Prof.dr. Sherif LUSHAJ/Një mjedis i vrarë nga dora e njeriut

819
Sigal

Sot shtrohen disa pyetje të drejtpërdrejta përballë një publiku të hutuar nga problemet e shumta jetësore të ditës dhe paqartësisë të perspektivës vendit: a janë të qetë vendimmarrësit dhe politikbërësit për çka po bëjnë për mjedisin? A njihet sot përgjegjësia e shoqërisë për mbrojtjen e burimeve natyrore për plotësimin e nevojave për brezat e ardhshëm? A vlerësohet mjedisi si një nga tre shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit? A është publiku pjesë e vendimmarrjes në planifikimin dhe mbrojtjen e mjedisit? A është ndërgjegjësuar shoqëria shqiptare për të qenë pjesë e vendimmarrjes dhe për të kontribuar në realizimin e një ndryshimi të madh drejt një mjedisi  të qëndrueshëm?

Fatkeqësisht, analiza nuk flet për mirë. Edhe pse brezi i sotëm është vetëm një segment i shkurtër i shoqërisë pa fund që vjen më pas, përsëri bregdeti, pyjet, biodiversiteti, tokat bujqësore, zonat turistike vazhdojnë të përdoren sikur nuk ka një jetë të nesërme. “E bukura e dheut”, një slogan i përdorur rëndom nga politikanë e shtetarë të lartë është shkelur me këmbë. Të tjera thuhen, të tjera bëhen. Strategji, programe, letra pa fund dhe ndonjë vlerësim nga ndonjë organizatë e huaj, nisma mjedisore çoroditëse  mbeten e vetmja mburrje e Ministrisë së Mjedisit për të justifikuar katastrofën e sotme mjedisore. Po e vërteta si është? Njësoj si 550 vjet më parë, kur me pyjet e Shqipërisë ndërtoheshin anijet Veneciane, gjatë 20 vjetëve të tranzicionit, pyjet pësuan të njëjtin fat, mijëra hektarë të prerë, të djegur e të shkatërruar. U zhdukën pyjet e Lurës, krenaria e natyrës Shqiptare, u degraduan liqenet piktoreskë, malet dhe kodrat janë zhveshur nga bimësia si “një kafshë pa lëkurë” nga shfrytëzimi barbar. Shkatërrimi vazhdon në pyjet e Kolonjës, Pukës dhe në çdo skaj të vendit.

Shtretërit e lumenjve vazhdojnë të shfrytëzohen barbarisht në gjithë pellgjet ujëmbledhës, në çdo lumë, në çdo segment të lejuar apo të ndaluar për shfrytëzimin e inerteve me bekimin e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit. Shqiptarët janë dëshmitarë të shfrytëzimit të lumit Erzen në vitin e fundit, pikërisht në segmentin e ndaluar me ligj për t’u shfrytëzuar nga Ura e Peshkatarit deri në grykëderdhje. Guroret po rrënojnë malet dhe kodrat, banesat e rrugët, në zonat bregdetare turistike, në malin e Dajtit, kudo në qarkun e Beratit dhe arrijnë kulmin në afërsi të Krujës, ku gjithë sistemi kodrinor i gërryer është turpi i vendimmarjes, përgjegjësi e agjencive mjedisore përgjegjëse, shoqërisë civile, shkatërrim i mjedisit barbarisht, shkatërrim i shëndetit të banorëve nga grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2,5 që shkojnë direkt në mushkri.

