Poli i Ri, pelerina e vjetër e diktaturës

851
Nga Ilir Vata

E djathta po pëson një tjetër transformim. një grup politikanësh, drejtues të partive politike të vetë konsideruar të djathtë kanë shpalosur në këtë prag të Vitit të Ri një “Pol të Ri”, duke bërë dasi apo divorc me partinë më të madhe të së djathtës që luan rolin e lider shipit të politikës së djathtë.

Si mund të bëhesh i djathtë?
Mjafton që t’i bashkohesh një partie politike, t’i vësh një emër, ta blesh një parti politike, apo të vetëquhesh i djathtë dhe është e mjaftueshme të të quajnë të djathtë, pavarësisht se në të shkuarën, pra në kohën e regjimit komunist ke qenë i përkëdhelur i diktaturës, shërbëtor i saj, apo më keq akoma, mëkatar dhe si spiun i sigurimit të shtetit dhe rastet nuk mungojnë, madje janë masivizuar. I djathtë mund të bëhet cilido, por sa të besueshëm janë ata për opinionin publik, sa realisht ata përfaqësojnë të djathtën dhe kjo dilemë është sprova e vërtetë e politikës me elektoratin, pasi partitë e vërtetë të djathta, si të përndjekurit politikë, pronarët apo spektri i dyshes, Balli-Legaliteti që mbajtën peshën e vuajtjes në regjimin komunist, gjenden në dasi të përhershme se shpesh herë copëzimi dhe dasia mes tyre ka qenë një obligim i partive që janë vetëshitur të djathta apo shtirur të tilla, thjesht për të zbehur vetë të djathtën. Edhe vite më parë kemi pasur një pol, por të quajtur “Poli i Lirisë”, drejtuar në atë kohë nga ish-kryeministri Meksi, por rezultoi që të ishte pa përfaqësim në parlament, sepse politika është futur në një terren që haset vetëm nga ata që kanë mundur të pasurohen, pra nga ata të korruptuar që për 27 vite kanë rrjepur të mira publike dhe ato nuk i kanë shpërndarë për qytetarët, por si ujeme në fushata elektorale për të mashtruar votuesit me miell, apo dhe me lekë për votën. Ka nga ata parti që përfaqësojnë pronarët dhe për 27 vite kanë qasur ligjin famëkeq, ogurziun ligj atë të 7501 që, jo vetëm e ka mbaruar misionin ligjor, por është një ligj antikushtetues, që e prek kushtetutën në thelbin e saj në ligjshmërinë, në raport me të drejtën e pronës sanksionuar nga vetë kushtetuta. Ka nga ata që shiten si të përndjekur, kulakë dhe kanë prekur interesat e të përndjekurve, si dëmshpërblimi, problemet sociale të integrimit dhe më keq akoma e kanë përjashtuar këtë kategori nga përfaqësimi dhe më tej edhe më keq kanë heshtur për 27 vite për transparencën me të shkuarën, për hetimin e krimeve të komunizmit dhe sot me paturpësi thonë përfaqësojmë të përndjekurit. Ka nga ata kryetarë partie që kanë ndukur të mira publike, kanë ndërruar e shitur parti, ka nga ata që kanë qenë spiunë të sigurimit të shtetit dhe thonë jemi të djathtë, ku në të vërtetë në kohë të regjimit komunist ata kanë përndjekur çdo individ, çdo vlerë të së djathtës. Ky pra është “poli i ri” i politikës së djathtë që pritet të prezantohet, pa ditur se e djathta buron nga tradita, vlerat më të mira nga qëndrimi për pronën, për dënimin e së shkuarës kriminale të regjimit komunist dhe ndërtim i së ardhmes duke respektuar vlertat më të mira atdhetare e qytetare. “Poli i Ri” me pelerinën e regjimit është një përçudnim politik, pafytyrësia që mban si model pikërisht fytyrën e politikës së vjetër që kërkon t’u shitet shqiptarëve si mundësi, mban kopjen më të keqe të asaj që ata e konsiderojnë politikë, thjesht dhe vetëm se kërkojnë që edhe pas qëndrimit të tyre në pushtet e politikë për afro tri dekada t’u qepen shqiptarëve në vazhdimësi, ashtu siç edhe ishte regjimi komunist, përjetësinë e pushtetit mbajtur mbi vuajtjet e një kombi të tërë në përpëlitjen për lirinë, pronën dhe me thonj ngulur pas jetës. E djathta ngrihet mbi vlerat e saj, dhe në thelb ka martirizimin për liri, për jetën, për demokracinë dhe Shqipëria e ka një bërthamë të tillë, që janë vetë martirët e diktaturës, të përndjekurit politikë, ata intelektualë, kleri, akademikët që u flijuan për vlerat e demokracisë, ata shqiptarë që vuajtën në ferrin e diktaturës për vlerat e vërteta njerëzor e që përfaqësohen nga ata që ende janë gjallë e kanë ende të ngulur në supe vuajtjet e regjimit, nga trashëgimtarët e tyre dhe qytetaria e vlerave politike të së djathtës. Pol të Ri apo stan të ri, po bëjnë këta në emër të së djathtës dhe kjo ka një përgjigje atë të një vathe të re në emër të së djathtës, për ta shitur e tradhtuar përfundimisht alternativen politike të së djathtës, që ende i ka munguar Shqipërisë, që kurrë nuk shkoi në dimensionin e saj, apo mbeti në tentativë. Partia e parë opozitare ka një barrë gabime mbi supe por fundja ajo vlen sa vetë vendi, sepse është një pasuri kombëtare e çmuar dhe politika do ta ketë një të tillë, pavarësisht qejf-mbetësve të pushtetit, pavarësisht dasive, sepse fundja mundet dhe ka mundësi që nëpërmjet reflektimit të dimensionojë të djathtën në të gjithë dimensionin e saj duke i dhuruar vendit të djathtën e bashkuar mundësi, alternativën e pushtetit të vlerave.
Sigal