Të harruarit e mëdhenj të historisë!

1490
Nga Ergys Alushi

Ismail Bej Vlora është figura qendrore e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, në qytetin e Vlorës. Por, për të realizuar veprën e tij në shërbim të kombit shqiptar, ai ka pasur edhe bashkëpunëtorë të cilët kanë kontribut në krijimin e kushteve të përshtatshme. Shumë prej tyre, janë të harruar nga historia apo përmenden rrallë, vetëm në raste festash apo botime sporadike. Ndërkohë, këto figura patriotësh kanë shërbyer si për shpalljen e Pavarësisë ashtu dhe për Luftën e Vlorës apo ngjarje të tjera me karakter kombëtar të ndodhura në Vlorë. Midis figurave me kontribut historik të mohuar apo të harruar, ka midis tyre edhe njerëz që kanë kontribuar në fusha të tjera. Njihet Ali Asllani e Osman Haxhiu, por janë lënë në hije Xhemil Bej Vlora, kryekatundar i Vlorës në Shpalljen e Pavarësisë apo është lënë në hije Ibrahim Abdullai, komandant i kryengritësve në vitin 1911 në Vlorë. Emrat e mëposhtëm janë vetëm disa prej shumë patriotëve që kanë kontribut të madh, pa të cilët ndoshta mund të mos ishte arritur Pavarësia, zhvilluar Lufta e Vlorës apo zhvillime të tjera.
“Shoqëria e Zezë”
Në dekadën e parë të shekullit të 20, patriotët e Vlorës, formuan shoqërinë patriotike që e quajtën Shoqëria “Dora e Zezë”. Shoqëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e lëvizjes patriotike në qytet dhe krijimin e kushteve për Pavarësinë e Shqipërisë. Vula e shoqërisë ka pasur një kobure dhe një thikë, të kryqëzuara me njëra tjetrën.. Shoqëria drejtohej nga një komitet dhe kishte programin e saj. Në programin e Shoqërisë dallonte dhe thirrja se, nëse Turqia nuk i plotësonte kërkesat e shqiptarëve, ato do të rrëmbeheshin me forcën e armëve. Shoqëria bënte thirrje për kryengritje dhe bashkim. Ajo formoi në Vlorë një çetë me emrin “Ja vdekje-ja liri”, ku komandant i saj ishte Beqir Velo Janina, një figurë me kontribute të mëdha në të gjitha ngjarjet me karakter kombëtar që kanë ndodhur e janë zhvilluar në Vlorë. Kryetar i Shoqërisë ishte Hamza Isai. Shoqëria kishte edhe kanonizmën e saj, mbi të cilët betoheshin ata që anëtarësoheshin në të.

Xhemil Bej Vlora
Në shtëpinë e tij u shpall Pavarësia
Xhemil Bej Vlora ka qenë Kryekatundar i Vlorës, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Ai ka merita të mëdha, pasi hapi konakun e tij, dhe kontribuoi në ngritjen e flamurit në shtëpinë e tij, gjithashtu në vitin 1908 ishte një nga personat më të rëndësishëm në ndërtimin e klubit “Labëria”. Krahas kësaj në vitin 1917, Xhemil Bej Vlora hapi Odën e Tregtisë, ku u zgjodh President i Dhomës së Tregtisë së Vlorës. Emri i tij i është vendosur një rruge mbrapa kodrës së Kuzum babait, ndërkohë që emra të panjohur, por farefis me ata që kanë caktuar emrat e rrugëve, janë në rrugët kryesore të qytetit të Vlorës.

Abedin Nepravishta
prefekt i Vlorës në vitet 30
Më 20 shtator të vitit 1933, Abedin Nepravishta, do të largohet nga Vlora ku kishte kryer detyrën e Prefektit të këtij Qarku, për në Tiranë me detyrën e kryetarit të bashkisë.
Nepravishta cilësohet si një nga prefektët më të suksesshëm në historinë e prefektëve të qarkut të Vlorës. Hapja e rrugëve të reja në çdo komunë, rregullimi i rrugëve të qytetit, sidomos rruga e spitalit që mbyste me baltë tre lagjet e qytetit, rehabilitimi I lulishtes së madhe në qendër të qytetit që ishte lënë në harresë që nga koha e ndërtimit të saj, zbukurimi i të dy trotuareve me pemë të ndryshme në bulevardin kryesor Vlorë-Skelë, ndershmëria dhe vërtetësia në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe institucioneve të shtetit, ishin disa nga punët e kryera me iniciativën e Nepravishtës. Në shtypin e kohës, mëson se për përcjelljen e tij nga Vlora drejt Tiranës doli gati i gjithë populli i Vlorës, për shkak të simpatisë që gëzonte. Ai do të ishte prefekti që do të organizonte deri në detaje ceremoninë e zhvilluar në Vlorë, më 28 nëntor 1932, për përurimin e varrit të Ismail Bej Vlorës, që u soll nga Kanina për t’u varrosur në Sheshin e Flamurit, aty ku ndodhet edhe sot. Prefektit Nepravishta do t’i dorëzohej prej djalit të Ismail Bej Vlorës, Et’hem Vlora, flamuri që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912, me qëllim që ky flamur të ruhej në Muzeun Kombëtar.

