Propagandën tuaj Kryeministër nuk mund ta hanë pogradecarët!

293
Sigal

Nga Gentian Çala

Sot Kryeministri Rama ishte në Pogradecin e investimeve me pikatore. Pogradeci do ti kujtojë këto 8 vite të qeverisjes së Rilindjes për braktisjen e qytetit turistik, ku destinacioni i parapëlqyer dikur, ka ardhur drejt zvenitjes nga lënia në harresë. Pogradecarët e dinë mirë se investimet në infrastrukturë të bëra pa standarte, marrin përditë jetë njerëzish në aksidente. Mjafton të shikoni rrugën Pogradec-Qafë Plloçë, pa trotuare për këmbësorë dhe pa ndriçim.

Turizmi në Pogradec po përpiqet të mbijetojë në kushtet e situatës ekonomike aktuale dhe mjafton të pyesni biznesin për gjendjen ku ata ndodhen. Kurse Kryeministri dhe ata që e shoqëronin flisnin për rritje kapacitetesh hoteliere. Papunësia ka detyruar të rinjtë e Pogradecit të marrin udhët e botës. Pogradeci në periferi, në zonat rurale madje shumë pranë tij ngjan me Kandaharin nga infrastruktura. Shumë prej fshatrave turistike nuk kanë ujë të pijshëm. E jo më të diskutojmë për turizëm.

Propagandën tuaj Kryeministër nuk mund ta hanë pogradecarët. Ekonomitë familjare e ndjejnë përditë vështirësinë, varfëria është shtuar dhe sfilata juaj e sotme nuk mundet tua heqë skamjen mijëra familjeve që nuk ndjejnë aspak përmirësimin e jetesës. Bashkia për të cilën ju flisni, në 15 vitet e fundit është drejtuar për 11 vite nga socialistët, ndaj mos e drejtoni gishtin e dështimit te të tjerët. Bëjeni bilancin pastaj flisni. Ndaj në 25 Prill vota e pogradecarëve do të jetë për ndryshimin e situatës, e cila fillon me pensionimin tuaj politik.
Sepse Pogradeci është shtëpia jonë!