Prof. Servet Pëllumbi/ Përplasje qytetërimesh?

710
Sigal

Luftërat “moderne” përmbysin raportet, personat që vuajnë më tepër janë njerëzit e pafajshëm dhe të pambrojtur

 E them që në fillim se jam kundër çdo keqpërdorimi të fakteve episodike “xhihadiste” për të thënë se në Shqipëri, apo në Ballkan e në botën e sotme, shqetësimet vijnë përgjithësisht nga përplasja e qytetërimeve dhe kryesisht nga “qytetërimi islam”, “mënyra islamike e jetesës” që njësohen me fenë islame. Me që kjo fe qenka “më pak moderne” nga fetë e tjera, nga ajo ortodokse, katolike, judaiste, evangjeliste etj, përplasja qenka diçka pozitive dhe e domosdoshme. Gjithsesi, pa harruar që konceptet e modernes, bashkëkohores apo e progresives e reaksionares, vështirë të gjejnë përdorim në karakterizimin e feve të ndryshme, që janë të lashta, të ngritura gati mbi të njëjtat mistere për qëllime të njëjta dhe afërsisht sipas të njëjtëve skenarë. Ndërkaq, fenomeni i “rekrutëve në Siri”, nuk është thjesht dhe vetëm i besimtarëve islamë apo vetëm i Ballkanit, a vetëm i Shqipërisë! As edhe i disa imamëve ilegalë, siç thuhet.Në të vërtetë, e ritheksoj se kemi të bëjmë me një fenomen të ri që ka në themele mercenarizmin e vjetër të kryqëzatave, por që përdor me mjeshtëri rrjetet sociale dhe financime të bollshme, të vëna pari,në funksion të ndërkombëtarizimit të këtij fenomeni; dhesë dyti, në shërbim të strategjisë politike të drejtimit të njohur me emrin Plani B, apo siç e quajnë ekspertët përmes kaosit drejtuar,që në thelb ka kthimin tek liria vetërregulluese (anti-ligj) ekaosit pagan.Thënë ndryshe, një strategji që burimin e së keqes e shet për progres, për rrugë drejt demokracisë… Me sa duket, i tillë ishte edhe qëllimi kryesor i përmbysjeve që nisën në vitin 2011 e që u emërtuan “Pranvera Arabe”. Në të vërtetë, fjala ishte për shpërthimin e luftërave të brendshme me ashpërsinë e luftërave civile që kishin në themel luftën për pushtet dhe interesa ekonomike midis grupimeve të ndryshme të së njëjtës fe, të asaj islame me mbështetje ndërkombëtare jo islame. Pra, një edicion të ri të “Luftës së të gjithëve kundër të gjithëve”!

Një shembullkonkret e shumë domethënës për të provuar që në rastin e dhënë feja islame është thjesht një fasadë që paraqet rasti i Sirisë, shtet i lashtë i Lindjes së Mesme, i njohur sidomos pas vitit 1991 si “ishull stabiliteti” në rajon. Të katër tarikatet fetare islamiste, sunitët, shiitët, alavitët dhe ismailistët, përfshi dhe bashkësitë kristiane, jetonin në një harmoni relative midis tyre në kushtet e shtetit laik që vepronte në vend. Kjo ishte arsyeja që në Siri nuk eci procesi i nxitur nga jashtë i “pranverës arabe”. Revoltat “spontane” nuk e lëkundën rendin kushtetues e pushtetin e presidentit Asad. Pas kësaj u vu në lëvizje “Plani B” ose strategjia e “drejtimit përmes kaosit”, që ka në themel mbështetjen e radikalëve islamistë për të shpërthyer luftën civile. Dhe me që elementët radikalë në Siri ishin të paktë, ata u “importuan” nga jashtë Sirisë në emër të një xhihadi kundër diktatorit Asad, i identifikuar me satananë, me Sadamin e diktatorë të tjerë të rrezikshëm…  Kjo strategji mori vrull sidomos pas gushtit 2013, me “zbulimin” e përdorimit të armëve kimike nga regjimi i Asadit..! Një vit më vonë, në verën e 2014-ës, lufta civile me koperturë fetare e me pasoja edhe më të rrezikshme shpërtheu në Irak… Kemi të bëjmë kështu me një fenomen që meriton të studiohet më thellë, se pritet që luftërat lokale të cilat kanë në themel konfliktet etnike dhe fetare të bëhen formë kryesore e luftërave në të ardhmen. Karakteristike për to ështëpari, ndërkombëtarizimi me lehtësi i tyre përmes teknologjive moderne të komunikimit; së  dyti, përdorimi i tyre si “fusha eksperimentale” për luftërat gjeopolitike në epokën e kalimit nga bota një polare në atë shumë polare.

