveshje për ndarje pushteti, ndarje drejtorish dhe ministrish. Këtu bëhet fjalë për të kthyer përmbys këtë sistem që është ngritur në 6 vite dhe për të krijuar diçka të re për të ardhmen evropian. Kërkohet një qeveri tranzicioni për të na çuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme”, përfundoi Tabaku.