Klajda Gjosha: Bashkimi Europian e tha qartë me mos hapjen e negociatave: Shqipëria ka nevojë për lidership të ri

396
Sigal

Klajda Gjosha, ish- ministre e Integrimit

Të diskutosh sot sovranitetin për ligjet kushtetuese, kur Shqipëria  i ka ndërkombëtarët  pjesë të Kushtetutës  së saj, është paradoks i madh!  Filozofia e Kryeministrit është, i përdor të huajt kur ka nevojë dhe më pas “mbron sovranitetin”,  kur nuk i duhet më suporti i tyre!

BE-ja e tha qartë: Shqipëria ka nevojë për lidership, që zgjidh krizat

 

Jakup B. GJOÇA

 

Klajda Gjosha, ish- ministre e Integrimit në intervistën për gazetën “Telegraf”,  thekson se një njeri, si kryeministri Rama, që akuzohet për vjedhje dhe manipulim votash, nuk mund të ketë kredencialet që të negociojë për zgjidhjen  e krizave politike në vendet e tjera. Ish -ministrja e Integrimit , Gjosha thotë se BE-ja duke i mbyllur portat e negociatave për anëtarësim e tha qartë, se Shqipërisë i nevojitet një lidership. Zonja Gjosha  thotë, se pavarësisht se Kryeministri Rama do të ndalojë koalicionet parazgjedhore, me shpresë që të shmangë humbjen elektorale, pohon  se “Opozita do të shkojë  në zgjedhje  më e vendosur dhe më fitimtare se kurrë, pavarësisht provokimeve apo mënyrës dhe taktikave që do të përdoren për ta demoralizuar atë!”

– Zonja Gjosha, kryeministri Rama, edhe pse me detyrën e kryetarit të OSBE-së çfarë zgjidhje mund të ofrojë në krizën e Bjellorusisë, derisa “BILD” dhe “Zëri i Amerikës” i publikuan audiopërgjimet për vjedhjen e manipulimin e votave në bashkëpunim me njerëzit e krimit? 

– Shqipëria në kuadrin e kryesimit  të OSBE-së, do duhet të ishte në gjendje të ofronte një ndërmjetësim për zgjedhjen e krizës në Bjellorusi, por paradoksi qëndron te figura e Kryeministrit  tonë për të udhëhequr dialogun, te mungesa e besueshmërisë, apo aftësive për të negociuar. Një njeri që nuk negocion dot, apo nuk zgjidh dot krizat në vendin e tij, është e vështirë të mendohet, që do të ketë sukses jashtë kufijve, aq më tepër kur ai vetë, është i akuzuar për vjedhje të zgjedhjeve!

– Bashkimi Europian kësaj here (për të tretën herë), vetëm Shqipërisë nuk i hapi negociatat e anëtarësimit, për arsye se nuk u plotësuan kushtet e reformave të integrimit. A nuk është kjo e mjaftueshme që kryeministri Rama të japë dorëheqjen, siç bëri kryeministri Zaev?

– Dorëheqjen Kryeministri Rama do duhej ta kishte dhënë prej kohësh, jo vetëm për mbajtjen pezull  të procesit të integrimit  europian, por për premtimet e pambajtura, për shkeljet flagrante të Kushtetutës, për keq qeverisjen dhe skandale të pafundme  në të cilat është përfshirë qeveria! Të gjitha këto kulmojnë me kushtet e shtuara nga BE-ja  për Shqipërinë, si dhe ndarja e vendit tonë nga Maqedonia e Veriut për çeljen e negociatave. Fatkeqësisht dorëheqja është një akt demokratik për një burrë shteti dhe Kryeministri ynë nuk ka asgjë të përbashkët me këtë!

– Zonja Gjosha, BE-ja dhe SHBA-ja nuk i njohën zgjedhjet në Bjellorusi. Pse këto nuk reaguan për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019  në Shqipëri, kur mungoi edhe opozita, dhe partia e vetme mori 94% të votave? 

– Unë nuk bëj pjesë te ata politikanë që mendojnë se fjala e ndërkombëtarëve është gjithçka. Unë besoj te zgjidhja e krizave mes liderëve dhe partive politike nëpërmjet dialogut  të brendshëm dhe vullnetit  të mirë. Shqipëria ka nevojë për lidership, që zgjidh krizat, sepse vetëm kështu mund të jemi një vend i denjë për të negociuar me BE-në.

Mosintegrimi i Shqipërisë në BE,  a është mungesë vullneti politik i kryeministrit Rama, derisa në 8 vite nuk plotëson standardet demokratike që kushtëzon Bashkimi Europian?

– Dështimi me integrimin është faturë e rëndë e kësaj qeverie që nuk pranoi kurrë realitetin, nuk pranoi asnjëherë  kushtet që shtoheshin çdo ditë dhe mashtroi shqiptarët për tre vite rradhazi se kishte çelur negociatat. Nëse ti nuk pranon problematikën, atëherë nuk do të punosh asnjë ditë për ta zgjidhur atë! Në tre vite vendi  ka bërë vetëm hapa pas dhe i është larguar ndjeshëm standardeve  demokratike dhe vlerave europiane!

–  Si e analizoni Ju,  apelin e kryeministrit Rama që nuk do pranojë kushtet e ndërkombëtarëve për ligje kushtetuese, duke iu referuar sovranitetit të Shqipërisë?

– Të diskutosh sot sovranitetin për ligjet kushtetuese,  kur Shqipëria i ka ndërkombëtarët pjesë të Kushtetutës  së saj, është paradoks i madh!  Filozofia e Kryeministrit është, i përdor të huajt, kur ka nevojë dhe më pas “mbron  sovranitetin”,  kur nuk i duhet më suporti i tyre!

Mendoni se edhe ndërkombëtarët kanë filluar të diferencohen nga politikat e kryeministrit Rama? Çfarë ka ndryshuar, në qëndrimin e ndërkombëtarëve?

– Qëndrimi i BE-së  nëpërmjet  kushteve  të vendosura dhe ndarja me Maqedoninë e Veriut, janë dy akte tepër të forta që tregojnë diferencimin nga politikat e Kryeministrit Rama!

A mendoni se kryeministri Rama provokon opozitën, që të bojkotojë zgjedhjet parlamentare të rradhës, derisa prish marrëveshjen e 5 qershorit, derisa me ndryshime Kushtetuese do të ndalojë në Reformën Zgjedhore koalicionet parazgjedhore?

– Opozita do të shkoj në zgjedhje më e vendosur dhe më fitimtare se kurrë, pavarësisht provokimeve apo mënyrës dhe taktikave që do të përdoren për ta demoralizuar atë! Numrat këtë rradhë janë më kokëfortë se përdorimi i pushtetit për të përvetësuar zgjedhjet!

– Të gjitha manovrat e Kryeministrit do të rezultojnë në një dështim spektakolar!

A është pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit 2020, që bashkë me zgjedhje parlamentare të bëhen zgjedhjet vendore?

– Nuk është pjesë eksplicite e marrëveshjes, por çdo gjë do të varet nga vullneti politik i palëve!

– Falëminderit!