Prof. Ilia Larti: Konfliktet dhe problemet në ambientet shkollore shqiptare janë të shumta, por që kanë zgjidhje nëse ka vullnet të mirë

10
Sigal

-Ja si zgjidhen konfliktet mësues-drejtues, mësues-mësues, mësues-nxënës, mësues- prindër, nxënës-nxënës, nxënës-prindër, ndërmjet drejtuesve.

– Në shkollat shqiptare pjesa e padukshme e problemeve është shumë e rrezikshme, pasi ka shumë faktorë që ndikojnë si varfëria, problemet familjare, indiferentizmi mësuesve, puna e vakët edukative, injorimi problemeve nga stafi drejtues etj…

– Në shkollat tona mungon disiplina dhe formimi i lartë dhe niveli arsimor i mësimdhënësve.

Paqja nuk është mungesë e konfliktit, është aftësi për të trajtuar konfliktin me mjete paqësore. Ronald Reagan

Intervistoi Albert Z. ZHOLI

Shumica e njerëzve e mendojnë konfliktin si proces shkatërrimtar dhe i padëshirueshëm, i cili duhet të shmanget, ndalohet dhe eliminohet. Megjithatë, konflikti është më i ndërlikuar se sa duket; është një fenomen social me interesa të ndryshme, është karakteristikë e zakonshme dhe thelbësore e qenieve njerëzore. Ne mund të zgjedhim se si të shprehim energjinë tonë për zgjidhjen e konfliktit. Kur konflikti shprehet dhe trajtohet në mënyrë konstruktive, ai mund të shërbejë si katalizatorë për transformime personale, shoqërore, politike etj. Në lidhje me këtë temë egzistojnë disa çështje kryesore si: Konceptualitet dhe përkufizimi i termit konflikt si një dukuri jetësore. Konfliktet e mundshme- mësues-drejtues, mësues-mësues, mësues-nxënës, mësues- prindër, nxënës-nxënës, nxënës-prindër, ndërmjet drejtuesve. Llojet e konflikteve në grupmoshat shkollore. Roli i mësuesit për të zgjidhur konfliktet në shkollë. Mësuesit ndërmjetës aktiv si negocues për të zgjidhur konfliktet. Konfliktet duhen zbuluar, parandaluar, shmangur dhe zgjidhur!

-Si mund t’i përkufizoni me pak fjalë egzistencën e konflikteve të ndryshme?

Ekzistenca e konfliktit është po kaq e lashtë sa edhe ekzistenca e njeriut. Konflikti është një dukuri jetësore. Në këtë mënyrë, nuk jemi ne të parët e kësaj trajtese. Këtu do të përpiqemi të fokusohemi në disa lloje të veçanta konflikti, të cilat janë të lidhura me grupmosha të caktuara dhe konkretisht me ato të të rinjve, me qëllim që t’i mirëkuptojmë ata dhe të pranojmë diversitetin, për të realizuar sa më mirë detyrën e përditshme.

Njeriu është qenie shoqërore dhe nuk mund të kuptohet pa këtë kontekst që i bën njerëzit edhe të ngjashëm edhe të ndryshëm nga njëri-tjetri.

Konflikti është pjesë e jetës. Është e vështirë që të përshkruajmë një situatë jetësore pa elementet e saj konfliktuale. Koncepti konflikt është shumë i gjerë dhe nga njëherë dhe mjaft i paqartë. Fjala konflikt zakonisht ka domethënie negative dhe kuptohet si e kundërta e bashkëpunimit, harmonisë apo paqes. Trajtimi i konfliktit dhe i situatave konfliktuale janë të lidhura ngushtë me përvojat tona jetësore. Në realizimin e detyrave ose të shërbimeve tona, detyrimisht jemi të lidhur me individë të tjerë me të cilët mund të gjejmë gjuhën e përbashkët por dhe mund të mos kemi mendime të përbashkëta dhe mund të biem në konflikt.

