Shqipëria, me numrin më të lartë të vdekjeve për frymë në Ballkan

135

Nga Kastriot Islami

Shqipëria, 25 ditë pas deklarimit të rastit të parë me koronavirus, shënon 223 të prekur dhe 11 viktima nga koronavirusi. Ndërkohë që janë testuar vetëm 1526 individë, apo rreth 53 individë për 100 mijë banorë (shifër shumë e ulët, ndërkohë që Koreja e Jugut, një nga vendet më të suksesshme në menaxhimin e kësaj krize, testoi 600 individë për 100 mijë banorë, pra 12 herë më shumë për frymë se Shqipëria) dhe janë të spitalizuar 75 vetë. Ndërkohë që shifra e të infektuarve (e mbajtur nën kontroll nga numri i ulët i testimeve) mund të duket e ulët dhe me këtë kënaqet e mburret Rama, shifra e viktimave rezulton e lartë, madja shumë e lartë, dhe më e larta për frymë poullsie në rajon, po ashtu edhe numri i viktimave për 100 të infektuar është më i larti në rajon.

Sado që përpiqet Rama përmes një menaxhimi karakterial e mediatik, me poza e xheste, t’i mbushë mendjen qytetarëve shqiptarë se situata e shkaktuar nga COVID-19 është nën kontrollin e tij, shifrat e vëndosin Shqipërinë në vendin e parë mes 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor përsa i përket viktimave, për frymë të popullsisë, të shkaktuara nga ky virus.

Kjo situatë natyrisht kërkon një analizë të thellë, natyrisht në momentin e duhur (si nga opozita ashtu edhe nga media), për të vlerësuar me saktësi e vërtetësi përse është kjo shifër është e lartë krahasuar me vendet e tjera të BP, por mbi të gjithë për të hetuar nëse shifra 11 e viktimave nga COVID-19 ka qenë e saktë dhe nëse ka pasur raste të tjera që janë mbajtur sekret apo viktima të tjera nga COVID-19 që s’janë raportuar si të tilla.

Shqipëria ka po ashtu një shumë të lartë të viktimave për 100 të infektuar; konkretisht Shqipëria është e para përsa i përket kësaj shifre me 1,8 të vdekur për çdo 100 të prekur. Ndërkohë që kjo shifër është vetëm 0,3 të vdekur për 100 të infektuar në Mal të Zi, në Bosnje vetëm 0,8 të vdekur dhe në Maqedoni vetëm 1,2 të vdekur për 100 të prekur. Kjo shifër nxjerr në pah disa mangësi të sistemit mjeksor në Shqipëri, duke e vendosur atë nga më të dobëtit në Ballkan. Kjo situatë nuk mund të ishte ndryshe përderisa Shqipëria ka i) numrin më të ulët të mjekëve për frymë popullsie; ii) numrin më të ulët të paisjeve për trajtimin e rasteve serioze, iii) është vendi me shumë të varfër që nuk kanë asnjë mundësi për tju shmangur infektimit e përballuar këtë krize santitare, sociale e ekonomike, dhe iii) mbi të gjitha menaxhimin aprofesional e tërësisht karakterial mediatik nga një individ me “sëpatë në dorë” e jo rrallë të shoqëruar me masa drastike të prezantuara në mënyrë qesharake e deri edhe veprimeve poliicore e tejet penalizuese.

Kjo është e vërteta dhe nuk përbën asnjë lloj paniku… panik krijojnë mashtrimet e gënjeshtrat, pozat e xhestet mediatike, organizmi i dobët, shpërfillja e ekspertëve të vërtetë dhe zëvëndësimi i tyre me servilë e manekinë, apo numri më i lartë i viktimave në rajon, sado të përpiqet Rama ta mbajë sekret. Ndërkohë që të gjithë vendet po përpiqen të jenë maksimalisht transparent me publikun për të fituar mbështetjen e bashkëpunimin e tij maksimal, Rama ka adaptuar modelin e mbajtjes sekret të shifrave e veprimeve duke përqafuar qasjen se “jemi në kohë luftë dhe jo të gjithë duhet të kenë akses të shifrave dhe gjithçka e di vetëm një individ, guida supreme”.