Studiues të ndryshëm shpejtojnë të deklarojnë se më në fund po vërtetohet teza e S. Huntingtonit. Sipas shumë politologëve të njohur, shekulli XXI-të ka për të qenë shekulli i përplasjes së fondamentalizmit islamik me civilizimin europian, që në thelb është civilizim protestan. Del pra që teza eHuntingtonitmbi përplasjen e qytetërimeve fetare edhe pse e kritikuar për skematizmin e vet, do të vazhdojë të përdoret si koncept gjeostrategjik i së ardhmes, i nxitjes së trazirave fetare për të përligjur luftërat lokale e rajonale për interesa ekonomike. Veçse këtu ka diçka paradoksale: lufta si ironi tragjike e absurdi historik quhet “përplasje qytetërimesh”! Pra “vrasja”, që është qëllimi i luftës dhe “mashtrimi, si armë e luftës'” bashkë në një përcaktim me qytetërimin. Në thelb, kjo qëndron edhe për konceptin luftë ekonomike botërore që ka filluar të përdoret për të karakterizuar një tip të ri të “veprimeve luftarake”, nxitjen e drejtimin e kaosit ekonomik, politik e shpirtërorbrenda vendeve të përfshira në këtë lloj të posaçëm lufte dhe ekspansioni, me qëllim që hallet e Metropolit të hidhen mbi Periferinë. Kuptohet, modeli konkret i asaj që quhet badyboom (shoqëri e konsumit), nuk është vështirë të gjendet në botën e sotme, madje si një lloj ideali edhe në vendet e demokracisë së re ku bën pjesë dhe Shqipëria.

Arsyet e përplasjes së interesave janë të shumta, por në thelb të njëjta me ato të luftërave “për të vrarë” njëri-tjetrin për derisa lufta do të vazhdojë të quhet motor i ekonomisë botërore. Në raport me botën islamike, tërheqin vëmendjen posaçërisht:pari,lakmitë e korporatave shumëkombëshe për pasuritë e akumuluara në vendet naftëmbajtëse të Lindjes së Mesme, që duhet t’u hiqen nga duart tani kur bota pritet të bjerë në cejtnotin e shterjes së rezervave për ekzistencë e zhvillim. Është fakt që shumica e vendeve myslimane janë në hapësirat gjeografike ku sintetizohen interesat ekonomike te Europës, SHBA-së, Rusisë, Kinës, Indisë dhe vendeve të Azisë Jug-lindore; Së dyti, rritja e potencialit demografik të botës myslimane, shtimi pa kufizim i tij dhe shpërndarja gati kudo nëpër botë e sidomos në Europë. Është fakt i njohur që në Gjermani, Francë e Danimarkë, popullsitë e besimit islamik trajtohen si rrezik demografik dhe si presion i vendeve të mbetura prapa.

