250 mijë euro, një tender për një drejtor

496
Në janarin e 2016, të gjithë drejtorët e emëruar në Elbasan, pavarësisht rezultateve dhe lidhjeve miqësore me deputetët dhe politikanët, do t’u nënshtrohen një “testimi”, i cili duket se do t’u kushtojë atyre goxha para. Veç arsimit, sektori që bën përjashtim në testimin e janarit, të gjithë drejtorët e tjerë do të merren në “provimin” e radhës. Burimet e gazetës “Telegraf”, që u referohen deklaratave nën zë nga disa drejtues në Elbasan, thanë se “kësaj here do të jetë ndryshe gjithçka, ai ose ajo që nuk jep para, nuk ka shanse të mbajë vendin e postin e drejtorit. 

Posti i drejtorit, kushton 250 mijë euro
Pra, secili drejtor aktual, që të mbajë vendin e punës duhet të paguajë. “Tarifa ka vajtur deri 250 mijë euro, vlerë, e cila duhet dhënë, ndryshe je automatikisht pa punë dhe hajde gjeje mikun të rikapësh sërish majën”. Duke pasur parasysh rritjen e numrit të denoncimeve për aferat korruptive në organet e hetimit, rritjen e denoncimeve për drejtuesit që i kanë kthyer institucionet në çifliqe, duke paracaktuar gjoba për cilindo që merret në punë, duke shitur vendet e punës hapur përmes sekserëve, apo skandalet me tenderat që nuk dihet se si janë fituar nga miq deputetësh, ministrash dhe politikanësh, duke mos bërë asnjë lekë punë, edhe ministrave u bie “barra” që sërish në janar të 2016 të testojnë “njohuritë dhe zotësitë” e atyre që prej 2 vitesh po drejtojnë strukturat në bazë. Fakti është se në Elbasan drejtorët mbeten të përfolur për lidhjet me aferat korruptive, për shkelje ligjore dhe abuzime me detyrën, duke kthyer institucionet dhe ndërmarrjet në streha për të paaftët, në çerdhe familjare dhe skuta korrupsioni.

Auditimet e KLSH, abuzimet i kalojnë 532 milionë lekë
KLSh për vitin 2014 dhe 2015, ka zbuluar shkelje skandaloze në pothuajse të gjitha institucionet shtetërore të Elbasanit, dhe abuzime që kapin vlera të konsiderueshme që i kalojnë 532 milionë lekë të reja. Testimi i janarit 2016, dhe paracaktimi i “gjobave” që shkojnë deri në 250 mijë euro, është sprova e radhës për ata drejtues që kanë shkatërruar ndërmarrjet dhe institucionet, kanë shitur dhe blerë sikur të ishin në çifliqet e tyre, që kanë punësuar dhe larguar nga puna specialistët dhe kanë mbushur zyrat dhe sektorët me të paaftë, të paarsimuar, dhe të lidhur me afera korruptive dhe që janë prej kohësh edhe në ndjekje penale. Shpesh të punësuarit e drejtuesve shërbejnë si hafije për të marrë informacione nga kolegët e tyre mbi përshtypjet ndaj drejtuesve, apo mendimin e tyre për ecurinë e punëve. Shkrehja e punës, duke nisur nga orari zyrtar, mbetet një nga faktorët e shkatërrimit të institucioneve në Elbasan, ndërkohë që edhe akuzat dhe abuzimet me paratë e investimeve dhe tenderat mbetet prej muajsh objekt i organeve hetimore. 

Në Prokurorinë e Elbasanit mësuam se “prej 3-4 muajsh janë nën survejim 4 drejtues institucionesh që dyshohet se janë përzierë në afera korruptive, në marrje parash për një vend pune, me vlera deri 5-6 mijë euro, apo edhe punësime të tjera me vlera deri 14 mijë euro, apo edhe falje apartamenti, jemi në fazën fillestare dhe intensive të hetimeve, përgjimeve dhe shumë shpejt do të kemi goditje dhe publikime emrash”. Dhe pikërisht këtyre 4 drejtuesve do t’u duhet t’i japin me qejf 250 mijë eurot në janarin e 2016, e para për të mbajtur vendin e punës dhe për t’i shpëtuar përkohësisht ndonjë denoncimi nga ministri, gjë e cila do ta fundoste përfundimisht dhe do ta çonte atje ku ishte para 23 qershorit 2013 dhe, e dyta, për të pasur mundësi të reja për të tentuar blerjen e ndonjë prokurori, apo gjyqtari. 
Sigal