Prishja e çdo shprese: Edi Rama duhet të japë dorëheqjen!

601
Sigal

Nga Harry Bajraktari

Shqiptarët të cilët krenohen me historinë e tyre kulturore kanë dënuar pa asnjë mëdyshje prishjen e Teatrit Kombëtar Shqiptar.

Unë bashkohem me ta në zemërimin e tyre të dhimbshëm dhe të ligjshëm. Kjo ishte një nga godinat më të njohura të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Artistët dhe drejtuesit e shoqërisë civile luftuan për më shumë se dy vjet për ta ruajtur atë, por zëri i tyre u injorua, dhe protesta e tyre u shtyp me forcë.

Ndërsa vendet dhe qytetet në të gjithë botën investojnë në ruajtjen e monumenteve të tyre, bashkia e Tiranës ka një rekord të shkatërrimit dhe zëvendësimit të tyre me struktura të mëdha tregtare pa shpirt. Pas kësaj tendence dhe trendi janë lidhjet e dyshimta midis biznesit dhe politikës. Specialistët dhe ligjet urbane injorohen tërësisht.

Sidoqoftë, fajtori kryesor është përsëri Kryeministri Edi Rama, i cili u përfshi personalisht në këtë projekt. Ai shfrytëzoi ditën e fundit të bllokimit të imponuar nga kriza COVID-19 për rrënimin e teatrit, duke injoruar në mënyrë të qartë thirrjen e Bashkimit Evropian për dialog dhe mirëkuptim me komunitetin e artistëve.

Ai veproi si një hajdut në errësirë, duke planifikuar prishjen në mënyrë të fshehtë në orën 3:00 të mëngjesit, kur Tirana ishte në gjumë. Kryeqyteti u zgjua mes pranisë së rëndë të policisë dhe bllokimit të hyrjes për në qytet. Nuk është hera e parë që ai e përdori epideminë si justifikim për lëvizjet e tij.

Gjatë sundimit të tij, demokracia në vend është dobësuar, korrupsioni është rritur dhe fjala e lirë është shtypur. Kryeministri Rama e ka shkatërruar për tokë vendin dhe qeveria e tij ka humbur të drejtën morale për të drejtuar Shqipërinë.

Ky agresion i fundit kundër trashëgimisë historike dhe kulturore të kombit arriti kulmin. Kjo ishte prishja e çdo shprese të qëndrueshme për kthimin në normalitet nën qeverinë e tij. Kjo sjellje diktatoriale që injoron vullnetin e njerëzve dhe autonominë e institucioneve duhet të ndalet.

Paligjshmëria e këtij akti shton krizën e thellë politike që po vazhdon në Shqipëri.

Është koha që Edi Rama dhe qeveria e tij të japin dorëheqjen dhe të largohen. Një qeveri teknike duhet të marrë përsipër Shqipërinë teksa vendi përgatitet për zgjedhje të parakohshme. Kjo është mënyra e vetme që vendi të kthehet në rrugën e demokracisë pas viteve të mosbesimit të thellë, ndarjes dhe korrupsionit. Rama, ik!

The demolition of any hope: Edi Rama should resign!