18 tetori, Gjosha : Vendimin e dha Gjermania. Kushte për Qeverinë, uroj që të mos ketë të tjera

445
Sigal

Redjon Shtylla 

Qeveria po e shet si fitore ”PO” Gjermane për mbështetjen ndaj çeljes së negociatave të Integrimit në BE por këtë vendimin, partia më e madhe qeverisëse në Gjermani, CDU-CSU e ka shoqëruar me 9 kushte. Si duhet ta kuptojnë shqiptarët këtë qëndrim? ”Koha Jonë”, kontaktoi me ish-ministren e Integrimit, Klajda Gjosha, e cila thotë se Gjermania ka folur në mënyrë diplomatike. Për të ”PO” në fakt është një ”JO” deri në momentin që të tregohen rezultatet konkrete.

””Po”-ja e shoqëruar me kushte e Gjermanisë është mënyra diplomatike për t’i thënë Shqipërisë se ata kanë një vullnet të mirë për celjen e negociatave me vendin tonë, por që praktikisht për ta arritur këtë duhet të plotësohen disa standarte kyçe në funksionimin e një shteti. E gjithë kjo përkthehet në një “Jo” deri në momentin kur ne të tregojmë rezultate konkrete në 9 pikat e vendosura, të cilat janë qartësisht pasqyra e realitetit shqiptar”,-thotë Gjosha.

Nga ana tjetër, ish-deputetja e LSI-së, thotë se 9 pikat e Bundestagut janë në thelb zgjidhja e krizës politike, institucionale dhe Kushtetuese. ”Janë një plan veprimi që qeveria do duhej t’i kishte pjesë të prioriteteve të saj të përditshme por që ka dështuar me vetëdije të plotë”.

E pyetur se si do të jetë vota e 18 tetorit për Shqipërinë dhe në bazë të kontakteve që ish-ministrja e Integrimit ka, pse nuk ka një qëndrim të qartë për çeljen e negociatave nga ana e vendeve anëtare të BE-së për Shqipërinë? Për të përgjigja e 18 tetorit u dha dje, kushte dhe vetëm kushte për qeverinë. ”18 Qershori tashmë nuk mund të jetë ndryshe nga dokumenti i djeshëm. Uroj që të mos kemi kushte shtesë nga vendet e tjera anëtare, sepse gjithësecila prej tyre ka të drejtën e fjalës në këtë vendim të rëndësishëm për Shqipërinë”.