Revansh, ç’keqardhje!

1784
Sigal

Me keqardhje mund të konstatojmë se në vija të përgjithshme, ato çka ishin ëndërruar në fillim të viteve ‘90, nuk janë më objektiv i qeverive shqiptare. Për më keq, prej disa kohësh, revanshi i disa klaneve, në qeveri dhe jashtë saj, po merr përpara krejt vendin, vlerat, trashëgiminë, të djeshmen dhe të sotmen. Disa prej institucioneve të pavarura, janë të tilla vetëm në letër. Korrupsioni dhe abuzimet nuk gjejnë vendin. Veçmas, në vlerësimin e së shkuarës, madje jo vetëm për ato 45 vjet komunizëm ekstrem, ka një zbrazje pa fund paragjykimesh dhe harresash tronditëse. Për të shkuarën, bashkë me historinë dhe artin e saj, ka një interes mbiestetik, pothuaj (si dikur) klasor, për të rrumbullakosur një zero të madhe dhe aq. Më “të shquarit” (apo më të shqyerit?) në këtë luftë, janë ca ish-komunistë, si dhe një numër fanatikësh mediokër, ndërkohë që disa emra vuajtësish të vërtetë pikërisht për shkak të përpalljes fatale (po përmend bie fjala Pjetër Arbnorin apo Visar Zhitin e Amik Kasaruhon) nuk kanë demonstruar kaq shumë zell për ta rihapur këtë “luftë”. Balzaku thotë diku: “Ata e përbuznin shekullin dhe kjo iu jepte të drejtën të mos e njihnin atë”. Duke e ditur se ndokush mund të kapet me autorin e këtyre radhëve për motive “patriotike”, po themi paraprakisht se ta duash vendin tënd, cilido qoftë ai, të jesh krenar për atë se nga vjen, kjo nuk do të thotë që t’iu hapësh rrugë vetëm lëvdatave e kujtimeve më të bukura dhe të bëhesh rob i frymës delirante. Të vështrosh se çfarë nuk ka shkuar mirë, përse janë krijuar vuajtje të padëshiruara, si mund të bëhet më e lehtë dhe më dinjitoze jeta në vendin tënd, kjo është gjetja.

E vërteta është se aktualisht shumë gjëra po vështrohen shtrembër dhe për interesa të pandershme. Sot, fanatikëve iu duhet thënë se hidrocentralet që i shfrytëzojnë ende dhe duan t’i shesin për një çap bukë, nuk i ndërtoi Byroja Politike, ato i kanë ndërtuar shqiptarët, në vijën e parë të burgosurit politikë, me djersë dhe me gjak. Diskutime e ndryshime bëhen në çdo kohë, por revanshi s’ka asgjë të përbashkët me këto zhvillime të natyrshme.

Për çudi, pjesa më e madhe e atyre që i kanë në dorë këto gjëra (revanshin) kanë qenë edhe atëherë nëpër zyra e nuk di ku tjetër, ku i kërkonte partia. Problemi është se këtyre demokratmëdhenjve nuk ua hapi njeri dosjet, pseudonimet e tyre lodruan dhe ende lodrojnë në një thashethemnajë, që vazhdon që prej 20 vitesh (pluralizëm). Mirë të na i bëjnë! Në media thuhej para ca ditëve, në mungesë të një përkujtimi sado të thjeshtë të 60 vjetorit të ish-Kinostudio “Shqipëria e re” (më pas “Albafilm): “…asnjë aktivitet nuk u organizua për të vlerësuar punën dhjetravjeçare të Kinostudios”. Me të drejtë mund të pyesim: Ç’punë kanë institucionet e sotme me atë çka prodhoi ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, (më pas “Albafilm”), në një kohë kur vendi ishte i deklaruar (nga pikëpamja e rendit) si një diktaturë (e proletariatit); fjalë boshe, se në të vërtetë Shqipëria ishte një prej shteteve të shumta që fati iu blatoi regjimin komunist, paçka se ky i fundit, në Shqipëri u zbatua në mënyrën më fanatike…Në cilin shtet kalojnë gjërat kështu pa u zënë goje fare, vetëm e vetëm se ca fanatikë nuk dinë të menaxhojnë urrejtjet e tyre?

