Viron BEZHANI/Grahmat e fundit të një qeverie në ikje

571
Sigal

Në ditët e sotme, pyetja se kush duhet të marrë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme është e bërë gabim, pasi sot mjafton që qeveria e papërshtatshme të ndërrohet përmes zgjedhjeve të lira e demokratike. Kjo është ajo që quhet demokraci dhe kjo është ajo që shqiptarët do të bëjnë në zgjedhjet e 23 qershorit. Pra, është e qartë, sot ka ardhur koha që qeveria të ndërrohet, pasi kësaj qeverie të Partisë Demokratike i ka kaluar çdo afat dhe nuk ka më se çfarë t’i japë këtij vendi. Jo vetëm kaq, por keqqeverisja në muajt e fundit ka bërë që vendi të zhytet në një krizë të thellë, krizë të cilën këta pushtetarë vijojnë të mos e pranojnë apo bëjnë sikur nuk e shohin, duke e shkatërruar edhe më shumë këtë vend. Dhe ndërkohë që çelin fushatën me buzëqeshje dhe premtime, ata harrojnë se kanë shtuar borxhet, është rritur papunësia, është shtuar analfabetizmi, krimi i përditshëm po shtohet dhe problemet sociale sa vijnë e rëndohen për shqiptarët.

Në mbarë botën, demokracia synon që pushteti të mos shkojë në duart e një njeriu të vetëm, por ai të jetë i ndarë, pasi vetëm në këtë mënyrë ligji funksionon më mirë. Por kjo gjë në Shqipëri nuk po ndodh, duke bërë që Kryeministri Berisha të ketë kontroll në çdo gjë dhe nuk lejon një balancë të pushteteve. Berisha “kapi” institucionin e Presidentit dhe më pas, zinxhirit të institucioneve të kapura me të cilin ai e ka lidhur shtetin i është shtuar edhe KQZ-ja apo edhe mjaft të tjera. Pokrijohet një Shqipëri me një pushtet të deformuar dhe ku çdo gjë shkon mbrapsht, duke mos i lënë vendin demokracisë së vërtetë të ecë përpara dhe të marrë frymë lirshëm. Për këtë arsye, të gjithë shqiptarët do të dinë të tregojnë më 23 qershor me votën e tyre se duan demokracinë, atë për të cilën kanë ëndërruar dhe që synojnë ta kenë gjithnjë dhe jo të jetë pronë e një njeriu të vetëm. Koha për të ndryshuar nga rrënjët një qeverisje të keqe, që nuk po prodhon më asgjë, ka ardhur, pasi në çdo sektor të jetës po fryn era e ndryshimit dhe e lirisë.

Partia Demokratike përpiqet të mbajë gjallë shpresën për fitore përmes gënjeshtrave, premtimeve dhe së fundi një listë deputetësh, ku shumica e emrave janë kandidatë të emëruar nga Kryetari dhe jo politikanë. Kjo duket se është ideja e Parlamentit të ardhshëm që përpiqet të krijojë PD-ja, porgabon, pasi ajo është shumë larg interesit të shoqërisë. Pas 8 vitesh qeverisje rotacioni politik është më se i nevojshëm, madje i dukshëm dhe tashmë e majta e bashkuar është gati të tregojë se është e aftë ta dërgojë Shqipërinë drejt integrimit europian. Ka ardhur koha që bashkëpunimi LSI-PS të sjellë frytet e saj në ndërtimin e së drejtës në Shqipëri, t’u japë shqiptarëve të ardhmen e merituar.

Për fat të keq vendi është zhytur në një krizë të gjithanshme dhe duket se qeveria në ikje nuk ka më forcën të ndryshojë asgjë. Berisha e ka humbur prej kohësh betejën me këtë vend, duke mashtruar. Kriza ka pushtuar çdo sektor të jetës, një ngërç që po shkatërron dita-ditës perspektivën e këtij vendi. Qeveria e PD-së nuk arriti të shfrytëzojë mundësitë që kishte, duke mos bërë as punët më elementare të shtëpisë. Një shtet që mbahet me taksa nuk shfrytëzon miliona euro të ardhura nga lojërat e fatit, por i lë ato në xhepat e pronarëve dhe rëndon gjithnjë e më shumë ekonominë e vendit. Papunësia rritet, të ardhurat bien dhe të rinjtë shohin sot një të ardhme të zymtë. Ndaj koha për t’i thënë mjaft kësaj katrahure ka ardhur dhe Shqipëria, ashtu si rinia e saj, duhet të shumë përpara, me dëshirë dhe optimizëm dhe jo me një vello gri.

Kësaj qeverie të lodhur dhe pa asnjë vizion të qartë për të ardhmen nuk i duhet lënë më asnjë minutë kohë dhe më 23 qershor vota duhet të jetë më e fortë se kurrë, më e rëndë se kurrë për të liruar këtë vend nga zinxhirët e një njeriu që e ka zaptuar atë. Korrupsioni si dhe krimi qeveritar nuk janë ndëshkuar ende politikisht apo ligjërisht, sepse gjykatat sot janë të kapura nga qeveria dhe nuk kanë forcën për të ndëshkuar qeveritarët.

Rinia shqiptare, ajo e ardhme që gjithnjë ka ditur të tregojë se vlen shumë duhet të ngrejë zërin dhe të tregojë se do të jetë sërish në ballë të ndryshimit të madh. Kjo rini duhet mbështetur e përkrahur me vepra, duke i ofruar vende pune dhe mundësi reale për të qenë e para në integrimin europian. Shqipëria e sotme kërkon një sistem arsimor më të mirë, një ekonomi të qëndrueshme dhe ku borxhi publik të jetë i ulët, një shërbim shëndetësor më të mirë dhe në shërbim të qytetarit, një shtet të së drejtës dhe jo të korrupsionit. Një vend ku qeveria të jetë e qytetarit dhe jo e një njeriu të vetëm. Këto cilësi kanë munguar në qeverisjen demokratike, ndaj ka ardhur koha që e majta t’i japë atë frymëmarrje dhe atë liri vendit që të gjithë e dëshirojnë.

Të gjithë shqiptarët meritojnë të jenë qytetarë të denjë të Europës, të kësaj familje të madhe ku ne synojmë të jemi pjesë. Afat i kësaj qeverie tashmë ka përfunduar, pasi nuk ka se çfarë të premtojë më, ndërsa koalicioni i sotëm i së majtës u jep sigurinë e duhur shqiptarëve për të shkuar drejt rrugës së duhur. E ardhmja do ta çojë Shqipërinë drejt sfidave edhe më të mëdha, me bindjen e plotë se ndryshimi pas 23 qershorit do t’i rikthejë buzëqeshjen të gjithë shqiptarëve.