Zef Preçi: Tymnajë patriotike mbi arbitrazhin ndërkombëtar

165

“Përcaktimi në projektligjin në fjalë i konfidencialitetit ngre pikëpyetje të mëdha, shton dyshimet për rrezikun e marrëveshjeve gjyqësore jotransparente.Për më tepër që sistemi ynë i drejtësisë, duke përfshirë edhe institucionet e reja në përbërje të këtij sistemi të krijuara në kuadrin e reformës në drejtësi, ende është i pabesueshëm”

Sigal

Pas deklarimit të KM Rama se Shqipëria po mendon të largohet nga Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve me qendër në Uashington (ICSID), projekt-ligji “Për Arbitrazhin në Republikën e Shqipërisë” duket se shënon një shtesë në serinë e akteve ligjore në fuqi në vendin tonë, por pa ndonjë ndikim thelbësor ndaj investimeve të huaja në vendin tonë. Në vlerësimin tim, janë një numër problemesh që meritojnë të analizohen përpara ngutjes për të ndërmarrë një akt ligjor si ky që ofroi qeveria ditët e fundit. Piramida e hierarkisë së legjislacionit shqiptar e sanksionuar në nenin 116 të saj parashikon se marrëveshjet ndërkombëtare vendosen nën Kushtetutë në renditjen e akteve normative, ndërsa neni 122 nënvizon pozicionin e tyre hierarkik në raport me të drejtën e brendshme, duke parashikuar se marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara me ligj kanë epërsi mbi ligjet e brendshme, që nuk përputhen me to. Siç dihet, marrëveshjet ndërkombetare janë të regulluara me ligje të veçanta dhe rast pas rasti përpara ratifikimit të tyre parashikohet shqyrtimi i “ç) përputhshmërinë me Kushtetutën, legjislacionin e brendshëm dhe të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, si dhe me acquis të Bashkimit Europian” (Neni 8, pika 4, ç) e ligjit Nr. 43/2016 “Për Marrëveshjet Ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”). Në këtë kuptim, mendoj se rregullimi ligjor që propozohet është i panevojshëm dhe i pazbatueshëm nëse bëhet fjalë për evitimin e shqyrtimit të mosmarrëveshjeve nga ICSID (sepse bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe marrëveshjet e nënshkruara). Kontratat/marrëveshjet e investimeve të huaja, për një numër arësyesh, janë të hartuara në një mënyrë të tillë që të sigurojë mbrojtje ligjore sipas së drejtës ndërkombëtare, si dhe të kenë qasje në mënyrat ndërkombëtare të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në rast se ato do të lindin. Kjo e bën të panevojshme dhe të pamundshme një zgjidhje tjetër jashtë këtij modeli. Pikërisht për të mundësuar sigurinë juridike të investimeve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, janë parashikuar edhe metodat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në marrëveshjet bilaterale dhe multilaterale të investimeve. Gjithashtu, thuajse të gjitha marreveshjet kryesore të nënshkruara deri më tani nga shteti/qeveria shqiptare parashikojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga arbitrazhi ndërkombëtar, por ndryshon puna nëse në ato marrëveshje në të cilat parashikohet zgjidhja e mosmarrëveshjeve nga sistemi gjyqësor vendas/shqiptar. Qysh në nenin 1 të projekt-ligjit thuhet se “Ky ligj përcakton rregullat për organizimin dhe zhvillimin e procedurave të arbitrazhit vendas dhe ndërkombëtar kur vendi i arbitrazhit është në Republikën e Shqipërisë.”, gjë që nuk është e parashikuar në asnjërën prej marrëveshjeve ndërkombëtare në fuqi për çështjet e investimeve dhe të tregtisë. Transparenca ka një rëndësi të madhe nëse rregullat e rëndësishme për ekonominë dhe zbatimi i këtyre rregullave në praktikë është në dispozicion për të gjithë dhe kur nuk krijohen pengesa për sigurimin e informacionit për palët në marrëdhëniet në fushën e investimeve. Përderisa marrëveshjet kryesore të nënshkruara deri më tani nga shteti/qeveria shqiptare janë për çështje të shfrytëzimit të burimeve natyrore, të drejtave eksluzive të shtetit, etj., përcaktimi në projektligjin në fjalë i konfidencialitetit ngre pikëpyetje të mëdha mbi qëllimin e vërtetë të ligjit, shton dyshimet për rrezikun e marrëveshjeve gjyqësore jotransparente që cënojnë rëndë besueshmërinë e institucioneve dhe interesat publike, etj. Për më tepër që sistemi ynë i drejtësisë, duke përfshirë edhe institucionet e reja në përbërje të këtij sistemi të krijuara në kuadrin e reformës në drejtësi, ende është i pabesueshëm dhe gëzon një reputacion të keq ndërkombëtar. Pavarësisht kësaj, personalisht besoj se ky draft-ligj është ofruar kryesisht për qëllime propagandistike dhe që nuk do të sjellë asnjë efekt pozitiv në problematikën serioze të mosmarrëveshjeve të trashëguara, të krijuara apo edhe të nxitura nga deklarimi i sipërcituar i zotit Rama për mundësinë e denoncimit të ICSID. Madje kakofonia e krijuar qëllimisht me këtë rast, e përcjell edhe nga mas-media serioze sikur përmes këtij akti bëhet e mundur shmangia e përballjeve në ICSID në të cilën Shqipëria ka humbur disa gjyqe në vlera të mëdha me disa kompani private, apo shmangija e më shumë se 10 proceseve në proces në këtë arbitrazh, etj. janë tërësisht të gabuara dhe propagandistike. Në mënyrë që ekonomia e vendit të futet në binarët e rritjes ekonomike të qëndrueshme, mendoj se politikat e qeverisë duhet të fokusohen kryesisht në cështjet bazë që kanë të bëjnë me mjedisin e biznesit. Të tilla janë çështjet që lidhen me konsumin, me shtimin e prodhimit vendas, me lirinë e tregut, me nxitjen dhe garantimin e konkurrencës dhe me vetë sipërmarrjet private. Përndryshe, ndërmarrja e akteve të tilla ligjore pa efekt mbi ekonominë nuk e ndalon dot përkeqësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve në vend, nuk frenon largimin e investitorëve nga vendet e BE dhe zëvendësimin e tyre me ato kineze, arabe, turke apo ruse, etj. Natyrisht që për përmirësimin e klimës së biznesit në vend themelore mbetet lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga oligarkia dhe krimi i organizuar që janë ndër sfidat më të mëdha aktuale në ekonominë dhe vetë shtetin shqiptar.