Prof. Enver Bytyçi: Me deputetët e blerë të opozitës, kryeministri bën ligj çdo ide të tijën

212
Sigal

Aministia Fiskale dhe pasaportat e arta janë një çështje që ka bërë Bashkimin Europian të jetë kritik më shumë se normalisht, duke deklaruar përmes përfaqësuesve se Shqipëria këshillohet që të mos i ndërmarrë hapa të tilla. Në një intervistë për Telegraf Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi deklaron se nisma të tilla në fakt dëmtojnë integrimin, ndërsa thekson se kryeministri Rama e drejton Shqipërinë përmes urdhrave verbalë dhe “mendjes së tij gjeniale”.

Migena Neli

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Duke analizuar edhe njëherë kritikat e kryeministrit Rama në KiE ndaj Europës, sa e rrezikshme është gjuha e tij në kontekstin diplomatik për të ardhmen e integrimit?

Gjuha e Edi Ramës kundrejt Europës, KiE-së dhe Bashkimit Europian ka qenë prej tri-katër vitesh e këtej një gjuhë jo diplomatike, me shprehje arrogante dhe e pakontrolluar. Nganjëherë edhe kërcënuese. Por europianët nuk e kanë marrë asnjëherë seriozisht Edi Ramën. Ky i fundit e ka ndjerë këtë lloj injorim-poshtërimi dhe vazhdon e zhytet në akuzat dhe etiketimet kundër Europës. Kryeministri Rama flet kundër Europës, sepse e di se me këtë gjuhë e me këtë sjellje fiton besimin e Aleksandër Vuçiç, Rexhep Tayp Erdogan dhe pse jo, edhe të Vladimir Putin. Pra sjellja e tij është shprehje e të qenit besnik ndaj Beogradit. Nëse e keni vënë re, ai e qorton Europën edhe kur mbron si vëllain e tij binjak, Aleksandër Vuçiç. Dëshiron që të mos e lejë Serbinë të vetme kundër Bashkimit Europian dhe Europës. Për këtë shkak shpikën Ballkanin e Hapur!

“Kryeministri Rama flet kundër Europës, sepse e di se me këtë gjuhë e me këtë sjellje fiton besimin e Aleksandër Vuçiç, Rexhep Tayp Erdogan dhe pse jo, edhe të Vladimir Putin.”

Si e shihni ju këmbënguljen e qeverisë për miratimin e amnistisë fiskale dhe pasaportave të arta, ndërsa BE i ka kritikuar këto dy nisma, si dhe ka këshilluar Shqipërinë të mos i implementojë. Kjo edhe për shkak të mungesës së legjislacionit për rregullimin e tyre?

Së pari, kur Rama u jep garanci verbale europianëve për këtë ligj, europianët duhet të kuptojnë se me urdhëra verbalë kryeministri i Shqipërisë e drejton edhe Shqipërinë. Pra për Ramën nuk marrin rëndësi garancitë ligjore. Rëndësi ka që ai sot mendon diçka dhe nesër diçka tjetër dhe në bazë të “mendjes gjeniale” të tij vendoset rregulli në Shqipëri. Europianët e kanë nxitur Ramën të bëhet ky që është. E atyre t’ju bëhet aq mirë. Për europianët, mjafton që në Shqipëri të komandojë një dorë e fortë, sepse dikush i ka bindur ata se “shqiptarët edukohen me dhunë”!

Së dyti, amnistia fiskale dhe ligji i pasaportave të arta ka shumë mundësi të miratohen. Mjafton që këtë ta vendosë në kokën e tij Edi Rama. Pastaj çdo gjë bëhet ligj. Ai përveç mazhorancës ka edhe nja 25 deputetë të blerë të opozitës. Si i ka blerë është punë e tij. Por ama ka harxhuar për këtë! Amnistia fiskale është mjeti për t’i nxjerrë paratë e shpenzuara për blerjen e deputetëve. Parlamenti shqiptar është si pazari i Roskovecit. Fillimisht dalin në shitje deputetët. Pastaj ata i blen Rama. Mbasi i blen, i shet përsëri përmes këtij ligjit fiskal, me qëllim që ta shumëfishojë fitimin në tregtinë me deputetë. Shumë e thjeshtë është kjo. Deputetët janë mall, që shiten e blihen nga poseduesi i këtij malli me emrin Edi Rama.

Ka shumë gjasa që këto dy ligje të miratohen. Sepse regjimi europian është i vakët. Ndërkohë që kreut të mazhorancës i duhen para për fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale. Ai nuk rri dot pa blerë, vjedhur dhe grabitur zgjedhjet. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm me para të madhe. Ndërkaq amnistia fiskale do t’i shërbejë më pas për pastrimin e parave të miqve të tij në Serbi, por edhe të rusëve me pasaportë serbe. Kurse Vuçiç kujdeset për pastrimin e parave të Edi Ramës në Serbi. Kjo lloj marrëdhënie kërkon patjetër mekanizmin e pastrimit të këtyre parave. Amnistia fiskale me dy milion euro kesh në dorë është për momentin mjaftueshëm për këtë operacion. Nga ana tjetër aeroportet me avionë privatë të Tiranës e Beogradit funksionojnë shkëlqyeshëm.

