Te ne askush nuk kërkon dhe askush nuk jep llogari për realizimin e atyre angazhimeve të marra para ardhjes në pushtet .E kam cituar edhe një herë tjetër atë thënien e mençur të dramaturgut të gjithkohshëm W. Shakespeare se “Një dënim i zgjedhur me vullnet të lirë, është gjithmonë i drejtë”. Por dua të sqaroj, se ne si popull nuk na ka pyetur kush për të ndërtuar marrëdhënie nënshtrimi me të huajt.
Daullet e politikës, që e kanë nisur avazin e tyre qysh kur përfunduan zgjedhjet e shkuara, sa vjen e po bëhen më të zhurmshme. Edhe pse ende jo zyrtarisht, fushata ka nisur. Duke i dëgjuar fushataxhinjtë, më vjen ndër mend një thënie thjeshtësisht e vërtetë të N.S.Hrushovit se “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. Mendo pastaj vendin tonë që ka aq shumë lumenj. Te ne askush nuk kërkon dhe askush nuk jep llogari për realizimin e atyre angazhimeve të marra para ardhjes në pushtet. Personalisht mendoj se si t`i mbajnë, si të mos i mbajnë premtimet, fituesi është i paravendosur. Me këtë dua të them se aktualisht, edhe po të bashkohet opozita, edhe po të hiqet “non grata” e famshme, edhe po të mos vidhen votat, edhe po të mos blihen ato, edhe po të realizohet qeveria teknike, edhe po t`u hiqen masat ndaluese e deri izoluese krerëve të opozitës, edhe sikur organet e drejtësisë të bëjnë një shaka dhe të jenë vërtetë të pavarura, edhe sikur buxheti për partitë konkuruese të ndahet sipas ligjit, edhe sikur të mos ketë financime të dyshimta nga paratë e pista, edhe sikur të mos ketë fare skandale e hajdutllëqe me tendera nga qeveritarët, edhe sikur askush të mos marrë favore nëpërmjet bizneseve strategjike etj., edhe sikur të mos shtohen artificialisht organikat në administratë, edhe sikur kjo të mos përdoret gjatë fushatës, edhe sikur të mos aktivizohen me kapacitet të plotë të ashtuquajturat banda kriminale, edhe sikur të mos ketë rrufjanllëqe te votuesit e diasporës, edhe sikur të mos kishte patronazhistë, pra edhe sikur të garohet ndershmërisht, d.m.th. në kushte rreptësisht të barabarta, përsëri fitues do të mbetet po ajo parti që po mbush dymbëdhjetë vjet në drejtimin e vendit. Kjo opozitë aq e domosdoshme, nuk duhet të harrojë se nuk është ajo fryma, apo më mirë të them entuziazmi i asaj përmbysjes së madhe, kur populli pa dallim e donte ndryshimin, pasi për atë ishin të bindur edhe vetë udhëheqësit komunistë. Dhe nuk qëndron këtu e keqja jonë. Se të gjithë bij e bija të këtij vendi jemi. Por vetëm ai i padituri fare, dhe fatkeqwsisht të tillë ka plot mes nesh, ose ai që ka mbetur besnik i së shkuarës “së lavdishme”, nuk e kupton se partitë në asgjë nuk dallohen nga njëra – tjetra. Këtu, e gjithë fushata nuk ndahet dot nga akuzat personale, nga sharjet, fyerjet dhe shpalljet e armiqësisë me “bijtë e atyre xhahilëve” ose “bijtë e kolaboracionistëve”. Mbillet kjo urrejtje dhe korret kjo përçarje, mesa duket nga që u intereson taktikisht partive që u kanë shterrur idetë dhe nuk kanë ç`të thonë tjetër. Se vetëm kështu e mbajnë të karikuar elektoratin e tyre. Kështu që nisin thirrjet patetike, sikur të jemi në Revolucionin Francez të viteve 1789 e pak më pas, kur në fshatra u përhap ajo e ashtuquajtura “Frika e Madhe”: “Po erdhën ata mbaroi Shqipëria. Vetëm me partinë tonë (kupto: time, pra me mua) do të pranohemi në B.E. Se ata të tjerët nuk duan as Evropën dhe as Amerikën. Se unë punoj për historinë!” dhe gjoja në emër të kësaj aspirate populiste, nis jo vetëm krekosja dhe arroganca e neveritshme, por edhe kapja e sa më shumë pushteteve, deri nënvleftësimi i rolit të Presidentit të Republikës, edhe pse formalisht ato ecin pikë për pikë ashtu siç i ka përcaktuar Aristoteli.