Ndërkaq, rasti i Sirisë paraqet një pamje tjetër shqetësuese. “Ajo që po ndodh sot në Siri, thotë Sheiku Paris Al-Tai, është një grindje midis vëllezërve të mi sirianë. Shkaqet janë të shumta. Një prej shkaqeve është se kush do te qeverisë atë vend. Po kështu shkak është edhe lufta ekonomike që i bëhet Sirisë. Fatkeqësisht prej shumë shteteve. Për sa u përket civilizimeve dhe përplasjes midis tyre Fans AL-Tai shton: “Siria është toka e civilizimeve. Por flasim për një civilizim që është i vjetër më shumë se 7 mijë vjet. Është një vend, tek i cili më së pari njerëzimi filloi të shkruante. Ajo është një tokë që është e dashur për të gjithë profetët e Zotit dhe kjo është tokë që të gjithë profetët erdhën dhe sollën librat, mesazhet e tyre”. Pikërisht në këto hapësira kemi të bëjmë në thelb me shfarosje të gjurmëve më të hershme të civilizimit.Natyrshëm lind nevoja për një zbërthim dhe përditësim të mëtejshëm të tezës së Huntingtomt. Veçse në paradigmën e këtij përditësimi, doemos duhet të përfshihen dy momente:pari, që regjimiedhe sikur të ishte unik në vetvete, nuk mund te jetë bazë për bashkimin e njerëzimit dhe se dyti, se përplasjet midis feve të ndryshme kurrsesi nuk përbëjnë një fatalitet. Nga një këndvështrim i tij, i mbështetur në të dhëna të shumta empirike del se teza mbi përplasjet midis qytetërimeve si shkaku i thellë i luftërave, e shtjelluar dhe e mbrojtur për shumë vite nga Samuel Huntingtom, ne thelbin e vet është gjeopolitike dhe me destinacione konkrete. Pa dyshim teza eHuntingtomtpërbën një këndvështrim të ri. Për Huntingtonin, tani në epokën e globalizimit konfliktet klasike për troje apo midis të pasurve dhe të varfërve për “plaçkë  lufte” kanë marrë fund, si në Europë ashtu dhe në botën joeuropiane, ndërsa “një rend i ri ndërkombëtar i mbështetur mbi qytetërimet është garancia kundër luftës botërore”.*

Është e vërtetë, që si në rrafshin historik ashtu dhe në atë të realitetit të sotëm mund të konstatohen edhe përplasje për hegjemoni kulturore apo fetare. Filozofi britanik i historisë, i mirënjohuriA. Tojmbi, thekson me të drejtë se të gjitha civilizimeve gjatë historisë së tyre u është dashur të përballojnë apelin e kohës për zhvillim të mëtejshëm, gjë që ka kërkuar zgjedhjen e variantit më të mirë të përballimit të problemeve të lindura, por dhe për ta ngritur shoqërinë në një stad më të lartë. Ndryshe fillojnë anomalitë e pastaj rënia e pa shmangshme… Edhe kjo mund të quhet një lloj lufte botërore… Megjithatë, në kohët moderne nuk gjendet asnjë luftë që të ketë shpërthyer për këtë shkak. Po kështu është logjike të pranohet që rendi i ri botëror mund të konceptohet si integrim i njerëzve dhe kulturave, si një proces përqasjesh ndikimi e pasurimi reciprok që kapërcen dallimet e sotme midis “shtatë ose tetë qytetërimeve kryesore” të Huntingtonit. Ndërkohë, paradigma sipas së cilës një rend botëror përftohet më shpejt e në mënyrë më të sigurt nga shoqëritë që kanë afërsi kulturore dhe bashkëpunojnë midis tyre, është provuar si e saktë dhe udhërrëfyese.

Megjithatë, identifikimi që Huntingtoni i’u  bën kulturave dhe qytetërimeve me fetë kryesore monoteiste, e ritheksoj, është i gabuar e skematik, sepse qytetërimet kryesore në historinë e njerëzimit nuk mund të njësohen me fetë e mëdha botërore qoftë dhe vetëm për faktin se njerëzit që i përkasin të njëjtit civilizim, që kanë të njëjtën etni e gjuhë mund t’u përkasin besimeve të ndryshme fetare. Feja nuk është tipar qendror përcaktues i qytetërimeve. Kjo dhe për faktin që vetëHuntingtonpranon se “fetë e mëdha të botës janë që të gjitha prodhim i qytetërimeve jo perëndimore. Këtu në të vërtetë fillojnë paradokset e “përplasjes së qytetërimeve”.

