Xhevat Mustafa:Rrënuesi i PS-së nuk mund të bëhet rilindës i Shqipërisë

627
Sigal

“…detyrë urgjente dhe parësore për të majtën është rilindja e vërtetë e PS-së, të deformuar rëndë në identitet nga Edi Rama e të marrë peng prej tij. Rilindja e PS-së nuk është dëshirë vetëm e gati gjysmë-popullit të majtë, sepse kjo parti është  pasuri kombëtare, ka në gjirin e saj vlera të shumta e të padiskutueshme intelektuale, shkencore, kulturore, politike, ka personalitete që mund t’i japin shumë vendit dhe kombit; sepse Edi Rama do të jetë kalimtar, ndërsa kjo parti do të jetojë gjatë.”

 

Është njëherazi shprehje reflektimi, emancipimi dhe optimizmi kur dëgjon idealistë dhe militantë të së majtës të thonë me sinqeritet dhe keqardhje se para zgjedhjeve të 23 qershorit ndjehen mes dy të këqijave. Këto zëra duket se janë shtuar sidomos pas “rrufesë në një qiell me diell”, në fillim të prillit, rikthimit tëLSI-së në koalicion me PS-në dhe aleatët e tjerë të saj. Nuk mund të fshihet se ky akt ka shkaktuar huti, çorientim dhe zhgënjim tek jo pak socialistë, që nuk ndërrojnë bindje e flamur dhe që nuk besojnë për sinqeritet dhe jetëgjatësi të këtij flirti apo pazari politik. Merret me mend dhe është e pritshme se për shumicën e zgjedhësve të majtë e keqja e parë është Kryeministri Sali Berisha. Por, e rëndësishme dhe premtuese është se mes tyre nuk janë të paktë ata që kanë pjekurinë dhe kurajën të shohin dhe llogarisin si një të keqe edhe Edi Ramën. Sipas bindjes sime dhe argumenteve të mia, sigurisht subjektive dhe të diskutueshme, Edi Rama përbën me të vërtetë një të keqe të madhe jo vetëm për PS-në, përbën rrënuesin e saj, si me të këqijat e lindura e të trashëguara, ashtu dhe me ato të fituara gjatë jetës. Edi Rama ka ardhur në PS nga trotuaret e Parisit, ku mbijetonte si piktor ambulant, deri sa e gjeti fati i tij, Fatos Nano, kur nuk kishte dhënë kontribut personal për këtë parti e të majtën. Përkundrazi, nuk mund të harrohen lehtë e shpejt thirrjet e tij në mitingun para stadiumit “Qemal Stafa”, në 15 janar 1991, për t’i arrestuar, burgosur dhe masakruar të gjithë komunistët e atëhershëm, një pjesë e mirë e të cilëve janë mbështetës dhe votues të PS-së së sotme. Edi Rama u bë rrënues i PS-së, sepse ishte bartës apo u infektua vazhdimisht me “viruse të së keqes”, sidomos nga bashkëjetesa shoqërore, biznesore dhe politike me disa njerëz “binjakë” me të për nga mentaliteti dhe preferencat, për nga stili i sjelljes dhe veprimeve. Shumica e tyre ishin pa lidhje gjenetike me PS-në dhe pa kontribute për të, që e shohin dhe e llogarisin këtë parti si lopë për t’i pirë deri në pikat e fundit qumështin, pa ndjerë keqardhje e mëshirë, kur mund të shohin edhe pika gjaku. Edi Rama përbën  rrënuesin e PS-së për mënyrën se si e ka drejtuar dhe po e drejton këtë parti dhe koalicionin e majtë. Qysh kur ai ka rrëmbyer fronin e kryetarit të PS-së janë varrosur për së gjalli demokracia e brendshme, strukturat, forumet, debati, kolegjialiteti, mendimi “ndryshe” dhe  shprehësit e tij dhe  e ka shndërruar  këtë parti në pronë apo kompani të tij familjare apo klanore. Kështu mund të thuhet se këto vitet e fundit elektorati i majtë ka mbetur pa parti gjenetikisht socialiste, pa strategji dhe programe sinqerisht dhe qartësisht në interesin dhe dobinë e tij, pa politikë të mirëfilltë sociale. Mjafton të kujtojmë se në të ashtuquajturin program elektoral të Edi Ramës për zgjedhjet e 23 qershorit nuk ka objektiva konkrete, me përqindje për çdo vit, për rritjen e pagave dhe të pensioneve, siç ka bërë për 8 vjet dhe premton të bëjë edhe në mandatin e tretë PD-ja dhe Berisha. Duke lakuriqësuar  cektësinë e tij në njohuritë e tij