Prof. Pëllumb Xhufi/ Serbët e kthyen Rezolutën 1244 në një postulat të tyre

566
Sigal

Marrëveshja e Rambujesë, konsiderohet pjesë përbërëse e Rezolutës 1244

 E mallkuara “Rezolutë 1244”

 Askush, në qershor të vitit 1999, nuk e priste që gjithë ai angazhim politik, ushtarak, financiar e moral i botës perëndimore në betejën për Kosovën, të përfundonte me rezolutën hermafrodite 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ky dokument sigurisht, nuk e kënaqi deri në fund kërkesën bazike të shqiptarëve, atë të shkëputjes imediate e përfundimtare edhe de jure të Kosovës nga Jugosllavia e mbetur. Vërtet, forcat ushtarake e policore, e gjithë administrata e dikurshme serbe u nxorën jashtë Kosovës dhe administrimi dhe siguria e saj ju besuan përkatësisht  misionit civil ndërkombëtar (UNMIK-ut) dhe misionit ushtarak ndërkombëtar (NATO-KFOR). Vërtet ajo parashikonte ngritjen e institucioneve vetëqeverisëse, nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Por falë ndërhyrjeve e presioneve kryesisht të Rusisë, Rezoluta në fjalë përfshiu edhe ndonjë referencë mbi “ruajtjen e sovranitetit të RF të Jugosllavisë mbi Kosovën”.

Kaq mjaftoi, që serbët dhe Beogradi ta shpallin Rezolutën 1244 si “gjënë e tyre”, duke injoruar qëllimisht thelbin e saj. Një arsye më shumë kjo, që i shtyu shqiptarët ta refuzojnë atë, sipas motos së njohur “ç’është e mirë për kundërshtarin, është e keqe për ty”. Dhe mu për këtë arsye zgjodhën një mënyrë sjelljeje ndaj saj, që barazohet me heshtjen dhe injorimin, pa çka se ata dhe institucionet e Kosovës i kanë zbatuar besnikërisht detyrimet që rrjedhin prej saj. Madje, edhe më mirë se vet UNMIK-u. Ky i fundit ka patur edhe ndonjë shkarje, ndër të cilat njëra është aq e rëndë e me pasoja, saqë ia vlen të kujtohet. Fjala është për udhëtimin e shumëpërfolur të 5 nëntorit 2001, në Beograd (!), të shefit të UNMIK-ut, Hans Haekkerup. Ky, pa pyetur fare institucionet e Kosovës, nënshkroi me atë rast një “marrëveshje” me të Ngarkuarin e Posaçëm të qeverisë serbe, Nebojsha Çoviç, një marrëveshje që i njihte Beogradit një “rol të veçantë” në Kosovë, duke e ftuar atë në krijimin e “grupeve të përbashkëta të punës” për Kosovën, duke lypur ndërhyrjen e tij për të bindur serbët e Kosovës të merrnin pjesë në zgjedhjet dhe në institucionet e dala prej tyre. Sigurisht, në shkëmbim të këtyre “shërbimeve”, Haekkerup pranoi të fusë edhe një klauzolë (pika 5) me tingëllim shumë aktual, e cila “u kujtonte” institucioneve të zgjedhura të Kosovës, se asnjëra prej tyre nuk kishte të drejtë të merrte vendime lidhur me statusin! Në këtë pikëpamje, pati shumë të drejtë Çoviç të kapardisej si triumfator duke deklaruar menjëherë pas nënshkrimit, se “ky dokument shënon kthimin e Jugosllavisë në Kosovë dhe ndalon çdo hap për pavarësimin e saj”. Në fakt, nëse Rezoluta 1244 e kishte nxjerrë Serbinë nga dera, marrëveshja Haekkerup-Çoviç e fuste atë përsëri në Kosovë, kësaj radhe nga penxherja. Dhe sigurisht, Beogradi e shfrytëzoi këtë njohje roli në Kosovë, por aspak për të ndikuar “në krijimin e një Kosove multietnike” apo “për të inkurajuar serbët e Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhje”, siç thuhej në tekstin e marrëveshjes, por pikërisht për të kundërtën: për t’i shtyrë ata që të bojkotonin çdo angazhim të tyre në Kosovë, duke filluar pikërisht nga pjesëmarrja në zgjedhje, duke ushtruar presion mbi ta për të votuar në zgjedhjet e Serbisë dhe duke i lidhur ata me fije të dukshme e të padukshme me Beogradin. Në këtë mënyrë, shpresa për t’i përfshirë në proces, për t’i bërë serbët e Kosovës qytetarë të Kosovës, u tha bashkë me bojën e firmës së Haekkerupit mbi marrëveshjen në fjalë. Ndaj dhe reagimi në Kosovë ndaj kësaj “break through”  të Haekkerupit në Beograd, ishte pritshmërisht i ashpër[1]. Por askujt në Prishtinë (pse jo edhe në Tiranë) nuk i shkoi ndërmend ta kritikonte Haekkerupin jo thjesht se nuk kishte pyetur dhe kishte injoruar kosovarët, jo thjesht se kishte shkuar në Beograd si perandori Henriku IV në Kanosë në vitin e largët 1077, por sepse duke nënshkruar një marrëveshje me një përmbajtje të atillë me Beogradin, ai kishte shkelur pikërisht mbi Rezolutën 1244, gardian i së cilës duhej të ishte. Jo, rezoluta 1244 thjesht nuk ekzistonte për faktorin shqiptar.

