Prof. Dr. Lush Susaj: Politika pa konservatorizëm është si trupi pa shpirt

191
Lush Susaj
  •   Dështimi në politikën e jashtme, tregon se është lëvizur edhe boshti i orientimit historik të kombit.
  • Konservatorët janë njerëz me faqe të bardhë e me duar të pastra.
  • Të korruptuarit dhe të gjithë ata me sjellje e qëndrime antishqiptare, nuk kanë asnjë lidhje me konservatorizmin
Sigal

Pasoja të mungesës së konservatorizmit në administratën dhe politikën shqiptare.

Ditën e mërkurë më 22 mars 2023, një grup ekspertësh dhe politologësh të PD, të mbështetur edhe nga Prof. Dr. Sali Berisha, organizuan një konferencë mbi idetë konservatore dhe trupëzimin e tyre në një doktrinë të së djathtës shqiptare.

Si një studjues i apasionuar dhe i vazhdueshëm i filozofisë dhe historisë shtetërore e politike dhe si i diplomuar në vitin 1988 për filozofi në Fakultetin e Shkencave Politiko Juridike të Universitetit të Tiranës, lash mënjanë angazhimet e tjera të ditës, dhe ndoqa me vëmendje të gjitha punimet e referuesve, që sipas meje nuk rrezatuan konservatorizëm, e as nuk dëgjova që të artikulohet ndonjë ide e dobishme konservatore e progresive për kohën që po kalon opozita dhe shoqëria shqiptare. Kjo situatë buron nga egoizmi dhe mungesa e gjatë e demokracisë, mungesa e debatit dhe mungesa e informimit që karakterizon forcat e spektrit të politikës shqiptare. Në fillim pata një keqardhje që nuk shkova që të isha prezentë në atë sallë, por që kjo nuk zgjati shumë, sepse po të isha prezentë, do të reagoja me patjetër, duke folur troç e duke goditur mbi thumbin e jo mbi patkoin, sikurse po veprohet edhe në këtë periudhë, ku rrezikojmë që edhe për 30 vitet e ardhshme, të shkruhet përsëri shtrembër fati i një populli të sfilitur nga diktaturat moniste, antipopullore, e orientale. Konservatorët flasin troç, sepse janë njerëz me dashuri të pakufishme për shtetin dhe për kombin e tyre. Konservatorët janë njerëz me faqe të bardhë e me duar të pastra. Kudo e kurdoherë janë njerëz qëndrestarë e me moral të lartë e të pastër shoqërorë e politikë. Unë kam menduar dhe vazhdoj që të mendoj se faqezijtë dhe të korruptuarit e qeverisjeve të këtyre tre dekadave; as dredharakët dhe dështakët e mushkopolitikës sulltano-komuniste, as pasanikët e korruptuar të tenderave, të doganave dhe të hipotekave dhe as mbrojtësit dhe bashkëpuntorët e krimit ekonomikë, politikë dhe ordinerë, nuk janë dhe nuk mund të bëhen kurrë konservatorë e as ideatorë të konservatorizmit shqiptar. Koha e zbuloi dhe provoi shpirtin, fytyrën dhe lakuriqësinë e qelbësave të politikës, nga ku nuk prodhohet demokraci e as kohezion dhe konvergim shoqëror e politik. Konservatorizmi është traditë dhe trashëgimi, që do të thotë se konservator lind, e nuk mund të stisesh e as nuk mund të bëhësh se të do partia apo klani kriminal e hajdutërorë. Të korruptuarit dhe të gjithë ata me sjellje e qëndrime antishqiptare, nuk kanë asnjë lidhje me konservatorizmin politikë, që pikë së pari frymëzohet nga dashuria për shtetin dhe kombin, e jo nga dashuria për partinë, as nga dashuria për despotin, as nga dashuria për monizmin e as nga grykësia për prona e para haram.

Ky parim bazëduket që është shkelur e përsëri po shkelet me të dyja këmbët tek PD. Në këtë mënyrë janë goditur dhe dëbuar nga politika dhe administrata shtetërore, të gjithë konservatorët, antikomunistët, ish të persekutuarit, reaguesit, intelektualët e mirëfilltë, patriotët e mirëfilltë të luftës antifashiste, nacionalistët e periudhës së pavarësisë, etj.