për politikën ekonomike dhe sociale dhe duke mos marrë parasysh dështimin e Presidentit socialist të Francës, Fransua Hollande dhe zhgënjimin e qytetarëve francezë, qysh brenda vitit të parë të aplikimit të taksës progresive, Rama premton ta thellojë edhe më shumë rrënimin e imazhit të PS-së, boll të dëmtuar deri tani prej tij, duke  zbatuar taksën progresive?! Nëse do të kishte dëshirë të sinqertë  për të punësuar me të vërtetë 300.000 vetë; për të rritur pagat dhe pensionet,  mirëqenien e qytetarëve shqiptarë në përgjithësi dhe do të dëgjonte me respekt, me vëmendje dhe reflektim këshilltarë të mirë nga fusha e shkencës ekonomike, nuk do ngulte këmbë si mushka për taksën progresive, sidomos në një vend si i yni, në kushtet e zhvillimit ekonomiko-social të tij dhe të krizës ekonomiko-financiare të përbotshme, që ka mbërthyer edhe vendet fqinje, Greqinë dhe Italinë.  Gjithashtu, Edi Rama e ka çuar vazhdimisht përpara procesin e rrënimit të PS-së me sjelljen me tufa në strukturat drejtuese të njerëzve pa CV intelektuale dhe politike ose me CV të varfra në këto drejtime dhe me dëbimin nga partia ose lënien jashtë listës së kandidatëve për deputetë  të  intelektualëve dhe politikanëve elitarë si Fatos Nano, Kastriot Islami, Arben Malaj, Ethem Ruka, Ilir Gjoni, Arben Isaraj, Qemal Minxhozi, Andis Harasani, etj.. Kështu ai e afirmoi vetveten si lider që ka të keqen e madhe se nuk mund të bashkëjetojë demokratikisht me politikanë që kanë kurajë dhe kulturë debati dhe për mendim “ndryshe”, për t’ia thënë në sy dhe publikisht gabimet apo të këqijat, që bënte ai në drejtimin e partisë dhe të koalicionit të saj. Edi Rama u konfirmua apo u damkos edhe më shumë si rrënues i imazhit të PS-së në vend dhe në botë, kur, duke i trajtuar deputetët e tij si manekinë apo kartonë, u imponoi vullnetin dhe interesin e tij ngushtësisht personal e klanor për të votuar kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kundër liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, kundër Rrugës së Kombit, kundër Rrugës së Arbrit, kundër Rrugës dhe Tunelit të Elbasanit, kundër marrjes nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE, kundër…çdo ligji dhe vendimi, që ishte në dobi të vendit e të kombit?! Gjithashtu, ai ka përgjegjësinë kryesore morale dhe ligjore për dëmtimin rëndë të imazhit të PS-së, duke paraqitur jo vetveten dhe ortakët e tij, por krejt partinë si organizatore dhe drejtuese e një demonstrate masive tejet të dhunshme, si ajo e 21 janarit 2011 në Tiranë, me objektiv kryesor protestimin ndaj LSI-së dhe liderit të saj, Ilir Meta, prej rreth 2 muajsh, publikisht, aleati kryesor i tij në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit. Edhe pse janë të freskëta dhe nuk mund t’i falen të këqijat që i shkaktoi PS-së dhe të majtës në përgjithësi, 4 vjet më parë, duke e bërë jo të efektshëm dhe humbës koalicionin e këtij krahu në zgjedhjet e vitit 2009, Edi Rama nuk reflektoi as për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, duke e sajuar dhe lënë koalicionin e partive të majta tepër anemik dhe inferior ndaj atij të së djathtës, duke i djegur mijëra vota  qysh në lojën parazgjedhore, me përzgjedhjet, vendimet dhe listat e tij arbitrare. Edi Rama po rishpreh se është rrënues i i imazhit dhe mbështetjes së PS-së edhe për nga mënyra e komunikimit dhe sjelljes me qytetarët. Duke u ndjerë keq para Berishës, që ka avantazhin dhe komoditetin të flasë me vepra konkrete, të realizuara dhe me projekte të filluara, të miratuara e të garantuara, Edi Ramës i ka mbetur të përdorë në takimet elektorale premtime boshe, broçkulla, fyerje, kërcënime; të përçmojë NATO-n, Monumentin e Demokracisë