Konflikti duam apo nuk duam ne, e pranojmë apo nuk e pranojmë ne, ai ekziston. Konflikti nuk është as i mirë e as i keq. Konflikti mund të japë një rezultat të mirë ose përkundrazi, mund të japë një pasojë të skajshme negative. Cili është ai fëmijë, i ri, prind, mësues, gjysh a gjyshe, qytetar, shtetas shqiptar që nuk është dridhur kur ka marrë vesh se si zënka, në dukje banale, kanë përfunduar në rrahje, plagosje e deri në marrjen e jetës së një adoleshenti, apo të një të riu apo të një fëmije? Këto në vendin tonë janë të shumta. Madje në shkolla janë rritur. Sa tronditëse ka qenë mënyra se si një konflikt për një shkëmbim fjalësh të thjeshta e deri banale në gjaknxehtësi e sipër degjeneron në çast apo të nesërmen në grindje apo zënkë, që në dukje duket si joshqetësuese, ajo evoluon në mënyrë aq intensive, nëpërmjet përdorimit të forcës fizike, armëve të ftohta e deri përdorimi i armëve të zjarrit, ku si pasojë rrezikohet apo merret jeta e një fëmije, duke arritur deri atje që ky konflikt të përcillet deri te të rriturit e fëmijëve.

Në këtë kontekst shtrojmë pyetjen se a duhet që në jetën tonË të përditshme, të vlerësojmë vetëm ato konflikte që manifestohen me zhurmë të madhe, apo edhe ato që duken sikur ”flenë”, të cilat  vlojnë si vullkani e presin të shpërthejnë? Sigurisht çdo shenjë apo premisë që shfaqet si shkak për një konflikt të mundshëm duhet që domosdoshmërisht pa humbur kohë e nënvleftësuar, duhet të merremi me të seriozisht. Sigurisht, këto konflikte, kur marrin përmasa të gjera mund të na çojnë në tronditje të karakterit, diskriminimit racor, gjinor, social, të mungesës së tolerancës në përgjithësi, të paragjykimeve, të krijimit të të fortëve, të stereotipave etj., të cilat po u kapën që në zanafillë marrin përmasa të atilla, që për t`i zgjidhur duhet shumë punë.

Ndaj menaxhimi i konfliktit fillon me: zbulimin, parandalimin dhe deri te zgjidhja e tij, ka për qëllim të ofroj hapësirë dhe shkathtësi që të mos degjenerojë deri në veprime ekstreme të dhunshme deri dhe me kosto shumë të lartë deri dhe me humbje jetësh.

Si konceptohet apo përkufizohet termi konflikt si një dukuri jetësore?

Si është e mundur që jetojnë në kaq harmoni miliarda yje – kur shumë njerëz nuk mund të mos deklarojnë luftë në mendjet e tyre ndaj dikujt që ata njohin.Tomas Akuini.

Konflikti përjetohet në të gjitha nivelet e aktiviteteve njerëzore, nga ato personale, shoqërore, në shkolla (midis nxënësve, nxënës-mësues e anasjelltas), e deri ato institucionale e deri te ato ndër-nacionale. Ndaj është mëse e nevojshme që në këtë aspekt apo fushë duhen njohuri dhe aftësi, sa profesionale, intelektuale, dhe përvojave të suksesshme, diskutimeve, hulumtimeve, përgjithësimeve, bisedimeve, negociatave, ndërmjetësimit dhe aftësive komunikuese, sikurse dhe  nëpërmjet trajnimeve, të cilat bëjnë të mundur menaxhimin për zgjidhjen e konflikteve.

Konflikti si dukuri dhe lidhja e tij me disiplina të tjera.

Në përshtypje të parë, ky parashtrim mund të konsiderohet si e panevojshme përderisa nuk e njohim një konflikt, nuk e përjetojmë apo nuk e shohim një të tillë konkretisht. Megjithatë, në një vështrim më të hollësishëm kjo pyetje në fakt përfshin shumë aspekte dhe është përgjigjur dhe studiuar nga disiplina të ndryshme. Në mes të tjerave, këtu përfshihet legjislacioni, filozofia, sociologjia, psikologjia, marrëdhëniet ndërkombëtare, hulumtimet për paqe dhe konflikt, shkencat politike, ekonomia dhe antropologjia.

Njerëzit në përgjithësi priren që ta shikojnë konfliktin si një gjë negative. Pasi që ky term shpesh është i lidhur me dhunën, ku konceptet negative janë mëse të kuptueshme. Edhe nëse jo të dhunshme, konfliktet janë shpesh të lidhura me emocione të forta dhe situata të pakëndshme.

