40% e pronave të hipotekuara me vendime fallco

315
Sigal


Hajdutëria e pronave, 40% janë hipotekuar me vendime gjykate të falsifikuar

Përparim HALILI

 

Ka qenë e shfrenuar dhe e pa kontrolluar, hajdutëria e bërë me pronat
pasuri publike e private në 25 vitet pas daljes së ligjit për rikthimin e tyre,
sidomos pas futjes në veprim të Ligjit 7501 me formë e përmbajtje të plotë “reforme
agrare”, me të cilin toka iu dhurua atyre që e punonin dhe jo atyre që e kishin
pronësi historike, të trashëguar e të sekuestruar me reformën agrare të vitit
1946. Kjo zhvatje pronash me përmbajtje “krimi me tokat”, nuk është bërë me
“magji”, por me dosje false, të sajuara e të “zografisura” nga falsifikatorët
me kërkesa e pagesa të përfituesve të paligjshëm. Ata kanë përgatitur dosje e
akte vendimore e trashëgimi pronësie, gjoja sikur kanë qenë pronarë të mijëra
hektarëve toka, pyje, kullota, ullishte, pemëtore, vije bregdetare e të mijëra
metër katrorë troje. Vetëm në 10 vitet e fundit, janë zbuluar 376 raste abuzimi
me objekt përfitim tokash, pyjesh, kullotash e trojesh në sipërfaqe të mëdha,
pa qenë as pronarë blerës, as pronarë faktikë direkt e as trashëgimtarë. Po kështu,
sipas organeve të drejtësisë, janë evidentuar 123 mijë raste individësh e
familjesh, të cilët kanë përfituar ose kanë qenë në proces përfitimi tokash e
trojesh me letra të falsifikuara, duke i hipotekuar ato edhe me vendime gjykate
të falsifikuara, gjoja sikur këto prona janë përfituar me vendime gjykate! Ky falsifikim
është bërë me qark të mbyllur me pak duar, për të mos u zbuluar. Çfarë ka
ndodhur? Duke mos qenë pronarë realë tokash e trojesh, hajdutët falsifikatorë të
dosjeve të pronave, në bashkëveprim me duart e pista brenda zyrave hipotekore në
zonat ku gjenden trojet e tokat, kanë sajuar vendime gjykatash me numër, me dëshmitarë,
me vula e firma false të tyre. Ata kanë përdorur emra gjyqtarësh të zonës,
madje edhe vendime të Gjykatave të Apelit e të shkallëve të larta të gjykatave dhe
i kanë paraqitur në hipotekë si “të rregullta” këto vendime. Zyrtarët dhe specialistët
e hipotekave të lidhur me ta në këto falsifikime, kanë bërë regjistrimet e
pasurive dhe me certifikata të lëshuara prej tyre, hajdutët e pronave kanë
zaptuar qindra hektarë toka, troje, pyje, kullota, sipërfaqe në bregdet, madje
edhe male! Rasti i fundit i kësaj hajdutërie të tokave u zbulua në Ksamil, ky me
vendime gjykate të falsifikuara ishin zaptuar e kthyer në pronësi personale 50
hektarë tokë, regjistruar në zyra hipotekore pa verifikuar as vendimin fals të
gjykatës, as statusin e pronës në institucionet që merren me pronat, as në
pushtetin lokal e askund, tashmë e sekuestruar nga prokuroria. I tillë ishte
edhe rasti i vjedhjes së 220 hektarëve tokë në
Gadishullin e Karaburunit në Vlorë, regjistruar prej noteres dhe hipotekës me
një vendim gjykate të falsifikuar. Po kështu në Korçë, në disa ish-komuna e
bashki Tepelenë, Lushnjë, Tiranë, Fier, Berat, Shëngjin e në ish-komunën
Bushat. Sipas dosjeve që disponon drejtësia, rezulton se 40% e sipërfaqeve të
tokave, pyjeve, maleve, sipërfaqeve bregdetare, tokave bujqësore, trojeve
publike të ish-ndërmarrjeve shtetërore e ish-fermave bujqësore, janë përfituar
nga individë e familje me vendime gjykatash të falsifikuara prej tyre.