Luan Baçi: Naftëtarët në greve urie, sepse qeveria zhvlerësoi dhe vodhi “Alpetrol” dhe rafinerinë e naftës në Ballsh

315
Sigal

Luan Baçi, ish -deputet

Grevistët janë lënë në mëshirë të fatit, ata janë gënjyer, janë mashtruar dhe vazhdojnë t’i mashtrojnë. KM Rama ju premtoi eksluzivisht, nën përgjegjësinë e tij, se do të zgjidhte problemin e tyre, shumë shpejt, pasi edhe vetë e pranoi se ata kanë të drejtë

Naftëtarët në grevë urie, sepse Rama çvlerësoi dhe vodhi “Albpetrolin” dhe Rafinerinë e naftës

 Luan Baçi, ish -deputet në intervistën për gazetën “Telegraf” sqaron se naftëtarët janë në grevë urie, sepse qeveritarët i kanë braktisur, ndërsa koncesionarët e Rafinerisë së naftës në Ballsh, si ortak të pronësisë me qeveritarët, nuk duan t’u paguajnë rrogat për punën e bërë. Zoti Baçi pohon se qeveria e “Rilindjes” i ka zhvlerësuar “Alpetrol” dhe rafinerinë e naftës qëllimisht, që t’i japë miqve të saj për një kothere bukë, ndërkohë, që ato kanë qenë kompani shumë fitimprurëse, sikurse janë edhe kompanitë e tjera private naftënxjerrëse në atë pellg naftëmbajtës.

 – Zoti Baçi çfarë ndodh tani në Rafinerinë e Ballshit?

-Rafineria e Ballshit, ku punojnë rreth 900 punonjës, në këto momente është e bllokuar, pa aktivitet dhe një pjesë e punonjësve të saj, janë në grevë urie. Sot (dje) është dita e 9 e grevës dhe punonjësit po keqësohen çdo ditë e më shumë nga gjendja shëndetësore. Asnjë interesim nga organet shtetërore, as nga Ministria përkatëse, as nga deputetët rilindas, janë 10 kokë të tillë,  jo e jo  nuk bëhet fjalë nga KM. Grevistët janë lënë në mëshirë të fatit, ata janë gënjyer, janë mashtruar dhe vazhdojnë t’i mashtrojnë. KM Rama ju premtoi eksluzivisht, nën përgjegjësinë e tij, se do të zgjidhte problemin e tyre, shumë shpejt, pasi edhe vetë e pranoi se ata kanë të drejtë.

– Çfarë kërkojnë punonjësit e Rafinerisë?

Pagat e prapambetura, paga të një pune që e kanë bërë, djersën e tyre, punën e tyre. Janë para që u takojnë, i kanë të vetat. Paratë janë, punë ka patur, puna është bërë. Ku janë paratë? Në xhepat e qeveritarëve dhe pushtetarëve të lidhur me të ashtuquajturit “pronar” që vetëm emrin kanë në letër.

 

  • Politikat e kësaj qeverie, kanë qenë gjithmonë, për zhvleftësim të rafinerisë në Ballsh, për t’i blerë ato, apo me forma të tjera koncesioni, në mënyrën më me fitimprurëse për vete,  duke dobësuar ekonominë dhe duke varfëruar qytetarët

– Kjo uzinë është pronë shtetërore dhe është dhënë me koncesion. Pse nuk ndërhyn qeveria, në zbatim të ligjit, që punëtorëve t’u plotësohet e drejta më themelore, shpërblimi i punës?

– Rafineria e Ballshit është në një kaos të vërtetë, ka muaj që bëhet një lojë e pistë, midis qeverisë dhe pronarëve në letër, në një anë dhe punonjësve të ndershëm në anën tjetër. Ka pasur takime dhe biseda pa fund, të përfaqësuesve të sindikatës së punonjësve, ka pasur premtime, për zgjidhje problemi, por të gjitha kanë rezultuar në mashtrime, në tallje dhe në gënjeshtra. Qeveria nuk ndërhyn, qeveria nuk jep zgjidhje, se është e molepsur vetë në këtë aferë. Qeveritarët  janë pjesë e fitimeve të kësaj kompanie, ata kanë interesat e tyre këtu dhe si të tillë, nuk mund të heqin paratë nga xhepat e tyre dhe t’u japin djersëen e tyre punonjësve. Aq më tepër një qeveri në ikje, një qeveri që numëron ditët, dhe e korruptuar si kjo e Ramës, bën të kundërtën, të vjedhë sa më shumë, të përfitojë sa më tepër, si të pa ngopur që janë arrijnë dhe deri këtu, të vjedhin edhe pagat e punonjësve të ndershëm, që nuk kanë të siguruar as bukën e përditshme.

Si e shpjegoni, që Rafineria e Ballshit, është e vetmja uzinë përpunuese në Shqipëri dhe shkon drejt falimentimit, ndërkohë që rezerva të mëdha nafte nxirren nga nëntoka jonë dhe çdo ditë rritet kërkesa e tregut, rritet edhe importi i naftës?

– Rafineria e Ballshit është një rafineri që vërtet ka vite të tëra pune, por ka kapacitetet për të përballuar punë voluminoze dhe cilësore. Por politikat e kësaj qeverie, kanë qenë gjithmonë, për zhvleftësim të kësaj prone dhe shumë prona të tjera, për t’i blerë ato, apo me forma të tjera koncesioni, në mënyrën më me fitimprurëse për vete,  duke dobësuar ekonominë e vendit dhe duke varfëruar qytetarët e këtij vendi. Për këto arsye, po e vështirësojnë punën aty dhe për këto arsye punonjësit e rafinerisë janë pa punë dhe të pa paguar, padrejtësisht.