Na duket e drejtë gjithashtu të pyesim se ç’punë i prishin “demokracisë” filma si “Kapedani”,  “Dhe vjen një ditë” e “Flutura në kabinën time”, “Apasionata” dhe “Duaje emrin tënd”, “Në shtëpinë tonë”, “Çifti i lumtur”, “Hije që mbeten pas”, “Vdekja e burrit”, “Shkëlqim i përkohshëm” dhe “Jeta në duart e tjetrit”, etj.! Kërkojmë ndjesë që nuk përmendëm edhe filma e autorë të tjerë, ngase thjesht propozuam disa tituj pa ideologji, pa Parti, pa Enver, gjë që nuk na jep të drejtë të pasgjykojmë asnjë krijim, sado i angazhuar të ketë qenë. Koha vetë e zbraz atje ku duhet. Pse i ngatërrojmë gjërat, në këtë afrim të 100-vjetorit të shtetit shqiptar ca më shumë? Pse nuk vlerësohet ndalimi i gjakmarrjes në ato vite, ashtu si ato ishin, ndërkohë që shteti i sotëm nuk e zë me gojë fare, aq sa duket sikur ka frikë nga një pjesë e elektoratit, që mund t’i thotë: “Ç’kini me Kanunin?” Por ata janë shkelësit më të parë të Kanunit, monument ligjor e kulturor i një kohe që kishte nevojë aq shumë për të. Nuk është e drejtë të bëjmë luftë me çdo gjë që përpara syve tanë ka kaluar, ndonjëherë e kemi kundërshtuar, më së shumti kemi heshtur. Kujtojmë: U përpoq rendi i vjetër të diskreditonte kohën e Ahmet Zogut dhe atë vetë, përmes lloj-lloj falsifikimesh; dhe ia doli përkohësisht. Por e vërteta mënon, veç nuk harron. Sot është e qartë për këdo se ajo periudhë ka pasur problemet e veta, sikundër edhe vlera të padiskutueshme, (duke filluar nga pranimi i parlamentarizmit, etj.). E ndërkaq, ku shkuan punët e profesorëve të Komunizmit kundër Ahmet Zogut? Edhe një term, mbase edhe më delikat. Përpjekjet për të cenuar bazat e gjuhës standarde, siç jam shprehur edhe në një shkrim tjetër, gjithashtu janë pjesë e një doktrine që mban erë revansh. Ndërkohë, kemi mbrojtur lirinë e mundësisë së shprehjes dhe pasurimit të gjuhës, përmes rivlerësimit të gegnishtes, kemi shprehur mendimin se nuk kemi të drejtë ta cenojmë (përveçse ta pasurojmë) një gjuhë letrare të konsoliduar prej kaq kohe, për të bërë lojëra dialektore. Gjithkush mund të ngrihet sot dhe të kërkojë që e folmja e krahinës nga ai vjen, të bëhet gjuha standarde. Individë me dhe pa shkollë, me dhe pa kulturë, kanë marrë penën a më mirë sëpatën në dorë dhe duan të na mbushin mendjen se, “iu ka ardhur e keqja” nga ajo që e konsiderojmë gjuhë standarde. Fort mirë. Hajde të merremi me ë-të, që dikur Faik Konica i krahasonte me mender mizash, për të bërë një çorbë që s’do t’i shijojë dikur askujt. E di që mund të çalojë kjo pranëvënie, por po e bëj, duke shpresuar të ndihë sadopak temën. Unë, bie fjala, do të propozoja që në këto ndryshime “të rivihet në vend” e drejta e të folmes së Devollit. Duke ju treguar një anekdotë të thjeshtë, shpresoj të kuptohet se megjithëse kjo e folme është pjesë e toskërishtes, nuk ka asnjë lidhje me gjuhën standarde: “Zaçja po ngëthehej pe ushtrie. Ne kroi i fshatit, një na gratë e pvet: “Ardhe, o Zaçe?” “Ardhç, moj Pembe, ardhç; shpëtova pe kësaj ushtrie ce dgjon apo jo?” Mund të them se në këtë rrëfim të thjeshtë, një në dy-tre fjalë a përdorime, janë shumë larg gjuhës standarde. Në një sërë mjegullimesh që i vijnë përqark vendit, përveçse njëlloj revanshi, kemi të bëjmë edhe me mungesën e seriozitetit të shtetit dhe të institucioneve. Lexuesit të nderuar mbase i vjen ndërmend përkujtimi i Kongresit të Lushnjës të vitit 1920, kur në ekran (gabimisht) u shfaqën episode dasme… Shkoni në Kavajë dhe gjeni një shenjë të aktorit të madh evropian me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu; gjeni në Shkodër shenja të Gjergj Fishtës, Migjenit dhe Prenk Jakovës, etj.