Ndërkohë, serbët e kthyen Rezolutën 1244 në një postulat të tyre. Jo vetëm ajo njihte, sipas tyre, sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, por edhe nuk lejonte zgjidhje tjetër, veç asaj të autonomisë, “të autonomisë substanciale brenda Serbisë”, filozofon Thomas Fleiner, këshilltar i grupit negociues të Beogradit. Një “interpretim” të tillë të Rezolutës 1244 e kanë bërë vazhdimisht Koshtunica, Tadiç, Drashkoviç, Jeremiç në Beograd, Bruksel, Vjenë e deri në Nju Jork, në selinë e OKB, ku u hartua dhe u miratua rezoluta në fjalë. Askush nuk u tha se e kishin gabim, se nuk është kjo fryma e Rezolutës 1244. Puna shkoi deri aty, saqë në tetor të vitit 2007, Koshtunica të japë alarmin e të akuzojë sa SHBA aq edhe BE, sepse këto po përpiqen të zhbëjnë Rezolutën 1244 dhe të shkëpusin Kosovën nga Serbia. Mirëpo kësaj radhe Koshtunica e teproi: sepse nuk u mjaftua të flasë vetëm për zhbërje të Rezolutës 1244 dhe shkëputje të Kosovës, por pati pakujdesinë të flasë edhe për zhbërje të Marrëveshjes së Dejtonit dhe shkëputje të Republikës Serbe nga Bosnjë-Hercegovina. Deklarata e tij u kuptua ashtu siç ishte në të vërtetë, si një deklaratë lufte dhe mu për këtë shkak, në Beograd mbërritën vetëtimthi protestat e ashpra e kërcënuese të Uashingtonit, Parisit, Londrës, Berlinit e Romës.

Një mistifikim i tillë i Rezolutës 1244 nga ana e Beogradit, i arriti gjithsesi dy rezultate: nga njëra anë krijoi një opinion, sipas të cilit ky dokument nuk i lë kurrfarë hapësire pavarësisë së Kosovës. I sigurt për një gjë të tillë, Ivo Viskoviç, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, bënte edhe cinikun, duke “u ofruar” një zgjidhje legale “ithtarëve” të pavarësisë së Kosovës, një zgjidhje si ajo që u gjet me rastin e konfliktit mes dy Koreve, në vitet 1950: me atë rast, në pamundësi për të patur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që të mundësonte ndërhyrjen ushtarake (vetua Ruse!), SHBA dhe vendet perëndimore e kaluan rezolutën në fjalë jo në Këshillin e Sigurimit por në Asamblenë e Përgjithshme. Gjë që sigurisht nuk mund të ndodhë me Kosovën, nga momenti që një rezolutë pasuese e asaj 1244, do të duhet të ndjekë të njëjtën rrugë, pra duhet të kalojë nga Këshilli i Sigurimit, nëse për një rezolutë të OKB-së bëhet fjalë.