Politikanët tanë duhet t`i vënë gishtin kokës dhe gjoksin nderit dhe interesave të Shqipërisë se për atë janë zgjedhur. Për politikën e jashtme ata duhet të dëgjojnë edhe zërat e guximshëm dhe të sinqertë të intelektualëve si Shaban Murati, Fatos Lubonja, Andi Bushati, Engjëll Musai, Eshref Ymeri, Xhevat Mustafa, Mal Berisha, Kim Mehmeti, Përparim Kabo, Dashnor Kaloçi etj. Në të kundërtën, do të vijë dita që të marrë jetë edhe te ne ajo thënia e autorit të Deklaratës së Pavarësisë, Presidentit të tretë të Shteteve të Bashkuara Thomas Jeffersonit se “Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre”.
Lart e poshtë flitet se ata mbajnë edhe këshilltarë. Po si nuk del një e t`u pëshpërisë në vesh: Mos u bëj gomar, e lëri mburrjet, se ti je krejtësisht i përkohshëm dhe nderimi vjen vetiu me drejtim të ndershëm, të drejtë e pa dallavere, duke qenë përbashkues mes të gjithë shqiptarëve. Po kur qenka kështu, përse i numërova të gjitha këto do të thoni ju? Vetëm për të theksuar, gjithmonë sipas meje, dy momente kryesore: E para: njerëzit, deri edhe shumë nga ata që i takojnë tjetër krahu për hir të shpronësimeve, burgosjeve dhe internimeve si pasojë e luftës së klasave, ndihen të zhgënjyer se nuk morën plotësisht atë që u takonte. Këta kalojnë tek elektorati gri dhe nuk janë pak. Çuditërisht, e pakënaqur është edhe ajo shumicë që duke qenë me prejardhje bujqësh të varfër, punëtorë krahu ose argatë te pronarët e dikurshëm, pra thuajse fare pa pronë, morën si gjithë të tjerët e përsëri nuk i ndahen pazarit të pare, ankohen njësoj për padrejtësinë e ligjit. Dhe e thashë; janë shumë. Këta të fundit që nuk hedhin dot pas krahëve neverinë për zengjinët e kulakët e dikurshëm, besojnë se ata që dolën në krye të Lëvizjes së Dhjetorit, i kishte dërguar me mision sigurimi i shtetit dhe Ramiz Alia, pas udhëzimeve të Katovicës. Dhe këtu ndahen opinionet: një palë mendon se dënimi i udhëheqësve komunistë qe i padrejtë, thjeshtë hakmarrje dhe pala tjetër mendon se ishte gjasme, pra sa për sy e faqe, si punë maskimi, si biçim teatri. Llogjika ta do që nëqoftëse ata që dolën në krye të demonstratave për liri e demokraci ishin të tillë, masa e demokratëve ishin në të drejtën e tyre të kishin mospëlqime e të mos mos pajtoheshin. Por ka dhe një paradoks tjetër të habitshëm: administrata amerikane, haptazi përkrah atë parti që jo shumë larg ka qenë armikja e stërbetuar e tyre. Me krahun tjetër, ngaqë nuk e duan udhëheqësin e tyre, deklarojnë se nuk do të bashkëpunojnë kurrë. Dhe këtu dalim te çështja e dytë: Mirë ata që janë në pushtet, se dihet pse nënshtrohen para të huajve, dhe thënë troç, nuk ua mban tarravilja të mbrojnë si burra çështjen kombëtare, për të mos thënë se lëshime pas lëshimesh, i kanë shitur interesat tona, po opozita, ku e ka hallin që nuk e thotë hapur se ne e duam aleancën me SH.B.A. dhe Perëndimin, por kundërshtojmë çdo përzierje në punët tona të brendshme. Se duhet të jesh në letargji, ose i dehur, ose të luash rolin e budallait që të mos e kuptosh pse ata duan ta kenë levën e tyre drejtësinë tonë, pra, të një vendi sovran mijra kilometra larg. Duan që drejtësia shqiptare të jetë mashë në duart e tyre se gjoja do të na sjellë demokracinë e ëndërruar. Gënjejmë veten. Kështu flisnin edhe komunistët dikur dhe e dimë se çfarë demokracie na sollën me prokurorët, hetuesit, gjyqtarët e gardianët e tyre. Ecja përpara do të vijë kur çdo qelizë e shoqërisë të funksionojë në rregull. Është utopi të mendosh se Shqipërinë do ta bëjë bota, sikurse rreken të na mbushin mendjen. Më vjen keq që flas kështu, por kjo është e vërteta. Paskan paguar ca dollarë (se ato shteti më i fuqishëm i botës, që ne nuk e duam për dollarët që nuk na i dha as kur ishim në hall për bukën e