Njëjësimi i Europës me krishterimin perëndimor (protestantizmin), e çon Huntingtonin në përfundimin se ky duhet të jetë edhe kriteri i vetëm për pranimin e anëtarëve të rinj në BE. Mbi këtë bazë, anëtarësimin e Greqisë në NATO dhe në BE ai e quan të gabuar, ngaqë ajo i përket ortodoksisë. Greqia, sipas tij “po evoluon drejt aleatit Rusi, pas Luftës së Ftohtë”.­ Po ashtu, ai quan krejt të dëmshëm edhe afrimin dhe anëtarësimin e mundshëm të Turqisë, Bosnjës dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, meqë sipas tij nuk i përkasin Perëndimit, por kulturës dhe fesë islame. Më tej e quan normale që Rusia “po krijon një bllok me një terren qendror ortodoks, si dhe me një zonë rrethuese amortizimi me shtete të dobëta islamike”. Ndërsa Ukraina, meqë qenka një pjesë katolike e pjesa tjetër ortodokse duhet të copëtohet, siç po ndodh realisht pas referendumit të 16 marsit 2014 në Krime, kur kjo krahinë iu bashkua Rusisë!

Veçse, ajo që po ndodh realisht në Ukrainë nuk është përplasje qytetërimesh të kundërta apo gjuhësh, siç e paraqet ndonjë studiues rus, por formë e përplasjes së tensioneve midis fuqive të mëdha, SHBA-ve dhe Europës nga njëra anë dhe Rusisë me pretendimet e superfuqisë nga ana tjetër. Po ashtu, mungesa e një shteti-bërthamë islamik, sipas Huntingtonit qenka shkaku i përçarjeve të botës islame dhe jepet  rekomandimi që Turqia të bëhet “shtet udhëheqës i këtij qytetërimi”. Por gjërat kanë ndryshuar nën trysninë eTwitter Revolution-eve.Tani ideja e ndarjes së Irakut, e krijimit të shtetit të ri “Kurdistani i lirë”, shihet si shans për të bërë presion mbi Turqinë dhe për të mbajtur nën kontroll ambiciet e saj perandorake në Lindjen e Mesme, në Ballkan dhe vende të Azisë së Mesme!

Gjithsesi, zhvillimet e sotme politike e gjeostrategjike po provojnë në mënyrë bindëse se vetëm në dukje kemi zbatimin e paradigmës Huntington, por në të vërtetë kemi përmbysje konceptesh gjeopolitike e gjeostrategjike, një filozofi krejt tjetër të luftës, paqes dhe të drejtimit të problemeve botërore. Madje, sipas specialistëve të luftërave, konfliktet e gjysmës së dytë të shekullit të XX-të dhe këto të tanishmet dallohen ndjeshëm nga luftërat e shekujve të kaluar.

pari, se vendet e mëdha kanë evituar përplasjen ushtarake ndërmjet tyre duke kërcënuar reciprokisht njëri-tjetrin me armët e shkatërrimit në masë; Së dyti, sa janë praktikuar zhvendosje të “lojës së madhe” të interesave në periferi, në qoshe të ndryshme të botës që janë bërë nyje të rëndësishme interesash për naftën a pasuri të tjera, apo për pozicionin gjeostrategjik; Së treti, sot studiuesit vihen në vështirësi për të përdorur klasifikimin e luftërave në të drejta dhe të padrejta, sepse luftërat moderne ndryshe nga ato klasike drejtohen kryesisht kundër civilëve. Faktet: rrëzimi i avionit civil të Malajzisë mbi Ukrainë i goditur nga një raketë, ku mbi 300 civilë të pafajshëm gjetën vdekjen; bombardimet izraelite në Gaza në korrik 2014 u pasuan brenda javës nga rreth 1500 viktima; aktet terroriste nuk reshtën as gjatë muajit të ramazanit por sollën shumë viktima, midis të cilëve gra, fëmijë e pleq; lufta civile në Siri dhe Irak në thelb është luftë kundër civilëve. Egërsia sa vjen e rritet…! Pra luftërat “moderne” i kanë përmbysur raportet, prandaj personat që vuajnë më tepër janë civilët, njerëzit e pafajshëm dhe të pambrojtur. Kuptohet, për ta mbajtur botën nën tension të përhershëm! (Po përmend vetëm një urdhër skandaloz të xhihadistëve që dëshmon se sa pa moral e të pa fe janë drejtuesit e ISIS-it: “Të gjitha femrat e reja duhet të bëjnë seks me ushtarët e 1SIS”. Komentet janë të tepërta); katërti,duke u dhënë ideologjisë dhe lëvizjeve të ndryshme status të ri, që favorizohet nga vënia në përdorim masiv të teknologjive të reja të komunikimit (radio, tv, internet, rrjete sociale). Një shembull karakteristik për konkretizim. Në ditët e para të korrikut 2014, mediat botërore bënë të njohur: 1. SHBA rrit ndihmën financiare për rebelët që luftojnë në Siri; 2. Britania e Madhe merr përsipër armatimin e 100 mijë rebelëve që luftojnë në Siri; 3. Rusia pranon të japë për Asadin avionë për të mposhtur rebelët…! Vërtetohet kështu se nuk është fjala për përplasje qytetërimesh, porpër vazhdim të politikës me mjete të tjera, do të thoshte teoricieni i luftës Klauzeviç.