 Ajër i ndotur në qytetet e mëdha më shumë se dy herë mbi normat e lejuara, hapësirat e  gjelbra publike në rënie, toka të pa riaftësuara nga ndotjet industriale. Edhe sot, sipas planit të miratuar të Tiranës, kur sipërfaqja e gjelbër vjen në rënie. Shoqëria shqiptare është akoma e pa ndërgjegjësuar, për çfarë po ndodh me mjedisin dhe cilat janë pasojat në jetën dhe shëndetin e tyre. Le të kujtojmë, kur në vitin 1995 në Shtëpinë e Bardhë, në ditën e dekorimit të personaliteteve ambjentaliste, Presidenti Amerikan Clinton vuri në dukje se: “Në vitet ‘70, kur një lumë ishte aq i ndotur sa dukej sikur do të  merrte flakë, senatori Nelson ngriti zërin, ai paralajmëroi që liderët tanë nuk duhet të lejojnë kurrë që lufta politike të na devijojë ne nga përgjegjësitë për mjedisin tonë të përbashkët. Administrimi i burimeve tona natyrore është administrimi i ëndrrës Amerikane”.

Por sot në vendin tonë nuk dëgjuam asnjë fjalë për mjedisin nga goja e shtetarëve në fushatën elektorale, përkundrazi vazhdon degradimi dhe shurdhëria. Kudo mjedis i vrarë, mjedis nën “stres” në sipërfaqen më të madhe të vendit. Erozion i fuqishëm, mesatarisht 30 Ton/ ha në vit, 2-3 herë më i lartë se sa vendet e Mesdheut. Gërryerje masive e brigjeve të lumenjve dhe humbja e tokës në 20-40 ha në vit. Degradimi dhe ndryshimi i vijës bregdetare, me futjen e detit në tokë në shumë zona 150-300 m, erozion detar i lartë, humbja graduale e lagunave bregdetare, kripëzim masiv i tokave, rrëshqitje masive e tokës dhe banesave në fshatra, dëmtimi i infrastrukturës rrugore, dëmtimi i rëndë i peizazhit dhe biodiversitetit.

Harta e përmbytjes të tejskajshme të Shkodrës në tre vjet e fundit në 12 mijë ha, por dhe në zona të tjera të vendit e shndërron tokën në një organizëm “pa jetë”, pasi  pas një përmbytjeje të gjatë, bota biologjike e mikroorganizmave në tokë, që është motori  i zhvillimit  biologjik, ulet 10-300 herë në krahasim me kushtet normale. Megjithatë drejtues të vendit nuk ngurruan që përmbytjet t’i “pagëzonin” me mburrje si një Venecie e lundrueshme. Në zonat e përmbytura situata vazhdon të jetë serioze dhe me mungesa në funksionimin e sistemit të kullimit, shpyllëzimi, mungesat në mbrojtjen e lumenjve, menaxhimin e kaskadave të hidrocentraleve, të funksionimit të argjinaturave. Struktura të pa koordinuara menaxhuese dhe të kontrollit. Shteti shkatërroi Institucionet shkencore të Akademisë së Shkencave dhe të bujqësisë.

Nga ana tjetër, kushdo mund të pyesë se çfarë duhet të ndodhë më shumë, që vendimmarësit e të gjitha niveleve dhe politikëbërësit të binden për dëmin e shkaktuar, të binden se fati i tokës si pasuria më e madhe kombëtare e vendit, por e trajtuar si gjëja më pa vlerë dhe mjedisit nuk mund të mbetet në dorë të një grushti shtetarësh, por të ligjit, zbatimit të planeve të zhvillimit dhe mbrojtjes, respektimit të strategjive. I vetmi tregues i avancuar në fushën e mjedisit mbetet hartimi i legjislacionit, por asgjë më shumë. Ka një mospërputhje midis politikave të qeverisjes qendrore dhe zbatimit në nivel vendor, ndryshime drastike e sipërfaqes së pyjeve, tokës bujqësore, në rreth 70 mijë ha, veçanërisht në zonat per-urbane, prerje e pyjeve dhe mbjellje e ullirit dhe arroreve në zona të papërshtatshme dhe të rrezikuara. Duhet të hiqet dorë nga hartimi i strategjive afatshkurtra për një mandat qeverisës, pasi nuk janë efiçente, por të hartohen strategji për një periudhë të gjatë, jo më pak se 10-15 vjet, me qëllim që të sigurohet vazhdimësia. Strategjitë duhet të miratohen nga Parlamenti dhe jo nga qeveria si deri më sot, për të marë mbështetje më të gjerë dhe për të mos u ndërprerë vazhdimësia.

