Një Evropë e re përballë një rendi të ri botëror është kërkesë jetike për tu përballur me ndryshimet e dukshme nga politika e shteteve më të fuqishme dhe realiteti që ato kanë imponuar me rendin botëror të ndarë duke formuar multipolarizimin. Evropa faktikisht është e vetme. “Ky duhet të jetë momenti i pavarësisë evropiane”, tha von der Leyen të mërkurën, më 10.09.2025, në fjalimin e saj për gjendjen e unionit në Strasburg. Evropa duhet të luftojë “për vendin e saj në botë”, u bëri thirrje ajo anëtarëve të Parlamentit Evropian.
Europa e varuar nga Amerika dhe e pafuqishme ndaj Rusisë e Kinës
Europa vlerësohet dhe është me pritshmëri të mëdha për paqen e sigurinë kontinentale dhe atë botërore. Në këtë sfond të gjerë, ajo tregon edhe dobësitë e njohura pasi nuk arrin të realizojë me pavarësi dhe përgjegjësi misonin e saj për shkak të vartësisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pamundësisë së përballjes së drejtpërdrejtë me Kinën e Rusinë.
Shqetësues gjithashtu është fakti se ne si evropianë aktualisht nuk po luajmë rolin në botë që duam të luajmë në të vërtetë dhe që kërkohet për të siguruar që interesat tona të mbrohen në mënyrë të vendosur dhe me përparësi. Shtetet evropiane e ndiejnë pamundësinë për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe me fuqi imponuese. Më qartë ka deklaruar këtë gjendje Kanzelari gjerman Fridrich Merz, i cili përmendi diplomacinë e Ukrainës si shembull. “Aktualisht nuk jemi në gjendje të ushtrojmë presion të mjaftueshëm mbi Putinin për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Merz. “Ne jemi të varur nga ndihma amerikane”.
Evropa e vetmuar në një rend të ri botëror
Evropianët kanë edhe dukurinë e mbivlerësimit që ndikohet nga e kaluara e saj historike dhe ta shohim veten si pikë referimi për pjesën tjetër të botës. Dhe kështu ndihet pjesa tjetër e botës gjithnjë e më shpesh arrogante dhe madje armiqësore.
SHBA po zbaton politikën “Amerika e para” dhe nuk dëshëron të ketë rolin parësor në politikën botërore për të garantuar paqen e sigurinë. Për këto arësye, ajo deklaron se nuk do të jetë në rolin e policit ndërkombëtar për të ndërhyrë ushtarakisht në zonat e nxehta të luftës ose të tensionuara.
Një rend i ri botëror, në të cilin Shtetet e Bashkuara po rivlerësojnë interesat e tyre, po bëhet gjithashtu i dukshëm përballë një gare për lëndë të para dhe tregje.
Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bazuar sukseset e tyre edhe në partneritetin strategjik. Kjo ka qenë forca e Aleancës Perëndimore dhe e NATO-s. Ndryshimi i strategjisë amerikane synon forcimin e SHBA. Por nuk do të ishte në dobi të saj thellimi i dallimeve me evropianët. Amerika e dobësuar do të jetë një kërcënim edhe për evropianët.
Multipolarizimi
Në takimin në Kinë u propogandua nga Rusia e Kina rendi i ri multipolar, pa përjashtuar Evropën. Përkrah udhëheqësve që perëndimi i cilëson autoritarë të Rusisë, Iranit, Turqisë, Bjellorusisë dhe shumë vendeve të tjera, edhe kryeministri indian Narendra Modi u shfaq me ta në takimin e Kinës. Me rreth një miliard votues të kualifikuar, nënkontinenti është, në fund të fundit, demokracia më e madhe në botë. Por edhe Modi ndihet i përbuzur kohët e fundit, në rastin e tij, nga Donald Trump, i cili po e ndëshkon Indinë me tarifa 50 përqind sepse blen shumë naftë nga Putini.
Tarifat po e shtyjnë edhe Indinë e madhe drejt Republikës Popullore, e cila tashmë dominon aleancën. Për shumicën e vendeve afrikane dhe aziatike, Kina është bërë prej kohësh partneri më i rëndësishëm tregtar. Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) e Xi-së, filloi në vitin 2001 si një aleancë e vogël rajonale. Tani, në Tianjin, pothuajse gjysma e popullsisë së botës ishte praktikisht ulur në tryezën e banketit. Në bagazhin e tyre: pothuajse një e treta e prodhimit ekonomik global, një e pesta e rezervave të naftës në botë, 45 përqind e gazit natyror dhe shumica e të gjitha metaleve të rralla.