“Amnistia fiskale dhe ligji i pasaportave të arta ka shumë mundësi të miratohen. Mjafton që këtë ta vendosë në kokën e tij Edi Rama. Pastaj çdo gjë bëhet ligj. Ai përveç mazhorancës ka edhe nja 25 deputetë të blerë të opozitës.”

Një ndër nismat e qeverisë është legalizimi i kanabisit, por ne kemi të rinj, që vriten në rrugë, ndërsa tentojnë t’i largohen policisë pasi kapen duke shpërndarë lëndë narkotike. Si do të ndikojë vendosja e standardeve të dyfishta në çdo nismë të qeverisë në rrugën drejt integrimit dhe në atë çfarë Europa sheh te ne?

Kanabisin dhe sidomos drogërat e forta si kokaina e heroina, i kontrollojnë amerikanët dhe europianët. Nëse ata do të donin ta kufizonin këtë fenomen, nuk do të ishte kanabizuar Shqipëria. Nuk do të ishte kokanizuar porti i Durrësit. Nuk do të kishim një lidhje kaq të ngushtë në simbiozë midis shtetit dhe mafies. Nuk do të kishte mundur Edi Rama që në gati 10 vjet të bashkëvegjetojë e bashkëjetojë me krimin e organizuar! Kanabizimi dhe droga është filozofi e neoliberalit George Soros. Rama është thjesht një ushtar i krimit të organizuar në rrjetin ndërkombëtar të drogës. Përmes drogës degradon shoqëria. Humbet kuptimin familja dhe roli i saj. Ndërtohen steriotipe anti-komb!  Pra legalizimi i kanabisit është ideologji e njëkohësisht strategji e atyre që e sollën Edi Ramën në pushtet. Rama e di detyrën e tij. Ndërkohë që bën militantin në zbatimin e doktrinave anti-kombëtare në Shqipëri.

Të enjten në parlament PS dhe grupi i Bashës me Alibeajn bashkuan votat për të mbështetur Ramën, duke bërë pazarin e dytë të natës Rama-Basha pas 17 majit 2017. Si e komentoni?

Rama, Basha dhe Shpëtim Idrizi bashkuan votat për të votuar një nen sa i përket dosjeve të sigurimit të shtetit. 18 deputetë të Basha-Alibeajt dhe 7 deputetë të grupit të matrapazit politik, Shpëtim Idrizi, u bashkuan dhe bënë një ndryshim me vetëm një nen në ligjin e vitit 2015 për hapjen e dosjeve. Dosjet janë të hapura që para 7 vitesh. Thjesht u legjitimua shkelja e ligjit e Genta Sulës e korrikut 2022. D.m.th thjesht u bë e lejueshme që dosja të hapet edhe po ta kërkojë dikush tjetër, përveç personit të interesuar ose familjarëve të tij. Shkurt, shkelja ligjore e Autoritetit të Dosjeve për llogaritë politike të Edi Ramës të 25 korrikut të kaluar u bënë ligj. Por ama pasi ligji u shkel.

Ndërkaq këtë nen anti-Meta e votuan edhe deputetët që shiten si dele në Pazar të Lul-Alisë! Edhe ata të Shpëtim matrapazit! Në parantezë: ky Shpëtimi është vëlla siamez i Arben Ahmetit! Por mos merremi me të. Ligji është i adresuar te një person, te Ilir Meta, me shpresën se mund ta largojnë nga politika. Nuk do ia arrijnë. Ligji është një ligj, që ndëshkon njerëzit për atë çfarë kanë qenë, jo për atë çfarë kanë bërë. Edhe ligjet e denazifikimit nuk kanë funksionuar kësisoj që të bëjnë gjueti shtrigash. Ligji i denazifikimit të Gjermanisë ka dënuar e ndëshkuar ata nazistë ose SS që kanë kryer krime, jo edhe ata që thjesht kanë qenë të regjistruar në listën e këtyre organizatave. Ligji Rama-Basha-Alibeaj-Idrizi dënon për shkak të emrit, jo të veprës që është kryer.

Ligji i hapjes së dosjeve dënon të persekutuarit, jo persekutorët, jo operativët, hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët e proceseve politike. Këta, p.sh Dvorani, mund të vihen edhe në krye të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa viktimat e tyre nuk do të lejohen, sipas fjalëve të megafonit të Ballës, të ushtrojnë detyra publike! Ligji është bolshevik. Sepse përjashton konceptin e zhvillimit dhe të ndryshimit të njerëzve, të cilët mund të kenë vepruar gabim në një kohë dhe sistem tjetër. Pas 32 vitesh njeriu ka evoluar. Për shkak të informacionit dhe kohës së mjaftueshme të reflektimit, mund të jetë reformuar më shumë se vetë ligjvënësit. Megjitatë këta duan t’i ndëshkojnë.  Ligji është selektiv. Nuk përfshin dosjet e agjenturave të huaja, përveçse dosjet e persekutorëve. Duhen hapur edhe dosjet për agjentët e huaj e të shohim se çfarë kanë bërë p.sh Kristaq Rama, Spiro Koleka e të tjerë në Rusi e në Serbi?! Të shohim se kush i ka shërbyer UDB-së e KGB-së, apo shërbimeve të tjera të huaja armike të Shqipërisë!

