Mediamorfozë dhe metakomunikim

1153
Prof. Artan FUGA

T’u japim vend edhe fakteve madhështore, por edhe fakteve të turpshme në historinë tonë.

Kjo është histori “objektive”, t’i lemë pasionet e mbështetura në zbukurimin e së kaluarës.

Vetëm këto dy shekujt e fundit kemi bërë gjëra heroike, por edhe gabime kolektive që i kalojmë ashtu shkarazi, “hajdutshe”, si vogëlima pa rëndësi. Çfarë do të na thoshte dikush nga jashtë, nëse do të kishte vrojtuar veprimet tona historike? Ja që mjaft shqiptarë në kohën e Luftës së Parë Botërore pajtoheshin me qira si ushtarë në ushtritë e huaja që gjendeshin te ne dhe luftonin me njëri tjetrin për pesë kacidhe-ora e luftës. Po, ja që mijëra shqiptarë nën udhëheqjen, jo vetëm të Haxhi Qamilit minonin ngritjen e Flamurit të pavarësisë. Po ja që kishte pjesë të elitave politike, fetare, artistike që mezi prisnin pushtimin italian të vendit dhe që nuk bënë asnjë veprim kundër pushtuesve, veç mbretit që ‘iku si zog’. Po ja që dhjetëra deputetë shqiptarë, bij të “familjeve të mëdha”, u bën pro-pushtues dhe shumë prej tyre vajtën në Itali dhe i dhuruan perandorit kurorën e mbretërisë shqiptare që u bë nën-mbretëri. Po ja që parlamenti shqiptar pa pikë turpi i shpalli luftë Greqisë fqinje dhe historianët nuk e botojnë vendimin e tij fashist. Po ja që gazetat kryesore në vitet 40, ishin pro Hitlerit dhe nazizmit dhe anti hebrenj?! Ne përkujtojmë me të drejtë që ne, si popullsi, jo si elita, i kemi mbrojur hebrenjtë dhe kjo duhet të na bëjë të harrojmë gjithçka tjetër, edhe ndonjë mendësi të vockël gjenocidi në mediat e kohës. Po ja që pas Luftës së Dytë Botërore, gazetat komuniste ishin sllavofilë, duke i quajtur kombet sllave si më të lartat dhe anti evropiane? Po ja që në konferencën e Parisit pas Luftës së Dytë botërore, Greqia donte të na shpërbënte, kurse Jugosllavia na mbronte. (Sigurisht për hesap të vet, pse kot?) Po ja që u dorëzuam serbëve gjithçka, me ushtri, me para, me sekrete, me të gjitha duke u bashkuar de fakto dhe, që po të mos ishte ai diktatori me mustaqe në Rusi, do të ishim bërë qytetarë të Maqedonisë. Askush nga ne nuk lëvizi. Po ja që në kuadrin e traktatit të Varshavës u dhamë rusëve të drejtën që sa herë të donin të hynin ushtarakisht në Shqipëri, madje pa pyetur kërkënd. Askush nuk tha, jo. Po ja që pati mijëra shqiptarë që u bënë spiunë dhe kishe frikë të thoshe një fjalë se spiuni dëgjonte. Ku janë këta spiunët? Po ja që aty nga vitet ’60 e shekullit të kaluar u bëmë prapë me Titon nga frika e muzhikut që zbriti me tanke në Pragë dhe kosovarët ishin titistë? Po ja që për 50 vjet jetonim me thërimet që na jepnin jugosllavët, rusët, kinezët?

Po ja që gërthisnim me histeri, rroftë ky e rroftë ai, në mitingjet masive të viteve ’50 apo ’60 të shekullit XX. Po ja që mijëra të rinj hipën në çatitë e kishave dhe xhamive në mesin e viteve ’60 duke iu hequr tjergullat, nuk e dini? Shihni dokumentarët, ka plot. Po ja që merrnin nisma fshatshe e qytetshe për të ulur rrogat e vetvetes? Po ja që donin ta fitonim jetën pa punuar, nuk e kishte fajin Sudja, dhe u bëmë si pinoku që mbolli lekët dhe prisnim të rriteshin si pemë.

Po ja që shitëm me dhi e katandi për të vendosur lekët në firmat piramidale e marrë interesa që në fakt ishin paret e komshiut. Po ja që pasi u vramë me njerin tjetrin thirrëm në ndihmë kalabrezë, rumunë, turq, grekë që të na ndanin në vitin 1997, sepse po i hanim kokën njeri tjetrit.

Po ja që kurrë nuk kemi bërë zgjedhje të ndershme, sepse sa herë dikush fiton, tjetri e quan hajdut votash. Po ja që nuk kemi industri dhe askush nuk shkon të punojë askund, se i duket se është bërë vetëm për të qenë; sociolog, historian, ekonomist a pianist. Po ja që si asnjë popull tjetër sado në vështirësi, morëm anijet dhe lamë pendët duke ikur sa më larg, larg, duke braktisur gjithçka. Po ja që kemi vite dhe pasi ëndërruam me shekuj bashkimin kombëtar, tani me Kosovën, jemi si çift i ftohur në prag të divorcit! Edhe kosovarët që vijnë në plazhet e Adriatikut dhe Jonit na rënden. Po ja që gjithmonë kemi gjetur shpëtim duke u lidhur pas qerres të perandorive të mëdha, romake, osmane, austro-hungareze, ruse, kineze, etj.etj, dhe sapo kemi parë fundin e njerës, hop, jemi hedhur te gjiri i tjetrës, duke ndryshuar fe e besë masivisht.


Sigal