Abaz Mezini
Kryetar i bashkisë së Vlorës, kur Ismail Bej Vlora zbriti për herë të parë në skelë të Vlorës, më 18 shtator 1908, që kur ishte larguar fëmijë 9 vjeç nga qyteti. Në drejtimin e bashkisë nga ana e tij, u çel e para shkollë shqipe në qytetin e Vlorës, 15 korrik 1908. Në 18 tetor 1919 në shtëpinë e tij, në një mbledhje të fshehtë, do të krijohet “Komiteti i fshehtë i Vlorës” që do të organizonte Luftën e Vlorës 1920. Në tetor 1919 u dërgua në Romë nga “Komisioni i fshehtë i Vlorës” për të mësuar më tepër për planet e italianëve për aneksimin përfundimtar të Vlorës, pas marrëveshjes në korrik 1919, midis qeverisë italiane dhe qeverisë së Durrësit.

Sulejman Delvina
Kryeministri i Luftës së Vlorës më 1920-n që vdiq në çmendinën e Vlorës
Në 13 nëntor të vitit 1920, bashkia e Vlorës do t’i akordonte titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”, kryeministrit të kohës, Sulejman Delvina.
Tutullin ia dorëzuan në një ceremoni në Tiranë, në 28 nëntor të atij viti.
Bashkë me përdorimin e armëve, në Çlirimin e Vlorës nga italianët, në vitin 1920, pati rëndësi edhe kontributi politik i Sulejman Delvinës. Ky burrë i madh shteti, vdiq në spitalin psikiatrik të Vlorës në vitin 1936, i harruar prej të gjithëve, edhe nga vlonjatët për të cilët dha aq kontribut.
Ai u varros në varrezat pranë ish shkollës bujqësore dhe më pas u tërhoq nga familja

Carnarvon – kontesha angleze
Në vitin 1924 kontesha dërgoi në Vlorë dy infermiere angleze me diplomë. Gratë e qytetit e të fshatrave në këtë mënyrë u mësuan që të shkojnë në spital e të shërohen atje, pasi shkuarja në spital ishte tabu për femrat, për faktin se mjekët ishin të gjithë meshkuj.
Qëllimi tjetër i konteshës angleze ishte që me ndihmën e dy infermiereve të huaja të hapte dhe një shkollë infermierie për femrat shqiptare, që për kohën nuk u arrit të hapej në Vlorë, por në Tiranë. Dy infermieret angleze që qëndruan në Vlorë me shpenzimet e konteshës dhe deri në fund të vitit 1928, gratë e shëruara në spital ishin 188.
Spiro Avrami – patrioti i harruar i Luftës së Vlorës më 1920-n
Emrin e tij e ndesh në shënimet që ka lënë Tol Arapi, një emër i njohur ky në Vlorë, në gjysmën e parë të shekullit XX. Spiro Avrami ka ardhur në Vlorë nga Berati rreth vitit 1900, kur ishte 15-16 vjeç dhe ka filluar punë në Myzeqe e pikërisht në Zhukë. Në Vlorë, Spiro Avrami bleu një shtëpi në lagjen “Vrenez”, pasi në ato vite në këtë lagje të vjetër të qytetit mund të gjeje shtëpi me lehtësi. Për punën e palodhur dhe aftësitë në punët e tregtisë, ai do të përzgjidhej si ekonomat dhe guvernat ekonomik nga familja Vlora dhe kryesisht nga Syrja Bej Vlora. Në shënimet e Tol Arapit shkruhet ndër të tjera: “Në vitin 1920 në Luftën e Vlorës, kur komisioni më caktoi mua bashkë me dy të tjerë që të shkonim në Myzeqe dhe veçanërisht në Zhukë, për të mbledhur ushqime për luftëtarët e Luftës së Vlorës që bëheshin 3-5 mijë burra nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ushqimet ishin kryesisht bagëti të trasha e të imta, bulmet, misër dhe grurë.” Tol Arapi shkruan, se pa ndihmën e Spiro Avramit nuk do të realizoheshin as 10 % të këtyre ndihmave. Ai i ngarkoi qerret dhe i priu karvanit me ndihmat e mbledhura deri në fshatin Lubonjë, ku e priste shefi i prapavijës i zgjedhur nga Komiteti i Mbrojtjes kombëtare, Ali Xhindi. Mbas Luftës së Vlorës, në vitin 1923, Spiro Avrami ka qenë anëtarë i Odës së Tregtisë së qytetit, kryetar i së cilës ka qenë Xhemil Bej Vlora, njeriu që në 28 Nëntor të vitit 1912 ka qenë kryekatundar i Vlorës e në shtëpinë e të cilit u mblodh Kuvendi Kombëtar që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Bashkë me Spiro Avramin kanë qenë anëtarë të Odës së Tregtisë edhe emra të tjerë të njohur, jo vetëm në Vlorë, por edhe më gjerë si Aristidh Ruci, një nga firmëtarët e Pavarësisë, delegatë të Vlorës, Hebreu Matia Matathias, Ibrahim Abdullah, Aleko Bezhani e të tjerë emra të njohur të parisë së Vlorës. Kujtojmë se Oda e Tregtisë së Vlorës në vitet ’20-’30 ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e disa objekteve në qytetin e Vlorës dhe organizimin e jetës shoqërore e kulturore të qytetit, ku spikat ndërtimi i sahatit të Vlorës, që ruhet ende sot, në qendër të qytetit. Spiro Avrami ka vdekur në vitin 1936, ku u varros me nderime e respekt të madh nga populli i Vlorës, për kontributin e madh që dha në qytetin dhe popullsinë e Vlorës, sidomos gjatë Luftës së Vlorës, në sektorin e prapavijës.

Vijon…



Sigal