Nako Petro: TEC-et pa strategji, energji për sot, dëm për nesër

Ing. Nako Petro

– TEC-et pa strategji nuk janë zgjidhje por simptomë e një qeverisjeje që mendon për sot dhe i lë faturat për nesër dhe këtë faturë, si gjithmonë, do ta paguajnë qytetarët.

–  Shqipëria po ndërton TEC-e sikur të ishin kioska sezonale, pa strategji, pa logjikë dhe pa përgjegjësi publike

Sigal

– Pse po merren vendime të shtrenjta, ndotëse dhe kontradiktore, që dëmtojnë interesin afatgjatë të vendit

– Paradoksi më i madh quhet TEC-i i Vlorës, një investim me qindra milionë euro, i ndërtuar prej vitesh, por i papërdorur

– Në çdo shtet normal, një projekt i tillë ose vihet në punë, ose auditohet deri në fund dhe dikush mban përgjegjësi penale në Shqipëri, thjesht harrohet.

– Kulmi i absurditetit janë TEC-et lundruese, të shtrenjta, ndotëse, të paraqitura si “zgjidhje emergjente”, por që u trajtua si zgjidhje normale.

Nako Petro (Ish-drejtor i UPTHNB)

TEC-et (Termocentrale) janë impiante që prodhojnë energji elektrike duke djegur lëndë djegëse (naftë, gaz) për të nxehur ujë, krijuar avull, i cili vë në lëvizje turbina të lidhura me gjeneratorë, duke prodhuar kështu rrymë; funksionojnë duke shndërruar energjinë kimike të lëndës djegëse në energji termike e më pas në energji elektrike, ndërsa puna e tyre është thelbësore për furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike, sidomos në mungesë të burimeve ujore, duke përdorur principe termodinamike për të gjeneruar fuqi elektrike. Shqipëria po ndërton TEC-e sikur të ishin kioska sezonale, pa strategji, pa logjikë dhe pa përgjegjësi publike. Pyetja nuk është më nëse vendi ka nevojë për energji shtesë, kjo është e qartë, por pse po merren vendime të shtrenjta, ndotëse dhe kontradiktore, që dëmtojnë interesin afatgjatë të vendit.

Paradoksi më i madh quhet TEC-i i Vlorës.

Një investim me qindra milionë euro, i ndërtuar prej vitesh, por i papërdorur. Një aset strategjik që kurrë nuk u bë strategjik. Askush nuk mban përgjegjësi pse nuk punon, pse nuk u integrua në sistem dhe pse u la të ndryshket. Në çdo shtet normal, një projekt i tillë ose vihet në punë, ose auditohet deri në fund dhe dikush mban përgjegjësi penale. Në Shqipëri, thjesht harrohet. Ndërkohë, qeveria kerkon te ndërtoj një TEC të ri në Roskovec, sikur problemi të ishte mungesa e TEC-eve dhe jo keqmenaxhimi i atyre ekzistuese. Si mund të justifikohet një investim i ri kur kapacitetet aktuale nuk funksionojnë? Apo logjika është e thjeshtë, projekti i ri sjell kontrata të reja, interesa të reja dhe përfitime të reja, ndërsa dështimet e vjetra fshihen nën qilim?

Kulmi i absurditetit janë TEC-et lundruese.

Të shtrenjta, ndotëse, të paraqitura si “zgjidhje emergjente”, por që u trajtua si zgjidhje normale. Emergjenca energjetike u përdor si alibi për të anashkaluar debatin publik, transparencën dhe analizën reale kosto përfitim. Shqipëria kerkon te paguaj energjinë më të shtrenjtë dhe më të ndotur, ndërkohë që flet për tranzicion të gjelbër. Dhe pastaj vjen Vlora. Një nga zonat me potencialin më të madh turistik në Mesdhe, që trajtohet si zonë industriale . A duhet Vlora të jetë simbol i turizmit, shërbimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm, apo depo TEC-esh dhe ndotjeje? Nuk mund të ndërtosh turizëm cilësor pranë oxhaqeve industriale. Kjo është një zgjedhje politike, jo një domosdoshmëri teknike. Problemi nuk është vetëm energjia. Problemi është mungesa e një strategjie kombëtare. Vendimet merren copë-copë, sipas krizës së radhës ose interesit të momentit. Nuk ka plan afatgjatë për gazin, nuk ka ndarje të qartë zonash industriale dhe turistike, nuk ka vizion për energjitë e pastra përtej sloganeve. Shqipëria ka nevojë për siguri energjetike, por jo duke sakrifikuar mjedisin, turizmin dhe paratë publike. Fillimisht duhej vënë në punë TEC-i i Vlorës ose të sqarohej pse dështoi. Pastaj duhej investuar seriozisht në diell, erë dhe magazinim energjie. Dhe mbi të gjitha, duhej transparencë dhe llogaridhënie. TEC-et pa strategji nuk janë zgjidhje. Janë simptomë e një qeverisjeje që mendon për sot dhe i lë faturat për nesër. Dhe këtë faturë, si gjithmonë, do ta paguajnë qytetarët.