Thanas L. Gjika: Sprovë për jetën dhe veprën e Astrit Lulushit

988
Poet dhe përkthyes
Astrit Lulushi shpesh herë i ka shprehur ndjenjat dhe mendimet e veta edhe pëmes vagjeve poetike. Ai është i pari në gjuhën shqipe që ka sjellë përshtatjen e 63 soneteve të Shekspirit jo sipas rrugës tradicionale: përkthim besnik i formës së soneteve (me 13 rreshta të ndarë në katër strofa (dy strofa me katër vargje dhe dy strofat e tjera me tre vargje), ku zbatohet rima: abab, baba, ded, ede. Me vëllimin “63 Sonete të Shekspirit” (Toena 2014), Lulushi nuk është një përkthyes, por një shqipërues, si e quan ai vetë. Në poezitë koresponduese që kanë strofa, rreshta, rima dhe gjatësi të ndryshme vargjesh, sillen shqip idetë kryesore të këtyre soneteve duke ndjekur një rrugë të re, të cilën ai e ka dhënë në vargje: “Rend, varg, metrikë, / nuk kam respektuar, veçse shijen e mendimit / lexuesit për t’ia dhuruar” (f. 14). Kjo punë shqipërimi është e njëjtë me atë të Ilia Ballaurit, i cili na solli në shqip dy kryeveprat e Homerit duke mos respektuar llojin e vargut homerik, varg i bardhë pa rimë i pandarë në strofa dhe me gjatësi të caktuar. Ballauri i solli në shqiip poemat “Odisea” dhe “Iliada” me lloje të ndryshme vargjesh shpesh herë me rimë dhe të ndarë në strofa me gjatësi të ndryshme vargu brenda strofës. Ashtu si lexohen rrjedhshëm dhe shijohen këndshëm poemat e Homerit të shqipëruara prej Ilia Ballaurit, ashtu lexohen dhe shijohen edhe këto 63 sonete të Shekspirit. Duke mos e pasur përgatitjen teorike dhe njohjen e anglishtes në nivelin e duhur, nuk po ndalemi në analizën e këtyre soneteve. Poeti Astrit Lulushi duke qenë tip mendimtari, edhe në poezi krijon vepra me ide të thella erotike, shoqërore e politike prej të cilave lexuesi pasuron botën e tij të brendshme, por jo rallë tronditet sepse e gjen veten të kritikuar. Shqipëria paskomuniste, tek poezia e gjatë “Ç’ është Shqipëria” përshkruhet me nota kritike që të kujtojnë Migjenin dhe Konicën: “Munduar në udhë të re, / tani më hallemadhe je, / më shumë rrudha se ç’ duhej, / dhuratë nga plangprishësit i ke. / Të kanë shpëtuar, “e lirë je, / pa frikën e vdekjes”, thonë / bijtë, e ty, ndërsa grinden, / nën çati rrjedh shi e lot” (f. 15). Sejcili nga ne duhet të ndjejë përgjegjësi për këtë gjendje të atdheut sot me më shumë halle, sepse po të punonim të gjithë me përkushtim për evoluimin tonë dhe për ta ndihmuar Shqipërinë, kjo nuk do të ishte kështu si është. Poeti i veçon dhe i rëndon më tepër bijtë e talentuar, që dikur fituan emër me veprat e tyre të politizuara e sot jetojnë larg halleve të atdheut e të popullit: “Ku janë poetët piedestalistë / të kohës flamë “Enver-Parti”? / Tani sindroma e heshtjes i ka zënë / poetikisht të mos shprehin më / të thellat ndjenja për Shqipëri? / Nëse të tillë ikin nga kjo botë, / jo me dhe, por me turp / do të mbulohen.” (f. 18). Fatkeqësisht këta “poetë piedestalistë” vdiqën e po vdesin pa u përpjekur të kuptojnë fajin e tyre dhe më keq akoma, pasardhësit e tyre po vijojnë t’i lëvdojnë e t’u ngrenë pjedestale të rinj, duke ndjekur rrugën qorre të Nexhmie Hoxhës që vijon pa turp të hymnizojë bashkëshortin e saj diktator.Lulushi 32 vjeçar dha shëmbullin e trimit duke u arratisur, por për jetën e tij të deriatëhershme e fajëson veten: “Moshë e re, shkop magjik / i të verbërit, që isha unë, / vuajtjet s’doja t’i shihja. / Shumë dhimbje nënçmoja, / para së keqes heshta, / humbëtirën si horizont / unë zgjodha” (f. 25).Jeta larg familjes plot pesë vjet pa asnjë lidhje letrash, e bënte poetin si të dehur në ecje e në sjellje me të tjerët: “Më mungon buzëqeshja jote / edhe pse tani është ndryshe / ti je në zemrën time / nuk do të lë të ikësh / këtë duhet ta ndjesh. / Në pritje të thirrjes tënde / i penguar me këmbët e mia / nëpër rrugë eci dhe njerëzit / ndalen e sikur më pyesin: / “ç’ të ka ndodhur?’, dhe unë: “Me dashuri jam dehur!” (f. 40).Cikli me poezi kushtuar dashurisë në distancë është mjaft i plotë. Kredon e vet ky poet e shpreh te poezia “Krijues” me fjalët: “Artisti nuk do të krijonte / po të ndrydhej e stepej / nga ideja se nuk do vlerësohej, / pasi mediokrët do ta gjykonin. / Krijimi është një hap përpara, / kur të tjerët rrinë në vend, / a mendojnë të ecin mbrapa, / të struken, mbyllen, ngrysen, / sikur botës po i vjen fundi, / harrojnë se është fundi i tyre” (f. 44) Realizimi artistik i krijimeve poetike të Lulushit meriton vëmendje.