Këtu e ka burimin dukuria e mpirjes dhe debilizimit të thellë të politikës dhe administratës.

Konservatorizmi është shpirti i demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm

Është koha që të kuptojmë e pranojmë që për shkak të menjanimit, të dëbimit dhe të vrasjes politike të konservatorëve dhe të konservatorizmit politikë, partitë e spektrit politikë, e në mënyrë të veçantë PD, kanë mbetur si trupat pa shpirt, të lodhura dhe të copëtuara, e kudo të mbushura me servila e me përfitues të rëndomtë, e përherë e më pak me veprimtarë, me mendimtarë dhe me patriotë në shërbim të kombit e të shtetit. Është koha që sot o kurrë, opozita të bëhet konservatore e të merret seriozisht me vetëvetën, që të mund të kapërcejë e të rilindë sa më parë mbi hirin e egoizmit dhe egocentrizmit, duke u rikthyer pa humbur as edhe një ditëkohë në shtratin historik e shoqëror të krijimit dhe misionit të saj. Duhet folur e duhet pranuar fakti që forca bashkuese dhe konkuruese e PD buron nga vlerat konservatore shpirtërore, tradicionale, nacionaliste, antikomuniste dhe antiotomane. Filozofia e Hegelit dhe Platonit na mëson që vdekja është largimi i shpirtit prej trupit, fjalë për fjalë thuhet që është“çlirimi i shpirtit prej prangave të trupit”. Që do të thotë se nga mbytja e konservatorizmit, gjithnjë e ka pësuar e do ta pësojë Shqipëria dhe çdo banorë i saj (trupi), e jo konservatorët e as konservatorizmi si sjellje dhe si filozofi (shpirti). Tek mënjanimi dhe mbytja e zërit konservatorë dhe konservatorizmit politikë si filozofi, duket që e kanë burimin të gjitha dështimet e këtyre 32 viteve, sikurse janë dështimi në qëndrimin e prerë e të vendosur ndaj krimeve dhe kriminelëve të diktaturës bolshevike, ku sikurse dihet e ndotën dhe e tërhoqën zvarrë edhe popullin dhe republikën e këtyre 32 vjetëve. Këtu e ka burimin edhe dështimi me pronat, nga ku është prodhuar një kaos social e juridik i pashëmbulltë. Apo dështimi i njohur me reformat territoriale e zgjedhore, apo dështimi në reformën arsimore. Apo dështimi në politikën e jashtme, nga ku duket sikur është lëvizur edhe boshti i orientimit historikë të kombit, e ku tani duket sikur nuk jemi më midis lindjes e perëndimit. Defakto duket sikur kemi rrëshqitur totalishtë në sferën e sjelljes shtetërore e politike orientale, moniste, tipike punisto-komuniste.

Konservatorizmi është ajo filozofia politike dhe shoqërore që promovon sjelljen dhe institucionet sociale tradicionale, në kontekstin e kulturës dhe të qytetërimit bashkëkohorë. Parimet qëndrore të konservatorizmit përfshijnë traditën, papërsosmërinë njerëzore, shoqërinë organike, hierarkinë dhe autoritetin dhe të drejtat e pronësisë. Konservatorët e kanë të shejtë traditën, pronën, qeverisjen me gjithëpërfshirje, mjedisin e qëndrueshëm, stabilitetin dhe vazhdimësinë sociale, e mbi të gjitha atdheun dhe besimin në Zot. Të mos harrojmë që edhe ekzistencën e kombit dhe të shtetit shqiptar i kemi falë konservatorizmit. Prandaj komunizmi e sulmoj me zjarrë e me hekur këtë filozofi, e sikurse dihet e pati shpallur reaksionare, ndërsa konservatorët si armiq.