gojës), e pastaj… Ata po japin miliarda dollarë ndihma për t`u vrarë njerëzit si mizat anë e kënd botës, dhe u kushtonka kaq shumë ndihma modeste për aleatin më besnik, Shqipërinë? Shqipërinë, me të cilën më duket se më shumë po tallen duke ia nëpërkëmbur edhe dinjitetin. E kam cituar edhe një herë tjetër atë thënien e mençur të dramaturgut të gjithkohshëm W. Shakespeare se “Një dënim i zgjedhur me vullnet të lirë, është gjithmonë i drejtë”. Por dua të sqaroj, se ne si popull nuk na ka pyetur kush për të ndërtuar marrëdhënie nënshtrimi me të huajt. Nëqoftëse grekët e vjetër e kanë pësuar nga bëmat e udhëheqësve të tyre, kjo po ngjet edhe me ne sot. Prandaj, opozita që deri diku ka edhe përgjegjësitë e veta për këtë situatë, duhet të shkundet e të flasë siç kanë folur në shekuj të parët tanë. Nuk ka pse ta fshehë, se administrata që është në fund të mandatit në SH.B.A. është nxitësja e kësaj gjendje aspak të këndshme. Ajo e bëri lesh arapi opozitën shqiptare, prej nga dolën plot “trima” që pasi u shkëputën si parimorë të mëdhenj dhe krijuan disa partiçka, po dënojnë veprimet dhe qëndrimet e saj. Po vetë ata a ndiejnë ndonjë lloj përgjegjësie, apo ndjekin atë parimin idjot që po instalohet te ne se unë nuk kam asnjë përgjegjësi se ç`bëjnë ata pas meje. Jo more, po kush e ha këtë? Ata se kanë hallin e popullit, por duan të sigurojnë një vend për vete në Parlament. Në atë Parlament me rroga të majme, ku shpesh në sallë nuk ka më shumë se nja dhjetë vetë. Dhe folësi u drejtohet me një oratori boshe, karrigeve dhe tavolinave. Dikush mund të pyes se çfarë mendoj unë që po kritikoj. Cila është rruga për të ecur normalisht përpara ky vend i lodhur nga lufta e gjelave? Këtu dua të dal. Me kulte individësh, kurrë! Nga ana e saj le të përpiqet opozita për të fituar sa më shumë deputetë dhe të bëjë të mundur t`i dëgjohet fjala e mençur. Por përpjekjet e saj dhe të politikanëve të ndershëm duhen fokusuar sot jo te marrja e pushtetit, se sa te sanksionimi me ligj që askush, as dreqi vetë nuk duhet të qëndrojë në krye të pushtetit ose të një force politike më shumë se dy mandate. Këtë e ka edhe vetë demokracia amerikane që ne e marrim si shembull. Se duhet mbledhur mendja; e majta shqiptare me të kaluarën, me traditën, me disiplinën organizative, me instinktin e vetmbrojtjes sot për sot vështirë të mundet. Ama, politikanët e bërë bozë që na mbinë ndër sy dhe po mbërrijnë edhe vetë shokun Enver, duhet të largohen ligjërisht, pra me rregulla, që nuk i turpërojnë. Dhe këtu nuk shoh asgjë të keqe, sidomos tani po të shohim sesa të acaruara janë marrëdhëniet mes tyre. Kanë të majtët e të djathtët plot njerëz të aftë për t`i kryer këto detyra, duke fituar respektin e të gjithëve, pa qenë nevoja të debatojmë, grindemi e zemërohemi kot së koti me njëri – tjetrin. Mjaft u harxhuan energji me këto budallëqe që nuk sjellin asgjë të mirë, kur gjithë vëmendja duhet përqendruar te problem ynë kombëtar dhe sidomos te bashkimi me Kosovën tonë të shtrenjtë. Politikanët tanë duhet t`i vënë gishtin kokës dhe gjoksin nderit dhe interesave të Shqipërisë se për atë janë zgjedhur. Vendet dhe popujt e tjerë e kanë në terezi dhe sidomos ngaqë marrjen dhe mbajtjen e pushtetit nuk e kanë qëllim për lavdinë e tyre. Për politikën e jashtme ata duhet të dëgjojnë edhe zërat e guximshëm dhe të sinqertë të intelektualëve si Shaban Murati, Fatos Lubonja, Andi Bushati, Engjëll Musai, Eshref Ymeri, Xhevat Mustafa, Mal Berisha, Kim Mehmeti, Përparim Kabo, Dashnor Kaloçi etj. Në të kundërtën, do të vijë dita që të marrë jetë edhe te ne ajo thënia e autorit të Deklaratës së Pavarësisë, Presidentit të tretë të Shteteve të Bashkuara Thomas Jeffersonit se “Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre”.