Sigurisht, ka edhe çekuilibra dhe rivalitete brenda kësaj aleance. Të ardhurat për frymë të Kinës, për shembull, janë pesë herë më të larta se ato të Indisë. Dhe e gjithë ekonomia e Rusisë është më e vogël se ajo e provincës kineze të Guangdong. Megjithatë, atje ka shumë rritje dhe bashkëpunim më të ngushtë. Dhe ka një respekt që nuk është më as midis partnerëve të vjetër, SHBA-së dhe Evropës.
Një treshe që nuk ka më nevojë për Perëndimin
Treshja e Putinit, Modit dhe Xi nuk la asnjë dyshim se ata dëshirojnë një rend të ri botëror shumëpolar. Ndoshta një ditë edhe një alternativë anti-perëndimore ndaj NATO-s? E ardhmja i përket një sistemi “që merr parasysh interesat e rrethit më të madh të mundshëm të vendeve dhe është vërtet i ekuilibruar”, tha shefi i Kremlinit.
Jo rastësisht, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, udhëtoi gjithashtu në Kinë, kritikoi SHBA-në shumë herë dhe në këmbim mori premtimin e Xi-së për të vazhduar të mbështeste në mënyrë aktive Kombet e Bashkuara.
Evropa po vepron
Evropa është e domosdoshme të garantojë vetë mbrojtjen dhe të mos varet vetëm nga SHBA. Kjo strategji është në dobinë e përbashkët. Siguria bazohet në mbrojtjen e fuqishme ushtarake. Rritja e financimit deri 5 për qind për mbrojtjen u kërkua me të drejtë nga Trump dhe është bërë objektiv për shumicën e shteteve evropiane anëtare në NATO. Dallohet Gjermania me reformat për tu bërë fuqia më e madhe ushtarake. Për mbrojtjen bërthamore, po bashkëpunohet midis dy fuqive atmike Francës e Britanisë së Madhe, si dhe Gjermanisë. Bundestagun gjerman, ka mbështetur edhe me masa financiare për arsenalet bërthamore franceze dhe britanike nëse qeveria gjermane mund të arrijë një marrëveshje për ndarjen e armëve bërthamore me Parisin dhe Londrën, të ngjashme me atë që ekziston me Shtetet e Bashkuara. Pjesëmarrja e barabartë” me shtetet e armëve bërthamore, Francën dhe Britaninë e Madhe, nuk pritet, sepse kjo nuk ekziston as me Shtetet e Bashkuara. “Butoni i kuq është në Uashington.” Gjermania është mirënjohëse që SHBA-të “aktualisht” po e zgjerojnë ombrellën e tyre mbrojtëse në Evropë. Janë të domosdoshme aftësitë mbrojtëse në nivel evropian, së bashku me francezët ose britanikët. Debati i nevojshëm në Evropë do të zhvillohet vërtet vetëm nëse Gjermania e çon përpara.
Paqia është përgjegjësi e popujve evropianë
Pa paqe me Rusinë, nuk do të ketë kurrë paqe në Evropë. Kërkohen bisedime të drejtpërdrejta midis shteteve kryesore evropiane dhe Rusisë. Koha po tregon se ishte gabim ndërprerja tërësisht e bisedimeve me Rusinë. Evropianët ia lëmë diplomacinë vetëm amerikanëve.
Paqia në Evropë është në radhë të parë përgjegjësi për popujt evropianë. Është e nevojshme të mbajmë në vëmëndje përfundimet që evidentohen qartë nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, si dhe periudha e gjatë e Luftës së Ftohtë deri në rënien e Murit të Berlinit.
Evropa po vepron për të arritur paqen dhe është kundër zgjerimit të aspiratave ruse për pushtet përtej Ukrainës. Gjithçka tregon se plani i Presidentit Vladimir Putin nuk do të përfundojë me pushtimin e Ukrainës, por vetëm sa po fillon. Evropa është në shënjestër të veprimtarisë subversive. Përballë sulmeve hibride të përditshme të Rusisë ndaj infrastrukturës, me “intensitet dhe agresivitet në rritje”, Ukraina po mbron gjithashtu lirinë tonë në Evropë, deklarojnë me përgjegjësi udhëheqësit evropianë. Bashkëpunimi me SHBA është i domosdoshmëm. Të vetëm, shtetet evropiane dhe Ukraina nuk mund të arrijnë synimin që Rusia të mos fitojë.






















