Agron Demushi: Mungesa e investimeve të qeverisë, pengesë për zhvillimin e qytetit

464
Sigal

Krybashkiaku i Tropojës Agron Demushi, në intervistën për gazetën “Telegraf” ka konfirmuar rikandidimin e tij në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Ai renditi arritjet por edhe shkaqet përse disa objektiva nuk u konkretizuan gjatë mandatit të vet. Demushi akuzon qeverinë për mungesë investimesh në rrethin e Tropojës. Sipas kreut të bashkisë, mungesa e nevojshme financiare nga qeveria për projektet e shumta të paraqitur si dhe politikat e ndërhyrjes nga qeveria e re, në kompetencat e pushteti vendor, kanë qenë faktor pengues për zhvillimin e Tropojës. Mirëpo kryebashkiaku pohon se do të rikandidojë, për të dhënë një vizion të ri dhe për të përmirësuar jetesën e tropojanëve.

 Zoti Demushi, ju vetë keni menduar të rikandidoni përsëri për këtë post? Nëse po, përse e merrni këtë vendim?

– Unë kam vendosur te rikandidoj, kjo gjithmonë ne dakordësi me PD-në dhe me mbështetjen qe do kem edhe nga çdo qytetar i Tropojës, pavarësisht bindjeve partiake, sepse, mendoj që  kandidatura ime do të shërbejë ne te mire te zhvillimit Tropojës dhe përmirësimin e jetesës se çdo qytetari dhe familje tropojane. Jam i bindur se bashkëqytetarët e mi do të vlerësojnë punën, përkushtimin, vizionin e ri në Bashki e që përbën  risi, si edhe ndershmërinë, e cila më shoqëron qe nga dita e pare e punës dhe deri tani, kjo traditë edhe nga familja ime, qe me lindi dhe rriti. Por edhe eksperienca e punës time gjate mandatit të parë, marrëdhëniet e krijuara ndërinstitucionale, ndërpartnere me institucionet vendase dhe të huaja, por dhe donacione të ndryshme joqeveritare.

Cili është mendimi juaj për reformën territoriale dhe ndarjen administrative, konkretisht, për Bashkinë e Tropojës?

– Mund të them që nuk është reforma e duhur, që unë prisja. Kjo, për mendimin tim, ka pasur mundësi për një ndarje më të qartë dhe reale, në funksion të një administrimi më të mirë. Ne nuk jemi pyetur asnjë herë, si administrues, nuk është marrë parasysh mendimi i drejtuesve vendorë, por edhe mendimi i qytetarëve. Konkretisht, për Bashkinë e Tropojës kemi qenë dakord ne si drejtues vendor këtu, që Tropoja të ketë tre njësi administrative, mendim ky i bazuar në relievin e thyer të terrenit që ka Tropoja, me pikësynim qe këto tre njësi të jenë dhe të ofrojnë një shërbim sa më pranë qytetarit.

Cilat janë problemet dhe sfidat me të cilat përballen sot qytetarët?

– Vështirësitë dhe problemet që përballen sot qytetarët tropojanë janë nga më të shumtat, si: papunësia, si shkak dhe i mungesës së investimeve, arbitrariteti dhe terrori që përdori dhe vazhdon të përdorë OSHEE-ja në Tropojë, ku përveçse mbi faturimeve dhe faturave abuzive, qytetarët po përballen dhe me një administratë të paaftë të zgjidhë hallet e tyre, por mbi të gjitha dhe shumë arrogante në komunikim me ta, duke iu treguar policin dhe burgun, etj.

Po largimi i një numri të konsiderueshëm banorësh nga rrethi i Tropojës, çfarë problematikash ka sjellë?

– Periudha e largimit të qytetarëve të Tropojës ka mbaruar, që nga viti 2005, viti në të cilin, fale mbështetjes së qeverisë Berisha, Tropoja mori një tjetër dimension zhvillimi dhe qytetarët e Tropojës, jo vetëm ata që jetojnë këtu nuk e kanë mendjen për t’u larguar, por janë të shumtë ata që janë larguar dhe kthehen në vendlindjen e tyre, për të punuar e jetuar. Mjafton këtu te veçojmë Luginën e Valbonës, një ndër perlat e bukurisë tropojane dhe Shqiptare, ku gjatë këtyre viteve, ka pasur dhe ka një zhvillim të kënaqshme me investimet e bëra nga banorët vendas, por dhe vendasit e larguar më parë, ku janë kthyer nga qytetet e mëdha, por edhe nga emigrimi dhe te ardhurat që kane fituar ndër vite i kanë investuar dhe vazhdojnë të investojnë në truallin e tyre.

Meqenëse tashmë taksat e biznesit të vogël mblidhen nga drejtoria e përgjithshme e tatim taksave, po ju si bashki a u është akorduar pjesë nga mbledhja e këtyre taksave nga ana e shtetit?

– Nga mbledhja e kësaj takse nga ana e Drejtorisë se Përgjithshme të Tatim Taksave është bërë pengesë për dështimin e buxhetit tonë. Mund të them se nga ana e tyre na është akorduar vetëm 10% e shumës që  mblidhnim ne në vitet e tjera, kur e menaxhonim ne si Bashki, këtë taksë.

Duke qenë se rrethi i Tropojës njihet për prodhimin e bimëve medicinale dhe boronicave, a ka pasur një projekt për grumbullimin e këtyre prodhimeve dhe shitjen brenda kufirit?

