Nga Asllan Bushati/ Kosova sot në sytë e mi

650
Duke ndjekur këto javët e fundit, mediat dhe poratalet on line për Kosovën, kam një përzierje mendimesh e ndjenjash deri ne kakofoni britjesh e thirrjes të brendshme, që më trazojnë shpirtin e qetësinë sa më bëjnë të thërras, të bërtas e të ulëras deri në kupë të qiellit se çka po ndodh, ç’po bëhet dhe ku po shkojmë me avanturizmin dhe prakticizmin foshnjarak. Kjo më trysnon po ashtu të mendoj se investimi që kanë bërë disa brezni para nesh, që brezi ynë dhe ndërkombëtarët kanë bërë për Kosovën, është apo nuk është produktiv dhe kombëtar? I kompleton aspiratat dhe ndjesitë e kombit apo i dyzon dhe i dyshon ato? Po shkojmë drejt demokracisë e shtetit ligjor në Kosovë, apo derejt një autokracie që mund t’i vësh çdo emër, por që më i pranueshmi do të ishte autoritarizëm primitive i kohëve moderne.
Pështjellimi paszgjedhor
Duke patur parasysh faktin që pas zgjedhjeve te qershorit të 2014-ës pati pështjellim, pati një vakum pas zgjedhor qeverisjeje për gjashtë muaj dhe me shumë vështirësi u gjet nga ndërkombëtarët një formulë gjysëm e pranueshme (qeverisja LDK dhe PDK), tregon se zgjidhja ndërkombëtare ka brenda qefmbetje opozitare dhe mllefi i sotëm politik është pjesë e kësaj zgjidhjeje pas zgjedhore. Por qefmbetja e opozitës ka dhe emra të veçantë si Mustafa e LDK të cilat i konsideron tradhëtar të kauzës opozitare, kurse Thaçin e PDK tradhtar të interesave të Kosovës. Madje ka disa që Z. Mustafa pas 9 dhjetorit 2014 e quajnë “ish Mustafa” sikur kemi të bëjmë me një dyftyrësi të pa imagjinueshme që e ndan një datë e vetme, siç është 9 dhjetori i 2014-ës. Por le t’i marrim gjërat me radhe dhe t’i shohim nga këndshikimi i secilit aktor dhe nga interesi publik. Po e nisim me opozitën e cila ka zbritur në sheshbetejë me trysninë për tërheqjen e dokumentave të firmosura për të ashtuquajturat “zajednica” ose e thënë ndryshe “Bashkësia e komunave serbe në Kosovë”. Sipas saj ky dokument tradhton interesat kombëtare të Kosovës sepse krijon një shtet serb brenda shtetit të Kosovës, i cili me këtë marrëveshje i merr Kosovës gati 30 % të sipërfaqes së saj. Nëse është tërësisht kështu, shqetësimi i opozitës është legjitim dhe mbron interesin publik. Problemi i dytë që opozita ngre është ai i “demarkacionit” (vija kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi). Sipas saj Kosova nga firmosja e kësaj marrëveshje ka humbur nje sasi të konsiderueshme kilometrash katrore. Edhe nga kjo qasje nëse është tërësisht kështu, opozita ka të drejtë.
Marrëveshja në akord me ndërkombëtarët
Por, ndërkombëtarët, qeveria dhe shumica parlamentare thonë se çdo marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë është e paraparë nga përmbajtja e Kushtetutës së Kosovës. Po ashtu dihet se Kushtetuta e Kosovës, sipas projektit të Ahtisarit, ka cungimet e veta për arsyet që dihen e që nuk mund të ribëhen sot në një Kosovë të pa formësur mirë organizativisht e demokratikisht. Marrëveshjet janë zgjidhje praktike ku asnjëra palë (kosovare apo serbe) nuk ka përfitimet maksimale, por përfitimet janë optimale, që u lejon palëve të bëjnë pak lëshime, por të ndërtojnë urat e së ardhmes për në Europën e Bashkuar. Po ashtu ata thonë se tërheqja nga një marrëveshje e nënshkruar është absurditet, sepse ajo është një fakt i kryer dhe i pa tjetërsueshëm. Por shtojnë se marrëveshjet nuk mund të hyjnë në fuqi pa një vendim të Parlamentit të Kosovës dhe në këto kushte pozita thotë hajdeni ta diskutojmë në parlament. Edhe marrëveshja për vijën kufitare me Malin e Zi është bërë sipas kushtetutës së 1974-ës të ish Jugosllavisë, dokument sipas të cilit Kosovën e njeh dhe e administron Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Parë nga ky këndshikimi edhe pozita dhe ndërkombëtarët kanë një farë të drejte.