Problem i madh edhe për kohën tonë mbetet fakti që shpeshherë qeveritë përfitojnë (ose llogarisin të përfitojnë) politikisht nga lufta edhe pse kjo apo ajo luftë konkrete mund të mos ketë kuptim nga këndvështrimi i interesave kombëtare përkatëse. “Për një farë kohe, thotë nobelisti për ekonominë Paul Krugman, “lufta kundër terrorizmit” e çoi mbështetjen popullore për presidentin Bush në nivele të paprecedente dhe ndoshta prej Irakut ai fitoi zgjedhjet e 2004-ës. Po kështu, mbështetja për Putinin është rritur shumë që kur nisi kriza e Ukrainës”.* Po ashtu, si në kohën e Klnuzeviçit vazhdon të ketë liderë politikë që priren nga iluzioni se fitoret e lehta vazhdojnë të jenë të mundshme dhe të pranishme!

Ndërkaq, në rendin e sotëm botëror realisht ka ndodhur një zhvendosje tektonike: faktor dominant në politikën botërore dhe në lojën e fuqisë nuk janë shtetet por një bashkësi e re dhe e fuqishme, biznesi global,të cilit i intereson imazhi i një armiku global, apo dhe thirrjet për kualicione globale kundër terrorizmit dje dhe ISIS-it sot. Janë pikërisht monopolet globale apo korporatat transnacionale (megamonopolet) zotërinjtë e vërtetë që drejtojnë botën, që “kurdisin” dhe bëjnë luftrat të shtrira në të gjithë botën. Përfshi dhe luftën kibernetike!

Gjithsesi, mendoj se në këtë linjë nuk është i tepërt pak informacion i freskët për zhvillimet në Lindjen e Mesme. Në radhë të parë duhet thënë se të gjitha faktet flasin për përplasje midis grupimeve të të njëjtës fe a qytetërim, pas të cilave qëndrojnë monopolet globale. Mjafton të shohësh si po vërshojnë armët nga të katër anët në botën arabe. Në Siri, bie fjala, faktikisht janë duke u zhvilluar tri luftëra: 1. Midis ushtrisë qeveritare dhe opozitës; 2. Midis opozitës së moderuar civile dhe islamistëve të “Al-Kaedës” dhe bijës së parë të saj “Xhabhat an-nusra”; 3. Midis grupimeve islamike, sunitëve të profilit vehabist dhe shiitëve, të cilët Abu Musad az-Zarkaun-i, lider i “A1 Kaedës në Mesapotami”, i quajn më të rrezikshëm e më dinakë se gjarpëri dhe skorpioni, më spiunë se armiqtë dhe më helmuesit nga të gjithë zvarranikët, prandaj vrasja e tyre quhet detyrë parësore! Madje më e rëndësishme se “vrasja e amerikanëve”. Ja dhe edicioni më i ri i përplasjes së qytetërimeve që provon se lufta brenda llojit është më e egra! Ajatolla Ali as-Sistani, lideri i shiitëve të Irakut që përfaqëson mbi 60 për qind të popullsisë myslimane të këtij vendi (që ka heshtur për 10 vjet), u bëri thirrje shiitëve që njihen për dinamizmin e shpirtin luftarak dhe për solidaritetin midis tyre, që të ngrihen për të lurtuar kundër sunitëve. Ja pse kjo është një luftë ku pleksen shumë interesa, prandaj është e vështirë që të ndërpritet!