Thënie të arta të Astrit Lulushit
Astrit Lulushi si enciklopedist, analist, studius e kritik arti e letërsie, për të karakterizuar dukuri të jetës, ngjarje dhe personalitete historikë, përdor sentenca nga njerëzit e shquar, por shpesh herë krijon dhe vetë thënie që vlejnë të mësohen e shfrytëzohen si thënie të arta.
Nga libri “Pak ndryshe”:
Duke satirizuar kohën e diktaturës dhe vitet e pasdiktaturës së Shqipërisë, Lulushi krijon gjë a gjëzën e tij: “25 vjet mburojë e Krishtërimit, 45 vjet fanar i komunizmit, aktualisht përgjërues i Islamizmit në Europë. Kush është?” (f.17) “Frika e padituria janë burimi i hakmarrjes” (f.21) “Kur një popull sundohet me dhunë e diktaturë, viktimat e para, pas njerëzve, duket se janë vlerat e traditës”. (f. 54) “E kaluara sado e keqe, kurrë nuk duhet harruar, shpërfillur a ndryshuar” (f. 67). “Të botosh shkrime dhe libra me ide që sfidojnë ato ekzistuese do të thotë ta kesh kuptuar lirinë” (f. 85). “Një komb nuk është i shquar vetëm sepse është i lashtë, por edhe sepse dija e kultura e tij ka rrjedhur pa ndërprerje” (f. 167). “Miqësia është bashkim shpirtrash. Ky bashkim si martesa, ndonjëherë është i divorcueshëm” (f.275). “Të realizosh diçka do të thotë të ngrihesh mbi të zakonshmen” (f. 351). “Toleranca është sukses i madh i njerëzimit… me tolerancën njerëzimi arrin të ndjejë vetëqenien duke njohur, prekur, kuptuar veten e njëkohësisht duke harruar gabimet e njëri-tjetrit” (f. 425). “Jo çdo kafshë mund të zbutet, jo çdo ish tiran mund të pendohet dhe jo çdo politikan mund të reformohet” (f. 444). “Nuk ka njeri që të mos e urrejë padrejtësinë” (f. 479).
Nga libri “Ndjenjë realiteti”:
“Me gëzim festohet çdo përvjetor i rrëzimit të shtatores së diktatorit, por që një tiran vërtet të bjerë, njerëzit më parë duhet të sigurohen që pjedestali brenda vetes së tyre të jetë shkatërruar” (f. 11). “Të gjithë njerëzit nuk mund të bëhen pronarë, por askush nuk duhet të jetë i shtypur a skllav” (F. 19) “Botë pa dhimbje nuk mund të ketë, por pa vuajtje të panevojshme po” (f. 9). “Zhvillimi është dalje nga status-quoja ose veprim që i largohet së shkuarës” (f. 23). Jjo çdo periudhë e kaluar mund të quhet e prapambetur” (f. 23). “Vdekja e një personi i ngjan kohës së shkuar. Të dy nuk kthehen më, por prej kësaj ikjeje ndriçohet mendja e të gjallëve” (f. 26). “Ddiabolikët sundojnë, vetëm të mirët qeverisin (f. 49). “Nuk duhet harruar se zhvillimi është i pashmangshëm, si frymëmarrja rit i domosdoshëm (f. 50). “Kush nuk pranon mendimin ndryshe, ndryshon vetëm në kohë nga ata, që opozitarët i quanin tradhëtarë dhe në rastin më të parë i vrisnin” (f. 65). “Zemërimi është përgjigje ndaj kërcënimit” (f. 83). “Zemërimi është si zjarri, jashtë kontrollit djeg e dëmton, i përmbajtur mbron e ngroh, pra ves e virtyt, si çdo gjë në vetvete, e mirë dhe e keqe” (f. 83). “kur s’ mundesh të thuash një fjalë të mirë nuk është keq të mos flasësh fare” (f. 103). “E mira ndeshet rrallë dhe shpesh është e vetmuar” (f. 103). “Kur shumë njerëz bëhen të paaftë, paaftësia kthehet në sëmundje shoqërore” (f. 104). “Gjithmonë ka njerëz trupmëdhenj, por prapë të vegjël (si shpirt, Th. L. Gj.), të pasur por të humbur, njohës por të cekët” (f. 106). “Mendimi është çelësi i ndryshimit” (f. 109). “Ashtu si njeriu mëson çdo ditë edhe çmësimi a heqja dorë nga idetë e vjetra bëhet diçka e përditshme” (f. 119). “Asgjë nuk mund ta prishë kaq shumë njeriun, asnjë forcë nuk mund ta hedhë atë në vorbullën e rrëmujës së mendimit… sa… pasioni i njëanshëm” (f. 121). “Natyra është shembull i përsosmërisë… Prandaj njerëzit e mëdhenj janë të natyrshëm, ndjehen kur mungojnë, besohen e adhurohaen, shembulli i tyre ndiqet…” (f. 161).