Rezultati i dytë i arritur prej “privatizimit” serb të Rezolutës 1244, është tkurrja dhe mosbesimi gjithnjë e më i madh i shqiptarëve ndaj saj. Edhe kur Beogradi u bëri thirrje, madje i kërcënoi serbët e Kosovës të bojkotonin zgjedhjet e 17 nëntorit 2007 (gjest me të cilin edhe vetë Rusia nuk guxoi të solidarizohej), edhe kur Beogradi provokoi të gjithë, duke hapur ilegalisht një zyrë të tij në Mitrovicë, ishte UNMIK-ut ai që protestoi ndaj këtyre akteve, duke i ballafaquar ato pikërisht me Rezolutën 1244. “Beogradi, i cili po të gjykosh nga deklaratat publike, po mundohet të tregohet aq i dedikuar  pas Rezolutës 1244, le ta tregojë këtë me fakte e të mos pengojë zgjedhjet në Kosovë”, do të shprehej jo pa një dozë ironie të merituar, në 23 tetor, zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, ndërkohë që Joahim Ryker do ta stigmatizonte si “akt ilegal e shkelje flagrante të Rezolutës 1244” hapjen e zyrës së Beogradit në Mitrovicë.

Nga ana e tyre, autoritetet e Kosovës thjesht i injoruan implikimet e rënda në pikëpamje të së drejtës ndërkombëtare që veprime të tilla sillnin, duke dhunuar dokumentin e njohur e të pranuar nga të gjithë, edhe nga Rusia, mbi bazën e së cilit rregullohet statusi aktual i Kosovës. Ato, edhe kur i bashkoheshin korit të komunitetit ndërkombëtar në denoncimin e Beogradit për mosbashkëpunim me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, flisnin si për një gjë që i përkiste të gjithëve, jo si për një gjë që u përkiste në radhë të parë atyre, si për një obligim që lindte nga Preambula dhe nga paragr. 14 i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit për Kosovën!

Në fakt, Rezoluta 1244 nuk e kishte merituar këtë braktisje totale nga ana e shqiptarëve. Nëse ajo nuk ishte zgjidhja, që ata me të drejtë kishin pritur pas vuajtjeve dhe sakrificave të luftës, Rezoluta 1244 gjithsesi, mbetej një dokument që u bë për shqiptarët e Kosovës, dhe aspak për serbët, e aq më pak për serbët e Beogradit.

Ajo siguronte kthimin e gati 1 milionë refugjatëve, sanksiononte largimin e ushtrisë e të policisë serbe, ngritjen e organeve të vetëqeverisjes në kushtet e një pranie civile e ushtarake ndërkombëtare. Edhe pse nën presionin e Rusisë dhe në kushtet e ngutjes së koalicionit për t’i përfunduar sa më parë operacionet ushtarake kundër Serbisë,  Rezoluta 1244 u hartua për të rregulluar një status të përkohshëm të Kosovës, ajo nuk paragjykonte apo parathoshte statusin final të saj. Përkohshmëria e saj përshkonte si një fill i kuq gjithë përmbajtjen e rezolutës, në paragrafët e saj vazhdimisht kujtohej se dispozitat e saj kanë vlerë për aq kohë sa do të gjendej zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës (pending a final settlement). Përkohshmëria e rezolutës në fjalë shprehej në mënyrën më të qartë në paragrafin 10, ku qeverisja e Kosovës deri në vendosjen e statusit përfundimtar, vulosej nga koncepti “i përkohshëm” me të të gjitha format sinonimike të mundshme: interim administration, transitional administration, provisional democratic self-governing  institutions.  Për të arritur kështu në paragr. 11, ku përvijoheshin konturet e statusit të paskëtajmë të Kosovës, në një formë që nuk linte vend për asnjë ekuivok. Pika “e”,  e këtij paragrafi, përcaktonte se, “detyra kryesore e pranisë civile ndërkombëtare, UNMIK, është krijimi i kushteve për një proces politik që ka për qëllim të fundit të definojë  statusin e ardhshëm të Kosovës, duke marrë për bazë Marrëveshjen e Rambujesë”. Dhe Marrëveshja e Rambujesë, që këtu konsiderohet pjesë përbërëse e Rezolutës 1244,  sanksiononte se: “Tre vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, duhet të organizohet një takim ndërkombëtar, i cili duhet të përcaktojë mekanizmin për një zgjidhje përfundimtare për Kosovën, mbi bazën e vullnetit të popullit, të mendimit të autoriteteve relevante, të përpjekjeve të secilës palë në funksion të zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe të Aktit Final të Helsinkit”.

Kjo klauzolë finale e Marrëveshjes së Rambujesë, që Rezoluta 1244 e adoptonte si pjesë inkluzive të saj, parashihte zgjidhjen e ngërçit që mbërtheu procesin e definimit të statusit të Kosovës, pas insistimit të Rusisë për të bllokuar me veto miratimin e paketës Ahtisaari në Këshillin e Sigurimit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Me sa duket, hartuesit e saj e kishin parashikuar me kohë edhe këtë lëvizje të Rusisë.