Një refomë e thellë nevojitet në institucionet qendrore. Reformimi i thellë duhet të fillojë nga Ministria e Mjedisit, e cila megjithëse është institucioni kryesor i hartimit të politikave mjedisore, strategjive  dhe legjislacionit, roli i të cilës pothuajse nuk ndihet, duhet të zhvishet nga përgjegjësitë për sektorin e pyjeve, ujërat dhe peshkimi që i mban si aset politik. Funksionet e saj aktuale përfshijnë njëherësh hartimin e politikave, menaxhimin dhe kontrollin e mjedisit, gjë që është një konflikt interesi. Të reduktohen moria e inspektoriateve të shumta të kontrollit të çështjeve mjedisore, të çoroditura e të shpërndara në shumë dikastere dhe institucione brenda sistemit të vetë ministrive, të pa koordinuara dhe të pa mbështetura me logjistikën e nevojshme dhe kapacitetet profesionale, të prekura nga konflikti i interesit dhe korrupsioni, dhe të përqendrohen ato në një Inspektoriat Kombëtar jashtë ministrive, të plotësuar me ekspertë të aftë, logjistikë, laboratore në pikat kufitare te vendit. Vetëm për menaxhimin e mbetjeve urbane, një nga çështjet më të prapambetura mjedisore, me pasoja të rënda në shëndetin e njerëzve, ndotjen e tokës dhe ujërave, trajtimi në gropa dhe jo në landfille me standarde, male me mbetje në grykëderdhjen e lumenjve dhe në gjithë bregdetin. Përgjegjësitë shpërndahen në më shumë se 16 institucione qendrore dhe në vartësi të tyre të pa koordinuara, shto edhe njësitë e qeverisjes vendore (komunat, bashkitë dhe qarqet). Përplasje ligjore në përgjegjësitë e institucioneve, të cilat veprojnë të pa koordinuara.

Mjedisi mbetet një sektor jetik, por i shpërfillur nga shteti dhe i pa mbështetur. Edhe pse një nga objektivat e strategjisë kombëtare nga viti 2008 është krijimi i “fondit mjedisor”, nga i cili një pjesë do të rikthehej në mbrojtjen dhe menazhimin e mjedisit, e ardhura e vjelë deri tani nga taksa mjedisore ka kaluar tërësisht në buxhetin e shtetit dhe janë përdorur për qëllime të tjera. Kështu e ardhura e krijuar nga taksa mjedisore sipas ligjit Nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” (pa llogaritur gjobat dhe shkeljet në mjedis dhe disa tregues të tjerë) për periudhën 2009-2011, rezulton të jetë mbi 110 milion Euro. Por për mbrojtjen dhe menaxhimin e mjedisit nuk është përdorur asnjë vlerë. Në këto kushte, në komuna dhe bashki ka një situatë dramatike në menaxhimin e mbetjeve urbane, që mbushin lumenjtë dhe bregdetin, ujërat e zeza shkarkohen kudo në det dhe ujërat kombëtare.

Mjedisi nuk mund të mbrohet as me spote publicitare  as me plane e programe që kanë mbetur në sirtare, as me fjalë e premtime boshe, as me strategji të dështuara nga  dita e përgatitjes, as me ligje që nuk zbatohen, as me disa pemë të mbjellë vetëm në ditën e pyjeve, as me autoritarizmin e njerëzve të veshur me pushtet. Prandaj mbrojtjen e mjedisit duhet ta marrë në dorë shoqëria. Njeriu i bën shkretetirat të lulëzojne, liqenet të vdesin dhe vendimarrësit të korrigjohen.