Roger Scruton (faqe 32), shkruan se: “Rendi ekonomik varet nga rendi moral. Besimi, përgjegjësia dhe llogaridhënia ekzistojnë vetëm në një shoqëri, që i respekton ato, e vetëm atje ku fruti spontan i simpatisë njerëzore lejohet të piqet”. Që do të thotë që përmes politikave, qeverisjeve dhe sjelljeve amorale e moniste, nuk mund të ketë demokraci, besim e as fruta të pjekura të dashurisë dhe simpatisë njerëzore. Monizmi dhe konservatorizmi nuk mund të bashkëjetojnë, sepse konservatorët e neverisin korrupsionin, mashtrimin dhe qeverisjen nga lartë poshtë, nga ku buron konfiskimi i shoqërisë nga shteti, e ku lindin përbindësha dhe individë të papërgjegjshëm. Për konservatorët, kombi është mbi gjithçka dhe burimi i gjithçkaje. Vullneti i kombit është gjithmonë i ligjshëm, është ligji më suprem.

Sipas sjelljes dhe filozofisë moniste të djeshme dhe të sotme, konservatorët janë quajtur reaksionarë, ndërsa kombi është ajo prona që duhet vjedhur, duhet copëtuar, apo që mund të falet përmes aferave korruptive e hajdutërore, pa menduar fare për brezat që do të vijnë. Konservatorizmi është si shpirti që mungon në trupin e dergjur e të dobët të politikës shqiptare, përfshirë këtu edhe mungesën aktuale në trupin e plagosur të PD. Unë mendoj që situata mund të zgjidhet duke e njohur, duke e pranuar e duke u përballur me kurajo me këtë realitet, e jo sipas mënyrës tërhiqe e mos e këput, sikurse është vepruar në vitet e kaluara. Rajoni dhe bota do tënanjohë dhe do të na respektojë me farë, me shtet e me territor vetëm nëse arrijmë të bashkohemi e të tregojmë forcë dhe dinjitet në përballjen historike me të keqën. Është koha e kthjellimit dhe ndriçimit të mendjeve dhe të shpirtërave të shqiptarëve me filozofinë konservatore, nga ku shqiptarët do të mësojnë që të reagojnë e të prishin kontratën qeverisëse (sikurse thoshte Kanti), sa herë që qeverisja del jashtë ligjit dhe guxon të bëhet mashtruese, arrogante, hajdute, përçarëse e varfëruese. Për kushtet e Shqipërisë, filozofia konservatore bëhet edhe më jetike për faktin që vendi ynë, nuk mund të shkojë më tutje me gjendjen dhe as me politikat e dyzuara të këtyre 79 viteve (1944-2023) me Europën Perëndimore e me SHBA. Në këtë kontekst, mendoj që ajo që na lidh përjetë me Europën dhe me botën anglisht folëse është konservatorizmi, si filozofia që prodhon liri, qëndrueshmëri dhe dinjitet njerëzorë. Është koha që të kontribojmë për ndryshimin filozofik të qeverisjes së gabuar mbi 32 vjeçare, e kjo mund të arrihet duke u orientuar e rikthyer fort tek vlerat e konservatorizmit. Në këtë mënyrë, dashuria e politikanëve dhe administratës publike për popullin dhe atdheun, do të mund të prevalojë mbi dashurinë për partinë dhe kryetarët e partisë. Edhe dashuria e drejtuesve dhe politikanëve shqiptarë për Europën dhe SHBA, do të mund të prevalojë mbi korrupsionin dhe interesat e despotizmit oriental. Nuk është koha për të folur me gjysma fjalësh e as me zë të ulët, përkundrazi është koha që të flasim e të reagojmë fort e me rrugë demokratike për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë, që atdheu ynë të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga modelet dhe kthetrat e botës orientale, e të rikthehet atje ku e projektoj dhe e deshi Gjergj Kastrioti dhe të gjithë dëshmorët, patriotët dhe rilindasit, këtu e 580 vjetë më parë (1443-2023). Konservatorizmi është demokracia, liria, dinjiteti, qëndrueshmëria dhe prosperiteti i munguar për shoqërinë, për politikën dhe për administratën e shtetit shqiptarë. Shqipëria nuk ka më popull, energji, rini e as kohë për të humbur, opozita e në mënyrë të veçantë PD duhet që ta kuptojë e reflektojë para.