Interesa partiake mbi ato kombwtare
Të gjitha palët interesin e përgjithshëm kërkojnë ta bëjë pronë të tyre. Ka përqasje që thonë shiheni përputhjen e plotë dhe identike të vijës e qëndrimeve tona politike me interesat kombëtare të Kosovës, duke aluduar se e palës tjetër është antikombëtare. Por nga ana tjetër veprimtaria normale e parlamentit është e bllokuar, mungesa e respektit reciprok është në kulm, përdorimi i masmedias për etiketime personale është kthyer në modë të përditshme, përdorimi i mjeteve zhurmuese vend e pa vend e deri tek përdorimi i gazit lotsjellës brenda sallës së parlamentit, nuk janë fenomene të çastit e për dy problemet që pikësohen këto javët e fundit, por mendoj se janë grumbullime të mllefeve politike të së shkuarës jo të largët. Sepse edhe parlamenti si tempull i demokracisë jo rrallë ka dhunuar me maxhoritetin e kartonave duke mos i lënë hapësirën e nevojshmë mendimit alternativ e duke votuar ligje për të cilat ka patur kontestime që lidhen me interesat jetike të Kosovës. Po t’u shtosh këtyre edhe korrupsionin masiv, papunësinë e madhe, mungesën e hapësirave perspektive për të ardhmen dhe keq qeverisjen pothuaj në të gjitha nivelet e deri tek përdorimi jo rrallë i pushtetit si armë kundër kundërshtarëve, po e çojnë Kosovën në prag të një kolapsi, fundi i të cilit mund të jetë drithërues.
Nisur nga të gjitha këto, por edhe për shumë të tjera, ndjehem tërësisht i shqetësua, sepse shoh që klasa politike në Kosovë po humbet shumë kohë për ta bërë Kosovën shtet demokratik e veprues. Ajo me paaftësinë që tregon në drejtim, po e shtyn vetë me duart e saj kohën e integrimit në strukturat euro-atlantike. Në gjykimin tim kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjatë kështu,sepse kjo po e çon Kosovën në destabilitet të pa shmangshëm. Përgjegjësia mendoj se është e të gjithë aktorëve veprues pa përjashtim në pozitë e në opozitë, nga Presidentja, Qeveria, Parlamenti e deri tek të zgjedhurit vendorë.
Koha për refleksion
Personalisht mendoj se është koha për refleksion të menjëhershëm. E përkrah veprimin e Presidentes Jahjaga për bisedimet që bëri me krerët e partive politike dhe shpresoj e besoj të ketë patur sukses. Por hapi më i rëndësishëm është normalizimi i veprimtarisë së parlamentit. Populli duhet të dëgjojë argumentet dhe kundër argumentet e të dyja palëve. Prej debatit duhet të dilet në disa përfundime të përbashkëta qe përbëjnë caqet e interesave kombëtare të periudhës afat mesme të Kosovës, caqe të cilat nuk mund t’i shkeli askush dhe për asnjë lloj arsyeje. Po ashtu mendoj se ngërçi politik mund të zgjidhet nëse lihet mënjanë mllefi politik i grumbulluar, i cili është gërryes i unitetit e paqëtimit të brendshëm dhe barriera kryesore e ecjes përpara. Për ata që bënë luftën në Kosovë, populli ju ka ngritur lapidare dhe ju a ka njohur të githa meritat deri në maksimalizim, por askush nuk duhet të abuzojë me to dhe askush prej tyre nuk është gjeni, i jashtëzakonshëm, gjithfuqiplotë e i pazëvendësueshëm dhe i destinuari i përjetëshëm për të qënë në krye të Kosovës. Sot është koha për të bërë paqen, demokracinë, ekonominë dhe lumturinë e njerëzve. Edhe opozita ka gjithë mundësitë për të vepruar në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe rregullat e miratuara dhe prej tyre të korrë sukseset që dëshiron. Jo të marrë vezët në dorë e të qëllojë me to kush i del përpara në rrugë të madhe i shoqëruar me gra e fëmijë duke krijuar kështu përshtypjen e rrugaçërisë. Si hap i parë ajo le të pranojë diskutimin në parlament. Nëse humbet me forcën e kartonave le ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Nëse nuk e fiton edhe atje të mbledh firmat për referendum. Në referendum është vota e popullit dhe ajo do t’i thotë gjithkujt se me kë është e drejta. 
Autori është zv/Kryetar i Shoqatës “Vatra” 
Sigal