Megjithatë, konflikti është një element i paevitueshëm i bashkëveprimit shoqëror. Ndaj dhe pikëvështrimi negativ i konfliktit mbetet problematik. Nëse konflikti konsiderohet ekskluzivisht negativ, ne duhet ta vlerësojmë seriozisht dhe duhet të bëjmë çmos për ta shmangur.

Nëse konflikti është i natyrshëm dhe i paevitueshëm, atëherë problemi nuk është tek ekzistenca e konfliktit, por si të merremi me të. Në vend që të mos jemi të varur se si reagojmë në një situatë konfliktuale, ne duhet të përpiqemi të mendojmë se si ta zgjidhim këtë problem. Por shpesh në shkollat tona nuk veprohet kështu. Pse? Sepse në shkollat tona mungon disiplina dhe formimi i lartë dhe niveli arsimor i mësimdhënësve.

-Po cilat janë kuptimet e konfliktit? A ka një përkufizim perfekt?

Ka ide të shumta se çfarë është konflikti, si paraqitet dhe si përkufizohet. Por gjithsesi duke ju referuar studiuesve dhe specialistëve të kësaj fushe, nuk është e mundur saktësisht që të gjendet  një përkufizim perfekt, apo një shpjegim i kënaqshëm që të përfshin të gjitha aspektet e këtij fenomeni shumë kompleks, e veçanërisht kur kemi të bëjmë me lloje dhe aspekte të ndryshme të konfliktit. Megjithatë, të gjitha konceptet dhe shpjegimet e ndryshme mund të kontribuojnë në pasurimin e njohurive tona.

Në këtë këndvështrim sa kuptime ka konflikti?

-Në tërësinë e vet kemi tri kuptime të konfliktit: Konflikti si konkurrencë për burimet e pamjaftueshme. Konflikti si ndeshje interesash. Konflikti si boshllëk frustrimi. Në lidhje me kuptimin e konfliktit ndërthuren mjaftë konceptualitete duke iu referuar hulumtimeve rreth tij. Rezultatet na çojnë në një pikë të përbashkët se ato e përshkruajnë konfliktin si një situatë shoqërore ku dy (apo më shumë), palë janë duke sfiduar njëra-tjetrën për përfitime në të njëjtën kohë. Ky arsyetim përfshin gjithçka për të dalë i fituar në konflikt pra në këtë kontekst duke iu referuar komponentëve ABC të trekëndëshit, konflikti mund të përshktuhet si një proces ku palët janë të vetëdijshëm, që ekziston një qëllim i papajtueshëm dhe se të tjerët pengojnë arritjen e qëllimit të dëshiruar. Prandaj, është e nevojshme që palët ta organizojnë vetveten në mënyrën më të mirë të kalkuluar për të “fituar”.

Edhe pse ky kuptim i konfliktit është i dobishëm, prapë se prapë konfliktet janë mjaft komplekse. Një mënyrë e dobishme për ta reduktuar kompleksitetin e mëtutjeshëm është ta ndajmë konfliktin në pjesë më të vogla. Një instrument i përshtatshëm për ta ndarë konfliktin është trekëndëshi ABC. Trekëndëshi i konfliktit, apo ABC, është një instrument praktik për ta bërë dallimin në mes të komponentëve të konfliktit. Këto komponentë janë: A-qëndrimi; B – mënyra e sjelljes dhe C – mospajtimi.

Cila është mënyra ta zvogëlojmë apo ta ndajmë trekëndëshin e konfliktit?

Një mënyrë e dobishme për ta reduktuar kompleksitetin e mëtjeshëm është ta ndajmë konfliktin në pjesë më të vogla. Një instrument i përshtatshëm për ta ndarë konfliktin është trekëndëshi ABC. Trekëndëshi i konfliktit, apo ABC, është një instrument praktik për ta bërë dallimin në mes të komponentëve të konfliktit. Këto komponentë janë: A-qëndrimi; B – mënyra e sjelljes dhe C – mospajtimi. Qëndrimi: Qëndrimi paraqet anën subjektive të konfliktit, që përfshin qëndrimet dhe perceptimet e palëve. Pra, çfarë ndjejnë ata. Të një rëndësie të veçantë janë imazhet dhe qëndrimet që kanë palët për njëra tjetrën. Shpesh konfliktet janë të karakterizuara me qëndrime negative në mes të palëve në konflikt. Këto qëndrime mund të shfaqen në forma të ndryshme, p.sh. sikur paragjykime. Qëndrimet mund të jenë burim i konfliktit apo zhvillim dhe përforcim përgjatë kohës. Megjithatë, qëndrimet në konflikt nuk janë vetëm se si njëra palë e percepton tjetrën, por gjithashtu idetë, ndjenjat, besimet, preferencat, vlerat, dhe mjedisi shoqëror i tyre. Këto atribute japin formën se si njëra palë e kupton vet konfliktin, konfliktin si koncept, menaxhimin e konfliktit dhe zgjidhjen e konfliktit.