Gazeta “Telegraf”, një nga mediat më profesionale dhe të ekuilibruara në Shqipëri, krahas shumë përkujtimeve e rivlerësimeve të tjera, botoi përpara ca ditësh një shkrim për inxhinierin dhe karikaturistin e njohur Enriko Veizi. Nga njëra anë, kemi faktin që ai inxhinier, si shumë intelektualë, a njerëz të thjeshtë e familje fisnike, u përndoq nga rendi komunist; nga ana tjetër, ngrihet figura e intelektualit të përvuajtur e, sidomos, një karikaturisti, emrin dhe stilin e të cilit, për dhjetëra vite, e mbajtën kaq libra me tregime humoristike, faqet dhe kopertinat e “Hostenit” dhe revista të tjera të kohës. Mediat serioze mund ta ndalin revanshin, kur ai bëhet rrezik për një komb. Diskutimi i kulturuar dhe duke vështruar më së pari nga ekspertët, është një gjë krejt tjetër nga revanshi. I themi këto sepse aktualisht (do të donim shumë të gabonim) ne po përballemi me një përvojë të keqe harrese e ç’vlerësimi, të trashëguar dhe të sajuar edhe së fundmi në emër interesave dhe mediokritetit të atij (dhe klanit të atij) që ka pushtetin sot për sot. Revanshi ka marrë udhë kudo ndër shqiptarë. Vëmë re se, shkruhet me shumë urrejtje, jo thjesht ndaj një periudhe të caktuar e ndaj figurave tashmë të vëna në shënjestër nga historia, por edhe kur replikat duhej të ishin profesionale dhe në përputhje me vlerat më të mira të qytetarisë që aspirojmë. Unë mund të pranoj, bie fjala, që në disa replika, shkrimtari i njohur Rexhep Qose e ka mbiluajtur mërinë e vet për ndonjë koleg apo ka tejkaluar në ndonjë rast masën e kritikës (edhe për qeverinë shqiptare). Megjithatë mënyra se si përgjigjen disa shtetarë e disa shkrues gjaknxehtë, nuk është e pranueshme. Edhe përdorimi i epiteteve dhe tonet pexhorative, e kanë një kufi. Më në fund, pse u dashka të kemi kaq shumë kaos ndër vedi? Me keqardhje, mund të themi se klanet që janë në qeverisje e jashtë saj, dhe që kanë autorësinë e tyre në cenimin e vlerave demokratike (veçmas në dhjetë vitet e fundit), nxisin mjegull artificialisht. E ndërkaq, ato po tallen me zgjedhjet dhe me votën e qytetarëve shqiptarë. Me të drejtë, lexuesi mund të pyesë: Revansh. Po përse? Në emër të kujt? Në muajt e parë të pluralizmit, një nga drejtuesit e kësaj lëvizjeje në atë kohë, Sali Berisha, deklaronte diçka të tillë, pak a shumë të drejtë: “Jemi të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Sa shpejt do të harroheshin këto fjalë. Sa herë është kërkuar të hapen dosjet…Jo klanet! Sot, madje gjatë gjithë tranzicionit, krejt si në filmin “Vdekja e kalit” (Sajmir Kumbaro-Nexhati Tafa), na janë ngritur komunistët dhe na mbajnë leksione kundër komunizmit dhe për demokracinë; dhe ata “udhëheqin” demokracinë, bëjnë zero gjithë sa ka të bëjë me të shkuarën, shtyjnë tutje pronarët dhe të përndjekurit në emër të “demokracisë”. Klanet dhe fanatikët që bëjnë pjesë në to, nuk po e kuptojnë se po përsëriten gjëra që shqiptarët dikur i përbuznin; nuk është e drejtë të qëndrohet në vend për ca interesa që dikur mund të jenë objekt i drejtësisë. Kur edhe ajo të jetë jashtë klaneve…