Nga libri “Kujtesë lirie”:
“Zhvillimi është ndryshim, është proces, siç është dija, e cila nuk ka fund, ajo kurrë nuk arrihet, por vetëm ndiqet” (f. 75).“Atje ku gjithçka është kolektive, indiferentizmi ose qëndrimi soditës është natyrë e dytë; individi, puna, prona, vendi e të gjitha shpërdorohen” (f. 79).“Urrejtja është pasojë e frikës, por edhe e krijon atë” (f; 90).“I ftohti e lufton njeriun duke ia marrë dëshirën për të rezistuar” (f.91).“Krenaria i ngjan udhëtimit në kohë – pa këmbë në tokë – ku njeriu përpiqet të zhbëjë gabimet dhe pengon të jetohet e tashmja” (f.103).“Të kesh mendim të mirë për veten, s’është keq, por të krenohesh i shtyrë nga dëshira për t’u bërë i njohur para të tjerëve a mbi të tjerët, është kotësi” (f. 103).“Tek e vërteta nuk arrihet duke u zgjatur a përdredhur” (f.105).“Punët e mira janë ato që kryesisht fillojnë nga më e vogla, më e thjeshta, nga një qelizë apo shkëndijë që lind, ushqehet, rritet derisa lë ndikim të pashlyeshëm” (f. 107) “Pa një trashëgimi, çdo gjë është e varfër” (f. 111).“Dashuria i urren përllogaritjet” (f.115). “Që një shoqëri të jetë e mirë, individët e saj duhet të ndihen të lirë fizikisht, shpirtërisht dhe mendërisht” (f. 117). “Motori shoqëror [në diktaturë] ishte jo besimi në ideal, por dëshira për pozitë” (f. 129). “Që një problem [shoqëror a politik] të zgjidhet, duhet shtruar hapur dhe hapje do të thotë sinqeritet” (f. 138). “Çdo gjë që ndihmon sadopak ia vlen të provohet.” (f. 138). “Truri është vërtet thesar, por jo kur kyçet” (f.140). “Lakmia është gropë e thellë pa fund, që e shteron fuqinë e personit në përpjekje të mëdha, por pa e arritur kurrë kënaqësinë” (f.145).
Nga libri “Zhgënjime sporadike”:
“Sa shumë gjëra humbet njeriu kur përpiqet të duket e të fryhet” (f. 103). “Kush tërhiqet pas së bujshmes kur e kapërcen atë e kupton kotësinë” (f.103). “Diktatura e fortë, punë e njerëzve të dobët” (f. 138). “Diktatorët bëhen nuk lindin” (f. 148). “Idetë nuk kanë kufi. Si rrjedhim prej tyre, të paktën në parim, duhet të përfitojë e gjithë shoqëria. Në rast të kundërt idetë janë thjesht mashtruese” (f. 159). “Besimi i lojit fanatizëm prodhon të keqe pa kufi” (f.181). “Eshtë krenaria boshe që sjell zbrazëti, ose anasjelltas, etje, thatësirë, ku ndjenjave u vihet fre, ngrihen mure izolimi, ku njeriu mendon se mbrohet, por pengohet të dallojë, të njohë, të komunikojë,e shijojë të mirat që i ofrohen” (f. 190).
Konkluzion
Astrit Lulushi është një autor me vlera të shquara, por fatkeqësisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, krijimtaria e tij është shumë pak e njohur. Ministritë e kulturës e të diasporës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë duhet të koordinojnë fondet për të botuar disa seri me antologji ku të mblidhen artikuj, ese, përsiatje, kritika e skica dhe disa poezi të Lulushit dhe të shumë krijuesve e analistëve të shquar të diasporës. Kjo seri do të jetë një ndihmë e madhe për ngritjen e nivelit kulturor e moral të masave të lexuesve e sidomos të nxënësve të shkollave të mesme e të larta.Kurse veprën dyvëllimshe “Kalendari Historik…” ua rekomandojmë këtyre ministrive ta botojnë të plotë sa më parë për ta pasur e shfrytëzuar mësuesit dhe nëpunësit e zyrave të ndryshme, si dhe ata të zyrave të larta qeveritare. Dhënia e medaljeve, titujve dhe gradave shkencore njerëzve që shkuajnë vepra të rëndësishme, është një aspekt dekorativ, që i gëzon ata dhe miqtë e tyre, por botimi në tirazh të madh i veprave të zgjedhura të tyre është vlerësimi i vërtetë sepse pasurinë e tyre ua jep masave të lexuesve…
Sigal