Mënyra e sjelljes: Përderisa qëndrimi është njëri prej proceseve subjektive të brendshme, mënyra e sjelljes është se si ne i shprehim qëndrimet tona jashtë. Mënyra e  sjelljes është veprimi apo jo-veprimi si reagim ndaj qëndrimeve tona dhe  palës apo palëve të tjera.

Në konflikt, mënyra jonë e sjelljes është tendencë për ta penguar palën tjetër që t’i arrijë qëllimet e saj; kjo mund të paraqitet nëpërmjet komunikimit verbal dhe jo-verbal si dhe nëpërmjet veprimeve fizike sikurse dhuna. Por, mënyra e sjelljes gjithashtu do të mund të ilustronte pasqyrimin e konfliktit ashtu si është, e jo vetëm aktorët. të vetëdijshme.

Mospajtimi: Mospajtimi referon situatën aktuale apo mospajtueshmërinë ndaj qëllimeve, interesave, nevojave dhe vlerave. Çështja në fjalë mund të përfshijë gjithçka, që nga një objekt i vetëm se si të ndahen burimet, apo marrëdhënia palë-palë. Megjithatë, njëri nuk mund të supozojë që i tërë mospajtimi është gjithmonë i shprehur apo që vet palët janë plotësisht

Cilat janë pjesët e dukshme dhe të padukshme të konfliktit në shkollat tona?

Edhe pse secili konflikt është i veçantë dhe kërkon përpjekje për secilën situatë, modeli ABC mund të na jap një kuptim të përgjithshëm të komponentëve dhe faktorëve të përfshirë dhe që janë më të rëndësishmit në konflikt dhe në zgjidhjen e tij. Modeli ABC mund të zgjerohet më tej në mënyrë që të na jap informacione edhe më të hollësishme.

Përfytyroni trekëndëshin ABC si një ajsberg; maja e ajsbergut është e dukshme dhe relativisht e vogël në krahasim me pjesën tjetër masive që fshihet brenda ujit. Çfarë shohim ne nuk është gjithmonë i tërë konflikti por vetëm cepi i ajsbergut. Duke e zgjeruar trekëndëshin ABC në një piramidë dhe këtë piramidë e ndajmë në tri nivele, A, B dhe C-ja në majë, ne kuptojmë se konfliktet janë më komplekse se sa perceptimi i tyre fillestar. Konfliktet kanë aspekte të dukshme dhe të padukshme. Sikurse një ajsberg, shumica e konfliktit mund të jetë i padukshëm, fshehur poshtë sipërfaqes. Natyrisht, kjo është pjesa më e rrezikshme. Në shkollat shqiptare pjesa e padukshme është shumë e rrezikshme pasi ka shumë faktorë që ndikojnë si varfëria, problemet familjare, indiferentizmi mësuesve, puna e vakët edukative, injorimi problemeve nga stafi drejtues etj…

Konfliktet dëmtojnë rëndë aftësitë tona perceptuese sipas drejtuesit të seminareve rreth konflikteve, Friedrich Glasl,