Natyrshëm kjo të ngacmon mendimin për t’u dhënë të drejtë autorëve që supozojnë se “antiamerikanizmi” i botës arabe gatuhet në “kuzhina të posaçme” të biznesit global dhe për t’u konsumuar kryesisht jashtë vetë botës arabe! Nuk përjashtohet që në kombin arab të jenë akumuluar mëri antiamerikane, apo përgjithësisht antiperëndimore, por më me peshë janë problemet e shumta që kërkojnë zgjidhje dhe që e bëjnë botën arabe të jetë konfuze, tribale, me shtete të dobët e të drejtuar nga monarkë, emirë e sheikë të lënë pas nga koha, fatalisht të fragmentarizuar dhe që identifikohen në mënyrë sektare nga tarikati i fesë islame të cilit i përkasin. Kjo e bën botën arabe të zymtë, të përçarë, të paaftë për garë demokratike, njëherësh dhe terren të përshtatshëm për monopolet globale që “gjejnë shesh e bëjnë përshesh”. Edhe pse gati të gjithë liderët monarkë emirë e sheikë janë të shkolluar në Perëndim apo të doktoruar në Harvard, Oxford apo universitete të tjera me emër.

Ndërkaq, hedhja e vështrimit prapa te krijimi i kombeve e shteteve fetare është formë e mbrojtjes së interesave gati feudale të pronarëve të mëdhenj që kanë shtetet e tyre në pronësi, që vetë bëjnë buxhetet e ligjet, gjë që krijon boshllëk politik në raportet ndërkombëtare dhe detyrimisht merr trajtën e një qorrsokaku nga i cili është vështirë të dilet. E ritheksoj, kësaj kaste sunduese i intereson fajësimi për prapambetjen dhe varfërinë në masë të popujve arabë, i të tjerëve, bie fjala i Perëndimit apo më konkretisht i SHBA-së dhe Izraelit (dhe për këtë mund të sillen fakte të shumta dhe reale), por kjo nuk përligj kurrsesi as mungesën e ndjenjës së shtetësisë, as klientelizmin dhe as ndjekjen e hiç alternativave për zgjidhjen e situatave të reja, me të cilat po ballafaqohet i tërë rajoni i Lindjes së Mesme.

Për pasojë, zhvillimet e viteve të fundit kanë krijuar rreziqe më të mëdha për “ndërhyrjepërçarëse nga jashtë”, për bërjen e luftërave deri dhe në shoqërinë e pritshme të dijes dhe të informacionit me mercenarë të dalë “vullnetarisht” nga etni e besime të ndryshme fetare që luftojnë për të tretë e sidomos për korporatat transnacionale. Mjafton të kesh para për t’i paguar dhe për t’u lidhur me lloj-lloj mercenarësh me anën e internetit dhe të rrjeteve sociale. Veçori të tilla kanë për të ndryshuar shumë natyrën dhe skemat e luftërave në epokën e globalizmit dhe të zhvendosjeve të fuqisë, duke e bërë atë shumë polare dhe më të rrezikshme për të jetuar në Planetin Tokë!

Përpara rreziqeve të tilla duket e përbindshme çdo mbështetje e ideve “klasike”, sipas të cilave lufta mbetet një faktor i rëndësishëm për rritjen ekonomike, për nxitjen e shpikjeve teknologjike, për lëvizje të kapitalit e krijim institucionesh financiare që i paskan dhënë mundësi Perëndimit të ngrihet e të bëhet i zhvilluar. Madje, sa më shumë viktima të sjellë, aq më frytdhënëse lufta! Sipas kësaj logjike, duhet nxitur lufta midis popujve të varfër e rajoneve me probleme që të mund “të ngrihen” si Perëndimi!!! Nuk përjashtohet, që për ide të tilla mund të gjenden shembuj mbështetës nga e kaluara historike e vendeve e rajoneve të ndryshme të botës, e megjithatë procese të tilla sjellin sot në mënyrë të padiskutueshme ndryshime thelbësore përkeqësuese në realitetin gjeopolitik, si dhe në filozofinë e luftës dhe të paqes. Prandaj, biznesi dhe monopolet globale që rendin pas fitimeve maksimale dhe “përfitimeve të momentit”, nuk duhet të harrojnë as natyrën e ndryshimeve që po ndodhin dhe as rreziqet që i vijnë sot botës globale, kur ajo ka filluar të përngjasojë me një “shtëpi të përbashkët”, por të pa ndërtuar ende…