  • Gjithë administrata është mbushur me militantë partie dhe me njerëz që marrin pagat pa bërë asnjë punë. Tendera me miliona € që merren pa meritë nga njerëz afër partisë së tyre dhe firma që janë të tyret

– Pse ndërrohen kaq shpesh drejtorët e “Albpetrolit”? Çuditërisht, askush nga këta nuk është menaxher, por emërime politike, thua se Kompania është strukturë partiake?

– “Alpetroli” është një kompani shtetërore, që ka qenë shumë fitimprurëse, në qeverisjen e PD-së. Drejtuesit e saj kanë qenë specialistë të fushës. Gjatë qeverisjes së “Rilindjes”, kjo kompani është keqmenaxhuar dhe është vjedhur në mënyrë të frikshme.  Shpesh herë me vendime absurde janë dhënë me koncesione puse të veçanta, janë vjelur dhe vjedhur dhe më pas i janë kthyer  “Alpetrolit” pa zbatuar kushtet dhe penalitetet në rastin e mosplotësimit të pikave kontratës të bërë paraprakisht. Shpesh herë deri në pastrimin e plotë të administratës janë bërë fshesa dhe heqje nga puna të specialistëve dhe punonjësve që nuk janë pjesë e “rilindjes”. Gjithë administrata është mbushur me militantë partie dhe me njerëz që marrin pagat pa bërë asnjë punë. Tendera me miliona € që merren pa meritë nga njerëz afër partisë së tyre dhe firma që janë të tyret. Nuk po gjejnë rehat dhe i ndërrojnë drejtuesit shpesh herë, emra të ndryshëm, hajdutë nga më të aftët dhe duke qenë se janë me afat të shkurtër qëndrimi, nuk kanë asnjë “rregull” për të shfrytëzuar kohën për të mbushur xhepat me djersën dhe mundin, dhe me pasurinë e qytetarëve të varfër të këtij vendi. Pasi majmen disa drejtues militantë dhe hajdutë që vinin nga Tirana, me eskorta të shumta, me mjete dhe njerëz të fortë, që vinin vidhnin dhe iknin, pasi i transferuan zyrat e kompanisë në Tiranë dhe punësuan me dhjetra hajdutë të tjerë aty, tani u kujtuan të afrojnë ish drejtues që vetë i kanë anatemuar si të paaftë, por që tani që janë drejt fundit, u duhen për t’u hedhur hi syve socialistëve të ndershëm, që janë të shumtë kundër “rilindasve”. Absolutisht, kjo kompani dhe çdo  drejtori tjetër tashmë është kthyer në strukturë të “rilindjes” jo të socialistëve, pasi këta e kanë uzurpuar PS-në dhe kanë ndërtuar një grup me njerëz që ngjajnë si dy pika uji me njëri -tjetrin, për mënyrën si sillen me pushtetin dhe si e vjedhin atë. Pas 25 prillit qeveria e PD-së do t’i çmontojë këto emërime të pandershme dhe klienteliste dhe do vejë në vendin e vet çdo padrejtësi të bërë nga ky pushtet i korruptuar deri në palcë.

– Zoti Baçi, sa i besueshëm është procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputet të PD-së nga vetë anëtarësia, e jo nga kupola e PD-së? A  ka kandidatë që nuk njihen, që nuk kanë kontribuar fare në Qarkun e Fierit, por janë “emëruar” nga direktiva e PD-së?

– Partia Demokratike, është në një proçes të brendshëm përzgjedhje të kandidaturave për përfaqësimin politik parlamentar dhe lokal. PD është parti e vlerave të lirisë, parti që solli demokracinë dhe si e tillë gjithmonë sjell risi në mënyrën se si përzgjedh dhe garon për të evidentuar më të mirët dhe më përfaqësuesit. Transparenca është e dukshme në këtë proces, propozimet nga gjithë anëtarësia, pa kufizim dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Kalimi i gjithë propozimeve në komisionin e posaçëm i ngritur me figura të shquara dhe shumë parimore ndër vite te PD. Filtrimi i tyre mbi bazën e kritereve të mirëpërcaktuara, duke i vlerësuar sipas  punës, kontributit dhe vlerave të tyre. Kthimi përsëri  te anëtarësia dhe nominimi i kandidatëve një anëtar  një votë, duke shprehur mosdakortësinë për ata kandidatë që mendojnë se nuk përfaqësojnë denjësisht elektoratin, votë vendimtare kjo për ata që nuk e meritojnë të jenë në përfaqësimin politik. Kalimi përsëri te komisioni, më pas në kryesinë e Partisë dhe në fund kalimi në KK të Partisë, siguron vërtet një listë me përfaqësuesit më të devotshëm dhe më dinjitozë të PD-së. Ky proces ka filluar dhe është në vazhdimësi. Qarku Fier e realizon në datë 8 tetor, në të gjitha degët e tij. Në Fier, Lushnjë, Divjakë, Mallakastër, Patos dhe Rroskovec. E gjithë anëtarësia është e angazhuar për një proces transparent, korrekt dhe gjithëpërfshirës. Proces që i jep dorën përfundimtare  ekipit drejtues  dhe fitues në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

– Faleminderit!

Qeveria nuk ndërhyn, qeveria nuk jep zgjidhje, se është e molepsur vetë në këtë aferë. Qeveritarët  janë pjesë e fitimeve të kësaj kompanie, ata kanë interesat e tyre këtu