Konfliktet shpesh perceptohen si situata lufte, të cilat duhen fituar. Ato shpalosin në shumë raste një dinamikë të brendshme konfliktuale, që e rëndon ose e përjashton rregullimin e pastër, konstruktiv dhe pa dhunë të konfliktit. Analizat në lidhje me sjelljen e njeriut në situata konfliktesh kanë treguar, se shumica priret të arrijë epërsinë e vet përmes një angazhimi gjithnjë e më intensiv ose përmes këmbënguljes së rreptë në pozicionin e vet, edhe atje ku fillojnë të shënohen dështime. Ky model sjelljesh shoqërohet nga një kufizim në rritje i aftësisë perceptuese dhe vendim-marrëse.
Konfliktet e dëmtojnë aq rëndë aftësinë tonë perceptuese dhe aktivitetin tonë të të menduarit dhe të të imagjinuarit”, shkruan drejtuesi i seminareve rreth konflikteve, Friedrich Glasl, “sa që ne, në vazhdën e ngjarjeve nuk arrijmë më të shohim saktë gjërat rreth nesh. Duket sikur sytë tanë turbullohen gjithnjë e më shumë, shikimi ynë mbi ne dhe kundërshtarët në konflikt ngushtohet, cungohet dhe bëhet krejtësisht i njëanshëm. Jeta jonë e proceseve të të menduarit dhe imagjinatës ndjek detyrime dhe shtrëngesa, për të cilat ne nuk jemi të vetëdijshëm sa duhet.“

Çfarë është situata konfliktuale? Cili është raporti ndërmjet konfliktit dhe mosmarrëveshjes?

Është ajo që lind, në mes të dy forcave (grupeve ose individëve), tensione të kundërta, të cilët kanë interesa të ndryshëm, si rrjedhim i të cilave krijohen mosmarrëveshje ose acarime. Konflikti është pjesë e jetës së përditshme që merr forma të ndryshme. Ai mund të lindë për probleme ose mosmarrëveshje fare elementare e në dukje të parëndësishme. Kur konflikti rritet, njerëzit veprojnë në mënyrë të pandërgjegjshme, në mënyrat që ata i kanë zhvilluar nga përvojat dhe vrojtimet e tyre. Disa njerëzve u pëlqejnë konfliktet, veçanërisht kur konflikti bëhet armiqësor dhe përfshihen ndjenja të fuqishme.

Për shkak të konfliktit, individët hyjnë në një ingranazh, nga i cili nuk dalin dot nëse nuk dinë të dalin. Ata vërtet përpiqen që t’i kthejnë shpinën njëri-tjetrit, por kjo nuk është e lehtë përsa ata janë ende të lidhur me njëri-tjetrin.

Kur konflikti menaxhohet keq ose dobët, ai të çon në mosmarrëveshje. Kjo e fundit u kushton një kosto të spikatur të gjithë të përfshirëve në të. Pra, mosmarrëveshja është simptoma e një konflikti të pazgjidhur, të pamenaxhuar mirë.

Çfarë janë konfliktet?

Konfliktet janë po aq të vjetra sa edhe njerëzimi, ato janë një fenomen i përgjithshëm, i cili ndeshet në të gjitha rrafshet e jetës. Nuk është ekzistenca e konflikteve ajo, që është problematike apo deri edhe përbën rrezik për paqen, por janë format dhunë-favorizuese të zgjidhjes së një konflikti, të cilat mbartin padrejtësinë e u japin një përparësi të dukshme në dëm të të tjerëve atyre palëve, që orientohen për nga realizimi i njëanshëm i interesave si dhe përfaqësojnë idenë, se vetëm njëra palë disponon “të vërtetën“ dhe “të drejtën“. Ide të tilla përfundojnë shumë lehtë në mënyra veprimi dhe mendimi, që janë të orientuara për nga lojërat e shumës zero: Humbja e njërit është fitimi i tjetrit. Fituesi, kështu vijon zinxhiri i asociacioneve, është më i forti dhe ky ka të drejtën në anën e tij.

Termi konflikt përfshin një spektër mjaft të gjerë të mospajtimeve, që nga konfliktet ndër-personale e deri tek ato ndërshtetërore. E nevojshme dhe mëse e rëndësishme është të ekzistojë sensi dhe vullneti për menaxhimin e mirë të konfliktit, me synimin që, të arrihet një zgjidhje sa më e mirë dhe sa më drejtë ku palët, të mirëkuptojnë njeri-tjetrin. Në jetën e përditshme, konfliktet shpesh barazohen me grindjet, me kundërshtitë e interesave, me pushtetin ose përdorimin e dhunës. Shkencëtarja për paqen Ulrike C. Ëasmuth thekson, se është e rëndësishme, që konfliktin ta konsiderojmë në mënyrë objektive si rrethanë sociale duke mos e ngatërruar me format e zgjidhjes së tij; ai nuk duhet kufizuar me anë vlerësimesh si dhe nuk duhet përzier me tërësinë e shkaqeve të tij.