Presidenti i stabilitetit

590
Nga Agostin Marku
(Ish Deputet i Partisë Socialiste)
Tashmë kemi një President të ri. Ai është Ilir Meta. Është normale në demokraci që disa ta presin me gëzim dhe disa të pezmohen. Ashtu sikur është normale që ato që mund ta kishin ëndërruar një pozicion të tillë edhe të shfryejnë që nuk e arritën. Po ashtu opozita për sa kohë nuk deshi të bëhet pjesë e këtij procesi me të drejtë apo pa të drejtë mund edhe të mos e përshëndesë zgjedhjen. Por është jo normale në një vend demokratik që pas zgjedhjes së të parit të vendit të fillojnë sharjet e fyerjet dhe pse vetëm e vetëm se ky person ku kishin shpresën se do të futnin politikën në krizë nuk e arritën. Po kur ky person që u zgjodh president me 28 prill 2017 e nxori PD nga halli në 2009 dhe në saj të këtij koalicioni qëndruan në pushtet edhe 4 vite pse ishte i mirë? Ilir Meta atëherë tha që e bëra në emër të stabilitetit dhe PD po ashtu. Po sot pse PD mos ta marrë të mirëqenë se Ilir Meta e pranoi këtë post në emër të stabilitetit. A do të ishte më mirë për PD një president nga radhët e socialistëve apo Ilir Meta. Socialistët i kishin të gjithë numrat për ta zgjedh presidentin pa LSI. Dhe pra PD dy herë radhazi e pati zgjedh presidentin nga radhët e tij, madje nga udhëheqja pa pasur numrat të vetëm, por me blerje deputetësh apo në rastin e fundit me shumicën 50+1 dhe përsëri nuk ishte ky lloj reagimi e shfryrje nga politika. Apo në anën tjetër që ka një lloj super entuziazmi deri në një lloj triumfi, por ndaj kujt? Mos vallë LSI ka triumfuar?! Unë them jo. LSI ka humbur liderin karizmatik e pragmatist. LSI nuk ka triumfuar as ndaj aleatit PS, sepse kjo e fundit do ta ketë më të lehtë të marrë më shumë pushtet në ekzekutiv. Kur Basha thotë se me zgjedhjen e Metës President, Rama ka shkelmuar vettingun dhe ka marrë fund, në fakt ai s’bën gjë tjetër veçse akuzon veten dhe Partinë e tij pasi nqs ka periudhë kohe që akuzohet Meta është koha kur qeverisi me Berishën e Bashën. Megjithatë sot Meta është Presidenti i zgjedhur dhe duam apo s’duam ne apo ato që e urrejnë atë, ky President do të quhet Presidenti stabilitetit. Do të quhet Presidenti integrimit. Duam apo nuk duam vetë situata politike është në këtë moment dhe më mirë se Meta nuk din kush nga politikanët tanë ta shfrytëzojë ndaj i ka rezistuar çdo beteje apo sikleti që janë përpjekur ta fusin kundërshtarët apo pse jo në raste të veçanta gabimet e tij. Meta është ai politikan që në moshë të re dhe pa shumë përvojë arriti të anëtarësojë të parin forum politik shqiptarë në një forum ndërkombëtarë siç bëri me FRESSH-in, megjithëse ky i përkiste një subjekti atëherë që u paragjykonte jo vetëm nga politika Shqiptare si një parti komuniste e pa rinovuar. Meta është ai politikan që në çdo rast ka ditur të ndërtojë aleanca dhe politika ka fituar stabilitet nga këto aleanca. Është e ditur se Meta edhe është përfolur për korrupsion por në çdo rast nuk ka patur frikë as të përballet me drejtësinë ndryshe nga politikanë të tjerë të përfolur. Dikush mund të thotë se drejtësia është e korruptuar ndaj duam vettingun. Po është e vërtetë por kjo drejtësi ishte dhe është edhe për politikanë të tjerë të përfolur që janë shmangur ballafaqimit me drejtësinë. Është gjëja më keqe që në momentin kur zgjidhet figura e unitetit të fillojmë të hedhim në treg arsenalin e thashethemeve dhe të akuzave. Liria e fjalës dhe demokracia nuk duhet të shkojnë në shfrenim dhe abuzim me lirinë e fjalës. As në sjelljen si trumfator të militantëve të një pale tjetër. Kudo në botën demokratike në momentin e zgjedhjes së të parit të vendit si mbështetës dhe kundërshtarë e përshëndesin zgjedhjen dhe lusin zotin që Presidenti ti shërbejë unitetit dhe atdheut të tyre. Le të sillemi edhe ne shqiptarët si evropianët dhe Amerikanët. Të lusim zotin që Presidenti të jetë përfaqësues i unitetit dhe stabilitetit të vendit. Unë lus zotin të jetë i tillë! Te bëjmë të gjithë këtë! Më mirë do të jetë për të gjithë që të mendojmë më të mirën dhe jo të keqen. Urime Presidenti im! Urime Presidenti Shqipërisë! Uroj të dhëntë Zoti energji dhe vullnet të jesh Presidenti të gjithë Shqiptarëve. Ne kemi nevojë më shumë se kurrë për një të tillë!
Sigal