– Ka pasur dhe ka projekte konkrete, por nuk ka projekt zbatime konkrete në këtë drejtim, ndonëse jemi përpjekur të lobojmë për gjetjen e burimeve financiare të domosdoshme, duke pasur parasysh potencialet e shumta që zotëron Tropoja në prodhimin dhe mbledhjen e tyre. Në vijimësi, ne do bëjmë çdo përpjekje për t’u ardhur në ndihmë, në përmirësimin e kushteve të punës së tyre, që do të thotë gjetjen e mundësive financiare, për të ndërtuar, pse jo, linja përpunuese të ndryshme në rrethin tonë.

Sa është investuar nga ana juaj, për turizmin?

 Nga viti ne vit në drejtim të Tropojës rritet numri i vizitoreve vendas dhe të huaj, janë të shumtë ata që kanë dëshirë, duan dhe vazhdojnë të eksplorojnë bukuritë tona.  Pranojmë këtu që kemi bërë shumë punë, por ka akoma punë për t’u bërë, sepse potencialet e duhura dhe të nevojshme nuk i kemi arritur, ndaj jemi këtu, që në një kohë sa më të shkurtër, të arrijmë objektivin tonë, ta bëjmë Tropojën qytetin më të bukur alpin në Shqipëri. Vetëm në vitin e kaluar Tropojën e kane vizituar mbi 40 mijë turistë vendas dhe të huaj, ku për një rreth që ka vetëm 30 mijë banorë mund ta konsiderojmë si një ogur të mirë ardhjen në vitin e fundit të më shumë se 40 mijë turistëve. Besojmë, shpresojmë dhe punojmë, edhe falë politikave tona zhvillimore, që ky fluks do te shumëfishohet.

 Arritjet dhe mangësitë në mandatin tim të parë, si kryebashkiak i Tropojës

Cili është bilanci i qeverisjes tuaj në Bashkinë e Tropojës?

-Nga viti në vit rritëm arkëtimet në menaxhimin e mbledhjes së taksave të bashkisë, duke i pesëfishuar arkëtimet dhe konkretisht i kemi gjetur në nivelin 70 milion lekë të vjetra dhe janë çuar ne vitin 2013 në 300 milion lekë të vjetra. Në infrastrukturën rrugorë u kryen këto investime:

1 – Rikonstruksion i plotë i segmenti, kryqëzimi i  LLoçit të Kolgecaj deri tek porta hyrëse e spitalit të qytetit.

2- Rikonstruksion i plotë (faza e parë) e Bulevardit kryesor të qytetit.

3- Rikonstruksion i plotë (faza e parë) e unazës së lagjes ”Partizani”.

4- Rikonstruksion i plotë i segmentit rrugor të kryqëzimit të Dragobisë, përfshirë këtu edhe 4 dege hyrëse të lagjes “Dardania”.

5- Rikonstruksion i plote i rrugës së lagjes “Gjongecaj” që nga stacioni i Fierzës deri tek ish dega Ushtarake (çerdhja e qytetit sot).

6-Rikonstruksion i trotuareve dhe ndriçim.

7- Rikonstruksion i plotë i 3 palë shkallëve në sheshin “Azem Hajdari” para Bashkisë ”Bajram Curri”.

8-Rikonstruksion i komplet nyjeve hidrosanitare në shkollën “Besëlidhja e Malësisë”.

9- Ndërtimi i ri i Pallatit të Sportit të Lojërave me dorë “VALBONA” me parametra bashkëkohore.

10-Ndërtimi i shkollës së re 9-vjeçare “ALI PODRIMJA” me parametra bashkëkohore.

11-Instalimi i rrjetit shpërndarës ana sekondare të ujësjellësit të qytetit “Bajram Curri”.

12- Instalimi i rrjetit shpërndarës 20 KV në të gjithë qytetin e Bajram Currit.

13- Hedhja e çatisë alpine me tjegull dhe sistemi i kullimeve të godinës së Nënprfekturës së rrethit tonë, si dhe bërjen e fasadës së Pallatit përtej ish dyqanit te Vajguri!

– Gjithashtu u bë i mundur nga administrata e re e Bashkisë “Bajram Curri” formatimi dhe miratimi i stemës, logos, flamurit dhe faqes zyrtare, elemente këto të domosdoshme, specifike e të veçanta për çdo institucion. U bë formatimi i institucionit të Policisë Bashkiake. Kemi bërë kalimin e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe pastrimit të qytetit në tërësi, nga firma sipërmarrëse tek vetë Bashkia. Blemë dhe pajisëm qytetin me 230 kontenierë të vendosur në çdo cep të qytetit, ku më parë nuk kishte asnjë, pajisem sektorin e shërbimeve me uniforma dhe logo, stemë dhe mbishkrim të Bashkisë. Bashkia Bajram Curri, si i vetmi qytet në Shqipëri, pastrohet 7 ditët e javës nga 2 herë në dite.

 Po a mund të pohoni mosarritjet e objektivave dhe shkaqet përse?

– Po ka pasur mundësi për akoma më shumë punë të bërë në qytetin tonë, por jo mosarritje objektivash. Këto mundësi nuk kemi mundur t’i shfrytëzojmë siç duhet nga mungesa e nevojshme financiare nga qeveria për projektet e shumta që kemi paraqitur dhe mbrojtur pranë saj, gjithashtu dhe politikat e ndërhyrjes që qeveria e re  mori në ndërhyrjen e kompetencave të pushteti vendorë, ku mund të veçojmë, heqjen e së drejtës për menaxhimin e taksës së biznesit të vogël dhe bllokimin e dhënies nga ana jonë të lejeve të ndërtimit etj.

 Faleminderit!

 

Dorentina Hoxhaj