në Kavajë, Rrugën e Kombit dhe rrugët e tjerë të standardit të autostradave. I ndodhur ngushtë dhe i detyruar t’u thotë diçka patjetër, ai është bërë qesharak, duke u thënë se ju ka rrënuar qeverisja e Berishës dhe mbijetoni me lista edhe atyre që kanë biznese fitimprurëse; nga 2-3 punë apo përfitime mujore në rreth 100-150.000 lekë të reja; vila 2-4 katëshe apo apartamente të bollshme e komode në qytete dhe në plazhe; depozita bankare në mijëra euro apo qindra mijëra lekë të reja; që bëjnë çdo vit pushimet verore në plazhet dhe në hotelet me 4-5 yje të Turqisë, Greqisë, Spanjës; që me pasaportat biometrike në xhepa shkojnë sa herë të duan tek fëmijët dhe të afërmit e tjerë të tyre emigrantë në Greqi, Itali, Gjermani, Belgjikë, Austri, Zvicër… Ai rrënon edhe më shumë jo vetëm imazhin e tij personal dhe të PS-së, bëhet edhe më i pabesueshëm e qesharak, kur duke qenë gjatë 3 mandateve si kryebashkiak partizan i flaktë i taksave të shumta e të larta për bizneset e vegjël e të mesëm dhe duke mos e ditur se sa janë aktualisht, pas uljeve të ndjeshme e të vazhdueshme të Berishës e të Bashës, tani jargavitet duke premtuar se do të tjetërsohet, duke i ulur të gjitha taksat për to, nënkuptohet, duke zbatuar taksën e tij progresive?!  Edhe gjatë kësaj fushate elektorale Edi Rama i ka shkaktuar dëme PS-së në ato raste kur nuk ka arritur të vetëpërmbahet, të shmangë sjelljet pa takt me bashkëbiseduesit, duke mos i lënë të formulojnë deri në fund një vërejtje apo kërkesë, duke folur me ta me duart në xhepa. Ka vepruar kështu gati në të njëjtën kohë kur kundërshtari i tij, Berisha, rreth 20 vjet më i madh se ai në moshë, i dëgjonte qytetarët me bllok dhe stilolaps në dorë, u zgjidhte probleme në vend apo me t’u kthyer në kabinetin kryeministror. Edhe më keq, Rama nuk ka denjuar t’u përgjigjet, u ka kthyer kurrizin apo u ka tërhequr veshin atyre, që kanë guxuar t’i thonë se po flet si e ëma e Zeqos majë thanës e mos na pandeh dhe trajto si të verbër apo si kalamaj, që i gënjen më një tullumbace apo me një top futbolli me shumë ngjyra, etj.. Gjatë periudhës rreth 7 vjeçare të ushtrimit të funksionit të kryetarit të PS-së Edi Rama është shfaqur dhe ka vepruar si  një lider pa gjerësi dhe thellësi vizioni politik, i prirur ndaj zgjedhjeve dhe zgjidhjeve, vendimeve dhe qëndrimeve individualiste, më së shumti larg frymës dhe praktikave të kolegjialitetit, të konsensusit dhe bashkëpunimit.  Po kështu, gjatë këtyre viteve Edi Rama i ka shkaktuar dëm dhe bërë keq jo vetëm imazhit dhe reputacionit të PS-së edhe në takimet dhe bisedat me diplomatë dhe politikanë të huaj në Tiranë apo në Bruksel, Strasburg, Vjenë, etj.. Ai u ka djegur shumë kohë të vlefshme dhe i ka fyer me mungesë respekti dhe reflektimi ndaj këshillave të tyre dashamirëse e të sinqerta, duke u lënë të mendojnë, ndoshta deri aty,  se ai është me zemër, votë si dhe për nga veprat  edhe më pak shqiptar se ata.  Në këto kushte, ndëshkimi me humbje dhe me dorëheqje  pa rikthim i Edi Ramës, do t’i hapte rrugën një lideri, që të ketë vizionin dhe aftësitë për ta rilindur  PS-në si dhe një rrotacioni të gjykuar të nevojshëm e të mirëpritur nga shumica e zgjedhësve! Pra, detyrë urgjente dhe parësore për të majtën është rilindja e vërtetë e PS-së, të deformuar rëndë në identitet nga Edi Rama e të marrë peng prej tij. Rilindja e PS-së nuk është dëshirë vetëm e gati gjysmë-popullit të majtë, sepse kjo parti është  pasuri kombëtare, ka në gjirin e saj vlera të shumta e të padiskutueshme intelektuale, shkencore, kulturore, politike, ka personalitete që mund t’i japin shumë vendit dhe kombit; sepse Edi Rama do të jetë kalimtar, ndërsa kjo parti do të jetojë gjatë