Ndërkaq debati për dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit po largon vëmendjen jo vetëm nga problemet e ditës, nga aferat qeveritare, por edhe nga tradhtitë kombëtare të Edi Ramës. Le të më thotë dikush se çfarë rëndësie ka një bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit në raport me atë çfarë bën Edi Rama kundër Kosovës e kombit shqiptar në bashkëpunim me Aleksandër Vuçiç!!! Ky duhet të jetë debati i ditës! Ky duhet të jetë objekti o opozitës. Ndërsa Alibashajt as e kanë në program të kundërshtojnë politikat anti-kombëtare e anti-Kosovë të Edi Ramës. i ka dëgjuar dikush ndonjëherë të flasin për këtë?!

“Ligji i Dosjeve është i adresuar te një person, te Ilir Meta, me shpresën se mund ta largojnë nga politika. Nuk do ia arrijnë. Ligji është një ligj, që ndëshkon njerëzit për atë çfarë kanë qenë, jo për atë çfarë kanë bërë.”


Si i komentoni zhvillimet në kampin opozitar nga bisedimet për bashkimin e PD-së deri te protestat? Çfarë pritet të sjellë nëntori?

Bashkimi i PD-së bëhet në protesta. Bisedimet, që zhvillohen nuk besoj të kenë sukses. Sepse Grupi Ali-Basha nuk ka asnjë minimum ndjesie për PD-në. Bën pazare. E në pazare asnjë PD nuk ia del përballë Edi Ramës. A mund të ketë bisedime politike me një tufë delesh, që ka dalë në pazar dhe kërkon ofertën më të majme?!  Po të jetë për pazar, ofertën më të mirë e ka mafia. Po të jetë për parime morale e politike, besoj se ato nuk gjenden te prostitutat politike. Kësisoj shoh një përpjekje të PD-së në këtë drejtim, por nuk shoh asnjë lloj produkti.

Nëse fillojnë protestat dhe ato udhëhiqen me vendosmëri, atëherë do të ketë edhe Parti Demokratike, edhe sukses anti-regjim, edhe fitore në zgjedhjet lokale. Vetëm se protestat duhet të synojnë ta paralizojnë jetën ekonomike e sociale të Shqipërisë. Dikush mund të thotë se kjo e dëmton vendin. Po: e dëmton. Por dëmi që krijohet në përpjekjet për rrëzimin e Edi Ramës është sa një e mijëta e dëmit që shkakton zgjatja e këtij pushteti mafioz. Në fund të fundit është çështje kolatorazhi. Kush dëmton më pak e kush më shumë?!

Paralizë totale! Përdorim i të gjitha mjeteve dhe fuqive për ta rrëzuar këtë regjim mafioz! Zgjedhje lokale dhe të përgjithshme në të njëjtën ditë. Ky duhet të jetë objektivi i opozitës. Nëse i bind qytetarët se mund t’i arrijë këto objektiva, atëherë me opozitën në protesta do të bashkohen qindra-mijë shqiptarë! Thjesht duhet krijuar bindje e besim! Ta bëjë opozita këtë dhe do të shihet se si ndryshojnë balancat në favor të demokracisë, lirisë dhe zhvillimit të Shqipërisë!

Ndërkohë ka diskutime nga Çekia, të cilat mund ta çojnë Shqipërinë dhjetë vite prapa, duke hequr liberalizimin e vizave të arritur në kohën e Berishës. Si e shihni ju këtë situatë? A mendoni se do të ketë reagim nga qeveria?

Po e nis nga fundi. Qeveria do të reagojë. Por duke u përplasur me Europën e duke u përpjekur t’ia hedhë fajin Europës. Ndërkaq anullimi i lëvizjes së lirë mund të ndodhë, nëse Europa dëshiron largimin e pushtetit mafioz të Edi Ramës. Vetëm kthimi i radhëve në ambasadat e vendeve të BE-së mund t’i ndërgjegjësojë një pjesë të qytetarëve për dëmin e madh që i ka shkaktuar Shqipërisë kjo qeveri. Nëse i vjen fundi durimit europian me Edi Ramën, do të ndodhë edhe anullimi i vendimit për liberalizimin e vizave.  Por Shqipëria edhe pa liberalizimin e vizave është njëzet vjet e jo dhjetë vjet prapa në zhvillimin e saj. Si nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik e social edhe në raport me respektimin e demokracisë.